"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 96: Procedura e vlerësimit për kryetarët

1Vlerësimi i veprimtarisë së kryetarëve kryhet sipas procedurës së parashikuar në këtë ligj.

2Kryetari i paraqet Këshillit vlerësimin e kryer prej tij dhe çdo burim të përshtatshëm të vlerësimit të tij në Këshill, brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit, sipas nenit 85 të këtij ligji.

3Në procedurën e vlerësimit të veprimtarisë së kryetarit nuk zbatohen nenet 86, pika 2, 87, 88, pika 2, 90, pika 1, dhe 91 të këtij ligji.

Përmbajtja

    • 1. Ky nen synon përcaktimin e rregullave të qarta dhe objektive për vlerësimin e kryetarëve dhe drejtuesve. Ndër të tjera ky nen përcakton se procedura e vlerësimit të veprimtarisë së kryetarëve nuk është e njëjtë me procedurën e vlerësimit të magjistratëve ndaj dhe një tërësi nenesh nuk janë të zbatueshme për këtë rast. Pra, vlerësimi i kryetarëve është një procedurë që kryhet veçmas dhe përveç vlerësimit të performancës së kryetarit si magjistrat. Vlerësimi i performancës së kryetarit është një procedurë e re e parashikuar nga ligjvënësi.

       

       

    • 2. Nga pikëpamja organizative dispozita është pjesë e seksionit III “Ecuria e procesit të vlerësimit”. Kjo dispozitë ka për objekt të evidentojë mënyrën për vlerësimin e veprimtarisë së kryetarit. Nga pikëpamja e strukturës, ligjvënësi ka zgjedhur që në paragrafin e parë të këtij neni të japë një parashikim të përgjithshëm për vlerësimin e veprimtarisë së kryetarëve duke iu referuar procedurës së parashikuar në këtë ligj. Ndërsa në paragrafin e tretë e ngushton këtë procedurë duke përcaktuar në mënyrë shteruese nenet që nuk zbatohen për vlerësimin e kryetarëve. Paragrafi i dytë përcakton afatin kohor brenda të cilit kryetari i paraqet Këshillit vlerësimin e tij.

       

       

    • 3. Vlerësimi i veprimtarisë së kryetarëve është një zhvillim i ri në legjislacionin shqiptar që synon të rrisë përgjegjësinë e kryetarëve të gjykatave dhe drejtuesve të prokurorive për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie për veprimtarinë e tyre. Ndryshe nga vlerësimi i performancës së magjistratëve, për të cilët parashikohen katër kritere vlerësimi dhe pesë nivele vlerësimi, për vlerësimin e kryetarëve ekzistojnë vetëm dy kritere vlerësimi dhe tre nivele vlerësimi për vlerësimin e performancës.

      Kriteret specifike për vlerësimin e performancës së kryetarëve janë "aftësitë drejtuese dhe organizative" dhe "aftësitë e komunikimit" (shih nenin 79).

      4. Një listë gjithëpërfshirëse e burimeve të vlerësimit përcaktohet nënenin 82të Ligjit për Statusin. Neni 82, germa “d”i Ligjit për Statusin lejon përdorimin e të dhënave statistikore për pesë vitet e mëparshme si një burim i vlerësimit. Mandati i kryetarit është vetëm tre vjet. Sidoqoftë, referimi në periudhën pesë vjeçare lejon një krahasim, ose midis kryetarit të përkohshëm dhe paraardhësit të tij ose midis një mandati të parë dhe një të dytë të një kryetari. Sipas nenit 84, paragrafi 3të Ligjit për Statusin, kryetari vlerësohet të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij si kryetar. Aktiviteti i kryetarit gjithmonë vlerësohet nga Këshilli të paktën gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të tij. Të dyja dispozitat ligjore do të duhet të interpretohen dhe zbatohen në një mënyrë të harmonizuar.

      5. Neni 96 sikundër përjashton disa dispozita nga procedura e vlerësimit për kryetarët (paragrafi i tretë), thërret disa të tjera që janë të nevojshme për të përcaktuar procedurën e vlerësimit. Dispozita të lidhura me këtë nen në zbatim të paragrafit të parë janë: neni 79 - Kriteret për vlerësimin e veprimtarisë së kryetarit; neni 80 - Aftësitë drejtuese dhe organizative; neni 81 -Aftësitë komunikuese; neni 82 - Burimet e vlerësimit për veprimtarinë e kryetarëve; neni 83 - Nivelet e vlerësimit.

      6. Ndër të tjera ky nen vendos afatin kohor brenda të cilit kryetari i paraqet Këshillit vlerësimin e kryer prej tij që sipas programit dhe njoftimit të vlerësimit të përcaktuara në nenin 85 të këtij ligji, është brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit.

      Të gjitha afatet e vendosura në dispozitat e Ligjit për Statusin dhe që kanë të bëjnë me procesin e vlerësimit janë një garanci që procesi të zhvillohet në kohë. Një ndër problematikat e hasura më shumë në të shkuarën (para 2016) kishte të bënte pikërisht me moskryerjen në kohë të vlerësimit të gjyqtarëve. (Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009)[1].

       

       

      [1]Raport për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri, Mbështetje për Efikasitetin në Drejtësi – SEJ

      Program i përbashkët i Bashkimit Europian dhe i Këshillit të Europës, f. 19.

    • 7. Ligji për Statusin i miratuar në vitin 2016, solli forma të reja të vlerësimit të performancës bazuar në kriterin e funksionit që ushtron magjistrati. Vlerësim i performacës së gjyqtarit, vlerësim i performancës së prokurorit dhe vlerësim i performancës së kryetarit.

      8. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe kryetarëve të gjykatës/prokurorisë ishte rregulluar në mënyrë të copëzuar, i ndarë veç për secilën kategori. Ligji për Statusin prezantoi për herë të parë rregullimin uniform duke përcaktuar të njëjtat kritere vlerësimi pa asnjë dallim për të dyja kategoritë e kryetarëve: si të gjykatës ashtu edhe të prokurorisë së të gjitha niveleve.

      9. Vendimi nr. 261/2 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) parashikonte në nenin 18 se Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit, do të vlerësohen për veprimtarinë e tyre gjyqësore në përputhje me grupet e kritereve që zbatoheshin edhe për gjyqtarët e zakonshëm. Veprimtaritë e tjera (drejtuese, organizative etj.) nuk ishin pjesë e kritereve të vlerësimit.

      10. Për sa i takon rregullimit për titullarët e zyrave të prokurorisë, ligji nr. 8737, datë 12.0.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” nuk përmbante rregullime në lidhje me vlerësimin e veprimtarisë së tyre si titullar.

      (për më shumë shih kontekstin historik të nenit 82).

    • 11. Për hartimin e Ligjit për Statusin, dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve Europianë CCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit (shih nenin 83).

       

  • 12. Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”(version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    13. Standards for the Evaluation and Irremovability of Judges, https://www.encj.eu/node/256 (vizituar për herë të fundit në datën 28 maj 2020).

    14. European Netëork of Councils for the Judiciary, Report on Minimum standards regarding evaluation of professional performance and irremovability of members of the judiciary 2012-2013. Raporti i aksesueshëm në këtë link: https://www.encj.eu/images/stories/pdf/workinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf

     

     

  • Asnjë koment
  • Ligji:

    - Ligji nr. 842/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokuroreve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  •  - Raport i Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018.

     

  • - Vendimi nr. 263, datë 21.11.2019, “Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve”, i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Edlira Osmani
Edlira Osmani