Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Mbajtja e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i armëve shpërthyese, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e parashikuar nga paragrafi i pestë i këtij neni, kur kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Falsifikimi ose fshirja, zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i shenjave mbi armët dhe municionet luftarake dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”