Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/a, 244, 244/a, 245, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c dhe 328 të këtij Kodi mund të përfitojë përjashtim nga vuajtja e dënimit ose ulje të tij, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre veprave. Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen ose jo të pasojave të veprës.
Personi i dëmtuar nga veprat penale, që lidhen me trafikimin e personit, mund të përfitojë përjashtimin nga dënimi, për kryerjen e veprave penale gjatë periudhës së trafikimit dhe në masën që ka qenë i detyruar t’i kryejë ato veprime apo mosveprime të kundërligjshme.
Personi që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve apo municioneve, trafikimin e personave ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë, që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi.