The Council shall, in its draft-budget, substantiate in detail the criteria and conditions of salary increases and cuts.
1. Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (Ligji i Qeverisjes) ka përcaktuar Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) si organin përgjegjës për hartimin e buxhetit vjetor dhe afatmesëm në konsultim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave. Buxheti vjetor i KLGJ si dhe buxheti i sistemit gjyqësor janë pjesë e Buxhetit të Shtetit dhe ndjekin të gjitha procedurat e hartimit dhe zbatimit të tij, të parashikuara në legjislacionin përkatës. Në këto kushte, neni 18 i Ligjit për Statusin ka si qëllim të përcaktojë detyrimin e KLGJ-së që gjatë hartimit të projektbuxhetit përkatës, të argumentojë kriteret dhe kushtet për shtesat dhe uljet e pagës. Në këtë mënyrë, neni 18 krijon garancitë e përshtatshme për paprekshmërinë e pagës si një nga mjetet që garantojnë pavarësisë dhe paanshmërisë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të funksioneve gjyqësore.
2. Pavarësisht se neni 18 i referohet Këshillit, pa përcaktuar nëse subjekti përgjegjës për zbatimin e dispozitës është Këshilli i Lartë Gjyqësor apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), subjekti përgjegjës për zbatimin e kësaj dispozite është vetëm KLGJ. KLP përjashtohet nga zbatimi i kësaj dispozite, pasi sipas nenit 188 të Ligjit të Qeverisjes, ai nuk është përgjegjës për hartimin dhe propozimin e buxhetit të prokurorisë, por vetëm të buxhetit të saj. Në përputhje me nenin 148/b shkronja ç) të Kushtetutës si dhe me nenin 40 të ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, buxheti i prokurorisë, në të cilin përfshihet buxheti i Prokurorisë së Përgjithshme, buxheti i prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe buxheti për Policinë Gjyqësore të seksioneve pranë prokurorisë hartohet nga Prokurori i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, sipas nenit 15 pika 2 shkronja ?) të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, projektbuxheti i Prokurorisë së Posaçme dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit i paraqitet Ministrisë së Financave nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
3. Sa më sipër, neni 18 ka si fushë zbatimi procedurën e hartimit të projektbuxhetit të sistemit gjyqësor dhe veçanërisht zërin e pagave të gjyqtarëve. Organi përgjegjës për zbatimin e kësaj dispozite është KLGJ dhe veçanërisht njësia e administrimit të buxhetit gjyqësor, i cili në konsultim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave duhet të argumentojnë në mënyrë të detajuar kriteret dhe kushtet për shtesat dhe uljet e pagës së gjyqtarëve.
4. Njësia e administrimit të buxhetit gjyqësor (Njësia), në përmbushje të nenit 96 të Ligjit për Qeverisjen, duhet të përcaktojë nevojat për buxhet të të gjitha hallkave të gjyqësorit në bashkëpunim me sektorët financiarë të gjykatave të të gjitha niveleve. Neni 18 i Ligjit për Statusin detyron njësinë dhe më pas Këshillin, që në bashkëpunim me sektorët financiarë të gjykatave, të argumentojë në mënyrë të detajuar kriteret dhe kushtet për shtesat dhe uljet e pagës.
5. Në këtë kuptim, për secilën gjykatë, Njësia duhet të përcaktojë numrin e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin në atë gjykatë, vjetërsinë në punë të secilit prej tyre, si dhe numrin e magjistratëve që janë në pozicione drejtuese. Gjithashtu, në funksion të argumentimit të detajuar të shtesave dhe uljeve të pagave, njësia duhet të përcaktojë numrin e magjistratëve që janë pjesë e skemës së delegimit, numrin e magjistratëve të komanduar për të cilët zbatohet një skemë e veçantë pagash, si dhe shumën e pagës që duhet të paguhet nga buxheti gjyqësor në rastet kur një pjesë e pagës mbulohet nga buxheti i institucionit ku është komanduar magjistrati. Nga ana tjetër, njësia duhet të përllogarisë numrin e magjistratëve të cilëve i ulet paga për shkak të uljes së ngarkesës, sipas parashikimit të nenit 26 të Ligjit për Statusin, si dhe përqindjen e uljes së pagës për secilin prej tyre; magjistratët të cilëve i ulet paga për shkak të kthimit nga një pozicion më i lartë në pozicionin e tij të mëparshëm me pagë më të ulët; magjistratët të cilëve i është ulur paga për shkak të masës disiplinore; si dhe së fundmi, magjistratët të cilëve për shkak të vlerësimit në nivelin i pamjaftueshëm i është ulur paga me 2 përqind gjatë dy viteve kalendarike pas këtij vlerësimi.
6. Më pas, KLGJ miraton projektbuxhetin duke përfshirë edhe shpjegimet e detajuara për kriteret dhe kushtet për shtesat dhe uljet e pagës dhe ia dërgon atë për shqyrtim organit kompetent për shqyrtim dhe miratim, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Pavarësisht kësaj, sipas nenit 95 pika 4 të Ligjit për Qeverisjen, KLGJ ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit ku diskutohet projektbuxheti i sistemit gjyqësor.
7. Në përputhje me ligjin nr. 8363, datë 1.7.1998 “Për krijimin e zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor”, për administrimin e buxhetit të gjykatave ishte përgjegjëse Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Hartimi dhe zbatimi i buxhetit të gjykatave u nënshtrohej rregullave dhe procedurave ligjore për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit në Republikën e Shqipërisë. Zyra administronte fondet buxhetore të destinuara për gjykatat, duke siguruar zbatimin në parim të pavarësisë së tij nga pushtetet e tjera. Në përputhje me nenin 5 pika 1 të këtij ligji, fondet në dispozicion të Zyrës, ndër të tjera, përdoreshin për pagat dhe sigurimet shoqërore të gjyqtarëve, ndihmësgjyqtarëve dhe personelit administrativ të gjykatave.
8. Ndërsa përsa i takon prokurorisë, neni 57 i ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar parashikonte se prokuroria ka buxhet të pavarur, që hartohet, administrohet e zbatohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.
9. Sidoqoftë, legjislacioni i mëparshëm nuk kishte ndonjë dispozitë të ngjashme me nenin 18 të Ligjit për Statusin. Rrjedhimisht, mund të thuhet se me anë të këtyre rregullave të reja mundësohet të bëhet një planifikim më i saktë buxhetor për pagat dhe përfitimet financiare të magjistratëve, që lehtëson më pas zbatimin korrekt të tyre.
10. Pavarësisht se nuk rregullojnë në mënyrë të detajuar detyrimin e Këshillit për të argumentuar në projekbuxhetin e tij kriteret dhe kushtet për shtesat dhe uljet e pagës, ekzistojnë disa instrumente ndërkombëtare të cilat garantojnë autonominë financiare të sistemit gjyqësor si një nga elementët përbërës që forcojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve. Parimet Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit të Kombeve të Bashkuara, në nenin 7, përcaktojnë që “është detyra e secilit shtet anëtar që të vendosë në dispozicion të pushtetit gjyqësor burime të mjaftueshme që i lejojnë të përmbushë rregullisht funksionet e tij”. Gjithashtu, edhe Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në Rekomandimin CM/Rec (2010) 12 ka përcaktuar që “Secili shtet duhet të caktojë burime, objekte dhe pajisje të përshtatshme me qëllim që t’i lejojë të funksionojnë në përputhje me standardet e përcaktuara në nenin 6 të Konvetës si dhe t’i lejojë gjykatësit që të punojnë në mënyrë efektive”.
11. Më tej, edhe Karta Evropiane mbi Statusin e Gjyqtarëve përcakton që “Shteti ka detyrimin që të sigurohet që gjyqtarët kanë mjetet e nevojshme për të përmbushur rregullisht detyrat e tyre dhe veçanërisht të marrin një vendim për çështjen brenda një kohe të arsyeshme”. Rregulla të ngjashme janë njohur edhe nga neni 41 i Parimeve të Pekinit për pavarësinë e gjyqësorit në rajonin e Azisë dhe Paqësorit, si dhe nga udhëzimi II.2 i Parimeve të Komonuelthit për shtetet anëtare mbi llogaridhënien dhe marrëdhënien ndërmjet tre degëve të pushtetit.
Kongresi i shtatë i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e krimit dhe trajtimin e kriminelëve, Milano, Itali 26 gusht – 6 shtator 1985, mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 40/32 të 29 nëntorit 1985 dhe 40/146 të 13 dhjetorit 1985, Parimet Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, paragrafi 7, http://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/IndependenceJudiciary.aspx, vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi CM/Rec (2010) 12 i Komitetit të Ministrave për shtete anëtare për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë, paragrafi 33 https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&=true, vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Këshilli i Evropës, DAJ/DOC (98) 23, Karta Evropiane mbi Statusin e Gjyqtarëve, paragrafi 1.6 https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&id=1766501&Site=COE&direct=true, vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Opinioni Nr. 2 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian (2001), mbi financimin dhe menaxhimin e gjykatave duke u bazuar në eficencën e gjyqësorit dhe nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2001)OP2&Sector=secDGHL&Language=true vizituar për herë të fundit në datë 24.04.2017
Draft Deklarata Universale mbi pavarësinë e Gjyqësorit (Deklarata e Sighvi), mbështetur nga Nën-Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Diskriminimit dhe Mbrojtjen e Minoriteteve me resolutën nr. 1989/32, paragrafi 33 http://repository.un.org/handle/11176/351453, vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Rekomandimet e Kievit për pavarësinë e gjyqësorit në Evropën lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut dhe Grupi kërkimor Max Planck Minerva për Pavarësinë Gjyqësore, Kiev, 23-25 qershor 2010, paragrafi 6, http://www.osce.org/sq/odihr/75490?download=true, vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Deklarata e Pekinit mbi parimet e pavarësisë së gjyqësorit për Rajonin e Azisë dhe Paqësorit, mbajtur në Pekin, me datë 19 gusht 1995, paragrafi 41, https://www.hurights.or.jp/archives/other_documents/section1/1995/08/beijing-statement-of-principles-beijing-1.html vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Parimet e Komonuelthit për shtetet anëtare mbi llogaridhënien dhe marrëdhënien ndërmjet tre degëve të pushtetit, udhëzimi II.2 http://thecommonwealth.org/sites/default/files/history-items/documents/LatimerHousePrinciples.pdf vizituar për herë të fundit në datë 08.08.2017
Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 28.04.2017, faqe 4
Neni 148/b i Kushtetutës
Nenet 95, 96 dhe 188 i Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”
Neni 13, 14, 15, 22, 26, 95, 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”
Nenin 40 i ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”
Neni 15 i ligjit nr. Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”
Ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar
Ligji nr. 8363, datë 1.7.1998 “Për krijimin e zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor”
Ligji nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”