Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
Ekstradimi lejohet kur vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim është e parashikuar si e tillë njëkohësisht si nga ligji shqiptar dhe ai i huaj.
Ekstradimi nuk lejohet:
a) në qoftë se personi që do të ekstradohet është shtetas shqiptar, veç rasteve kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe;
b) në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një karakter politik ose ushtarak;
c) kur ka arsye për të dyshuar që personi i kërkuar të ekstradohet do të persekutohet, dënohet ose kërkohet për arsye të bindjeve të tija politike, fetare, kombëtare, racore ose etnike.
d) në qoftë se personi që kërkohet të ekstradohet është gjykuar nga një gjykatë kompetente shqiptare për veprën penale për të cilën kërkohet ekstradimi.