Dënimi me gjobë konsiston në pagimin në favor të shtetit të një shume të hollash brenda kufijve të parashikuar në ligj.
Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale.
Për personat që kryejnë krim gjoba jepet nga 100 mijë gjer në 10 milionë lekë.
Për personat që kryejnë kundërvajtje penale, gjoba jepet nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë.
Për personat që kryejnë krime për motive fitimi të pasurive ose të sigurimit të çdo lloj përfitimi tjetër material, gjykata vendos sipas nenit 36 të këtij Kodi, konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale ose, në mungesë të tyre, dënim me gjobë në masën nga 100 mijë deri në 5 milion lekë.
Gjykata jep dënimin me gjobë, pasi ka hetuar rreth aftësisë paguese të personit. Aftësia paguese përcaktohet nga gjendja personale dhe pasurore e personit, si dhe nga rrethana të tjera që lidhen me to. Dënimi me gjobë paguhet në afatin e caktuar në vendimin e gjykatës.
Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që gjoba të paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre.
Kur i dënuari nuk e paguan gjobën dhe gjoba nuk mund të vilet nëpërmjet ekzekutimit të detyrueshëm, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur pesë mijë lekë për një ditë burgim.
Kur i dënuari nuk mund të paguajë gjobën në afat pa fajin e tij dhe nëse kriteret, mbi të cilat është caktuar gjoba, kanë ndryshuar pas dhënies së vendimit dhe nuk e justifikojnë haptazi pagimin e gjobës, atëherë i dënuari mund të kërkojë:
a) shtyrje të afatit të pagesës së gjobës gjer në gjashtë muaj;
b) kryerjen e një pune me interes publik.
Nëse gjykata urdhëron kryerjen e një pune në interes publik zbatohen rregullat e nenit 63 të këtij Kodi.
Nëse gjoba nuk paguhet edhe pas shtyrjes së afatit ose nëse i dënuari nuk e kryen punën në interes publik, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim.
Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj me burgim nuk mund të kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi nuk mund të kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit me burgim që parashikon dispozita përkatëse. Nëse dispozita penale nuk parashikon dënim me burgim, maksimumi i dënimit me burgim konsiderohet gjashtë muaj
Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon vendimin, duke bërë llogaritjet sipas kriterit të paragrafit të 8 të këtij neni.