KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 73:

  1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
  2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
  3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
  4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i kombinuar i neneve 73, 126 dhe 137 të Kushtetutës është i dyfishtë: nga njëra anë, këto dispozita të rëndësishme synojnë të garantojnë ushtrimin e qetë dhe të pandikuar të funksioneve të rëndësishme publike nga zyrtarët e lartë të shtetit, të cilët nuk duhet të druhen se veprimtaria e tyre publike mund të bëhet shkas për pasoja personale, si p.sh. një padi civile apo një akuzë penale; nga ana tjetër, dispozitat në fjalë synojnë të garantojnë përgjegjshmërinë e këtyre funksionarëve të lartë në qoftë se, në përfundim të verifikimeve përkatëse dhe një procesi të rregullt ligjor, rezulton se veprimet e tyre nuk janë të motivuara nga interesi publik, por nga interesi privat ose keqbesimi.

    • 2. Për sa i takon objektit të rregullimit mund të thuhet se ka një ndryshim midis 3 neneve të marra në analizë. Kështu, neni 73, i cili rregullon imunitetin e deputetëve, iu ofron këtyre të fundit si paprekshmëri nga procedimi penal, ashtu edhe papërgjegjshmëri[1] nga pasojat që mund të vijnë si rezultat i ushtrimit të detyrës. Ndërsa nenet 126 dhe 137, të cilat rregullojnë përkatësisht imunitetin e gjyqtarëve të GjK-së dhe të gjyqtarëve të tjerë, u ofrojnë këtyre të fundit vetëm mbrojtje nga pasojat që mund të vijnë si rezultat i ushtrimit të detyrës (pra vetëm papërgjegjshmëri).

       

      [1] Shih më poshtë dallimet midis këtyre dy formave të imunitetit.

    • 3. Theksojmë se koncepti i imunitetit përfshin në vetvete 2 komponentë (ose aspekte) si më poshtë[1]:

      (i) Papërgjegjshmërinë – një formë e mbrojtjes nga përgjegjësia që lind tipikisht si rezultat i ushtrimit të funksioneve publike, si, për shembull, një fjalim apo prononcim zyrtar, opinione teknike ose politike të shprehura ose vota të hedhura në ushtrim e sipër të detyrës; dhe

      (ii) Paprekshmërinë – një formë e mbrojtjes së përkohshme nga procedurat e ndryshme ligjore (p.sh. procedimi penal, paditë civile, procedimet administrative, disiplinore etj.) për aktet e zyrtarëve publikë që kryhen në ushtrim e sipër të funksionit publik ose jashtë detyrave të tyre publike (sh. kryerja e një krimi, prishja e një kontrate, thyerja e procedurave ligjore, etj.).

      4. Dispozitat origjinale të Kushtetutës së vitit 1998 për imunitetin janë amenduar 2 herë, në vitin 2012 dhe në vitin 2016, në kuadër të reformës së thellë të sistemit të drejtësisë.

      Tabelat e paraqitura më poshtë vendosin përkundrejt njëra-tjetrës dispozitat përkatëse të Kushtetutës që rregullojnë imunitetin e këtyre funksionarëve të lartë (pra nenet 73, 126 dhe 137) përpara dhe pas ndryshimeve të viteve 2012 dhe 2016:

      5. Tabela e mëposhtme tregon rregullimin e nenit 73 të Kushtetutës për papërgjegjshmërinë e deputetëve.

      Neni 73 – Papërgjegjshmëria e deputetëve sipas Kushtetutës të vitit 1998

      Neni 73 - Papërgjegjshmëria e deputetëve pas ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 73 – Papërgjegjshmëria e deputetëve pas ndryshimeve të vitit 2016

      1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

       

      1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

       

      1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

       

       

      6. Siç shihet nga kjo tabelë, paragrafi i parë i nenit 73 të Kushtetutës, i cili mbron deputetët nga përgjegjësia që mund të lindë si pasojë e mendimeve të shprehura ose votave të tyre në ushtrim të funksionit, ka mbetur i pandryshuar nga ndryshimet kushtetuese të viteve 2012 dhe 2016.

      7. Tabela e mëposhtme tregon evoluimin e paprekshmërisë së deputetëve si rezultat i ndryshimeve kushtetuese të viteve 2012 dhe 2016.

      Neni 73 – Paprekshmëria e deputetëve sipas Kushtetutës të vitit 1998

      Neni 73 - Paprekshmëria e deputetëve pas ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 73 – Paprekshmëria e deputetëve pas ndryshimeve të vitit 2016

      2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.

       

       

      3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

       

      4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.

       

      2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

       

      3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

       

      4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

       

      2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

       

      3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

       

      4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

       

      8. Siç shihet nga kjo tabelë, rregullimi i nenit 73 në lidhje me paprekshmërinë e deputetëve (ose thënë ndryshe rregullimi i mbrojtjes së përkohshme që u jep atyre Kushtetuta nga procedimi penal) ka pësuar ndryshime të thella. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, prokuroria mund të regjistrojë një çështje penale kundër një deputeti, të kryejë lirisht hetime paraprake, duke përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit (përgjimin e komunikimit, vëzhgimin, etj.), të thërrasë dhe të marrë në pyetje deputetin pa asnjë autorizim nga Kuvendi (të gjitha këto ishin të pamundura sipas rregullimit origjinal të Kushtetutës së 1998-ës). Autorizimi nga Kuvendi është i nevojshëm vetëm kur kërkohet arrestimi i tij ose kontrolli i tij personal ose i banesës. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me mënyrën e vendimmarrjes nga ana e Kuvendit. Ndërsa rregullimi fillestar i Kushtetutës së 1998-ës parashikonte votimin e fshehtë si mënyrë për marrjen e vendimeve në rastet e kërkesave të prokurorisë për heqje të imunitetit të deputetit, amendamentet e vitit 2012 (të pandryshuara nga amendamentet e vitit 2016) detyrojnë Kuvendin që të vendosë me votim të hapur, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm për transparencën e procesit dhe përgjegjshmërinë e deputetëve. Amendamentet e vitit 2016 sollën edhe një tjetër ndryshim: shtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në listën e subjekteve (krahas Prokurorit të Përgjithshëm) që kanë detyrimin të njoftojnë Kuvendin për rastet e arrestimit në flagrancë të deputetëve.

      9. Tabela e mëposhtme tregon evoluimin e rregullimit të nenit 126 të Kushtetutës, i cili rregullon papërgjegjshmërinë e gjyqtarëve të GjK-së.

      Neni 126 – Papërgjegjshmëria e gjyqtarëve të GjK-së sipas Kushtetutës të vitit 1998

      Neni 126 - Papërgjegjshmëria e gjyqtarëve të GjK-së pas ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 137 - Papërgjegjshmëria e gjyqtarëve të GjK-së pas ndryshimeve të vitit 2016

      N/A

       

       

      Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.

       

       

      Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim.

       

      10. Siç shihet, Kushtetuta e vitit 1998 nuk ofronte kurrfarë mbrojtjeje të posaçme për gjyqtarët e GjK-së për sa u takon pasojave (akuza penale, padi civile etj.) që mund të vinin si rezultat i ushtrimit të funksioneve të tyre. Ky rregullim i munguar i Kushtetutës së 1998-ës mbarte rrezikun e cenimit të pavarësisë së tyre për shkak të mundësisë për t’u bërë personalisht përgjegjës për shkak të ushtrimit të funksioneve shtetërore. Amendamentet e vitit 2012 e korrigjuan këtë problem (shih tekstin në tabelën e mësipërme). Ndërsa, amendamentet e vitit 2016, të cilat synonin rritjen e llogaridhënies së të gjithë funksionarëve të sistemit të drejtësisë, shtuan klauzolën e vënë në dukje në tabelë, e cila mundëson përgjegjësinë personale të gjyqtarëve të GjK-së vetëm në ato rase kur vërtetohet se pasojat kanë ardhur si rezultat i mendimeve ose vendimeve të tyre, të cilat janë motivuar nga interesi vetjak i gjyqtarit ose keqbesimi i tij.

      11. Tabela e mëposhtme tregon evoluimin e paprekshmërisë së gjyqtarëve të GjK-së si rezultat i ndryshimeve kushtetuese të viteve 2012 dhe 2016.

      Neni 126 – Paprekshmëria e gjyqtarëve të GjK-së sipas Kushtetutës të vitit 1998

      Neni 126 - Paprekshmëria e gjyqtarëve të GjK-së pas ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 126 - Paprekshmëria e gjyqtarëve të GjK-së pas ndryshimeve të vitit 2016

      Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet apo arrestohet vetëm nëse kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

      Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet apo arrestohet vetëm nëse kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

      Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet apo arrestohet vetëm nëse kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

       

      12. Siç shihet, amendamentet e vitit 2012 e kufizuan ndjeshëm imunitetin e gjyqtarëve të GjK-së nga ndjekja penale (pra paprekshmërinë). Teksti i nënvizuar u shfuqizua, dhe si rrjedhim u hoq mbrojtja nga fillimi i hetimit penal / hetimi penal paraprak që u sigurohej më parë këtyre funksionarëve.

      13. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, prokuroria mund të regjistronte një çështje penale kundër një gjyqtari të GjK-së, të kryente lirisht hetime paraprake, duke përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit (përgjimin e komunikimit, vëzhgimin, etj.), të thërriste dhe të merrte në pyetje gjyqtarin e GjK-së pa asnjë autorizim nga GjK-ja (të gjitha këto ishin të pamundura sipas rregullimit origjinal të Kushtetutës së 1998-ës). Autorizimi nga GjK-ja ishte i nevojshëm vetëm kur kërkohej arrestimi i gjyqtarit ose kontrolli i tij personal apo i banesës. Ndërsa amendamentet e vitit 2016 shfuqizuan çdo formë të paprekshmërisë së gjyqtarëve të GjK-së nga procedimi penal.

      14. Tabela e mëposhtme tregon evoluimin e rregullimit të nenit 137 të Kushtetutës, i cili rregullon papërgjegjshmërinë e gjyqtarëve të tjerë. 

      Neni 137 – Papërgjegjshmëria e gjyqtarëve të tjerë sipas Kushtetutës të vitit 1998

      Neni 137 - Papërgjegjshmëria e gjyqtarëve të tjerë pas ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 137 - Papërgjegjshmëria e gjyqtarëve të tjerë pas ndryshimeve të vitit 2016

      N/A[2]

      1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.

       

      3. Gjyqtarët gëzojnë imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore.

      Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi.

       

      15. Siç shihet, Kushtetuta e vitit 1998 nuk ofronte kurrfarë mbrojtjeje të posaçme për gjyqtarët e tjerë sa u takon pasojave (akuza penale, padi civile etj.) që mund të vinin si rezultat i ushtrimit të funksioneve të tyre. Ky rregullim i munguar i Kushtetutës së 1998-ës mbartte rrezikun e cenimit të pavarësisë së tyre për shkak të mundësisë për t’u bërë personalisht përgjegjës për shkak të ushtrimit të funksioneve shtetërore. Amendamentet e vitit 2012 e korrigjuan këtë problem (shih tekstin në tabelën e mësipërme). Ndërsa, amendamentet e vitit 2016, të cilat synonin rritjen e llogaridhënies së të gjithë funksionarëve të sistemit të drejtësisë shtuan klauzolën, e cila mundëson përgjegjësinë personale të gjyqtarëve të tjerë vetëm në ato rase kur vërtetohet se pasojat kanë ardhur si rezultat i mendimeve ose vendimeve, të tyre të cilat janë motivuar nga interesi vetjak i gjyqtarit ose keqbesimi i tij.

      16. Tabela e mëposhtme tregon evoluimin e paprekshmërisë së gjyqtarëve të tjerë si rezultat i ndryshimeve kushtetuese të viteve 2012 dhe 2016.

      Neni 137 – Paprekshmëria e gjyqtarëve të tjerë para ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 137 - Paprekshmëria e gjyqtarëve të tjerë pas ndryshimeve të vitit 2012

      Neni 137 - Paprekshmëria e gjyqtarëve të tjerë pas ndryshimeve të vitit 2016

      1.Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me pëlqimin e Kuvendit.

       

      2.Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

       

      3.Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

       

      4. Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

      1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.

      2.Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

      3.Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

       

      4. Gjyqtari mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.

      1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.

      2.Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

      3.Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

       

      4. Gjyqtari mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.

       

      17. Siç shihet, amendamentet e vitit 2012 e kufizuan ndjeshëm imunitetin e gjyqtarëve nga ndjekja penale (pra paprekshmërinë). Teksti i nënvizuar u shfuqizua, dhe si rrjedhim u hoq mbrojtja nga fillimi i hetimit penal / hetimi penal paraprak që u sigurohej më parë këtyre funksionarëve.

      18. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, prokuroria mund të regjistronte një çështje penale kundër një gjyqtari, të kryente lirisht hetime paraprake, duke përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit (përgjimin e komunikimit, vëzhgimin, etj.), të thërriste dhe të merrte në pyetje gjyqtarin pa asnjë autorizim nga KLD-ja për gjyqtarët e zakonshëm dhe nga GjK-ja për gjyqtarët e GjL-së (të gjitha këto ishin të pamundura sipas rregullimit origjinal të Kushtetutës së 1998-ës). Autorizimi nga KLD-ja ose GjK-ja ishte i nevojshëm vetëm kur kërkohej arrestimi i gjyqtarit ose kontrolli i tij personal apo i banesës. Ndërsa amendamentet e vitit 2016 shfuqizuan çdo formë të paprekshmërisë së gjyqtarëve nga procedimi penal.

       

       

      [1] Ky kuptim i imunitetit rezulton nga koncepti i zhvilluar nga komiteti GRECO (Group of States Against Corruption) i Këshillit të Europës. Për më shumë shih GRECO (2005) 1E Final, Fifth General Activity Report of GRECO, Strasbourg, 18 March 2005. http://www.coe.int/t/dghl/monitoring/greco/documents/2005/Greco(2005)1_EN.pdf

      [2] Kushtetuta e vitit 1998 nuk ofronte kurrfarë mbrojtjeje të posaçme për gjyqtarët për sa u takon pasojave (akuza penale, padi civile etj.) që mund të vinin si rezultat i ushtrimit të funksioneve të tyre.

    • 19. Kushtetuta e vitit 1998 siguronte si papërgjegjshmërinë, ashtu edhe paprekshmërinë për një rang të gjerë zyrtarësh publikë – Presidentin e Republikës, anëtarët e parlamentit, anëtarët e kabinetit qeveritar, gjykatësit e GjK-së, gjykatësit e thjeshtë të të gjitha niveleve, Avokatin e Popullit dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pacenueshmëria i përfshinte të gjitha aspektet/fazat e procedimit penal, duke përfshirë fillimin e hetimit penal, arrestimin, ndalimin, si edhe kontrollin e personit dhe të banesës.

      20. Pas kritikave të shumta nga aktorët ndërkombëtarë dhe vendas, sidomos të KV-së, Projektit kundër Korrupsionit në Shqipëri (PACA) dhe EURALIUS III, si dhe domosdoshmërisë absolute për të adresuar korrupsionin e nivelit të lartë në vend, ndryshimet e Kushtetutës të vitit 2012 ngushtuan paprekshmërinë e zyrtarëve publikë, duke hequr mbrojtjen e zyrtarëve të listuar më sipër nga hetimet paraprake penale (ose fillimin e procedurës penale) [1]. Lista e zyrtarëve të mbrojtur nuk u ndryshua, pavarësisht propozimeve për heqjen e imunitetit për Avokatin e Popullit, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe anëtarët e kabinetit qeveritar (vetëm nëse ata janë deputetë njëkohësisht).

      21. Në shtator të vitit 2012 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën, duke kufizuar ndjeshëm imunitetin (mbrojtjen) e funksionarëve të lartë të shtetit nga ndjekja penale. Objektivi i reformës të vitit 2012 ishte dykrahësh:

      - Të reduktonte numrin e zyrtarëve që mbroheshin me imunitet.

      - Të reduktonte shkallën e mbrojtjes që u sigurohej këtyre zyrtarëve.

      22. Në fund të këtij procesi, vetëm objektivi i dytë arriti të plotësohej, madje edhe ai jo plotësisht. Ndryshimet preken nenet 73 (Imuniteti i deputetëve), 126 (Imuniteti i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (Imuniteti i gjyqtarëve të tjerë).

      23. Implikimi praktik i ndryshimeve të 2012-ës është se prokuroria tani mund të regjistrojë një çështje penale që përfshin një zyrtar me imunitet, të kryejë lirisht hetime paraprake, duke përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit (përgjimin e komunikimit, vëzhgimin, etj.), të thërrasë dhe të marrë në pyetje zyrtarin me imunitet pa asnjë autorizim nga organet kompetente (të Kuvendit për deputetët dhe ministrat, të GjK-së për gjyqtarët e GjK-së, GjL-së, Avokatin e Popullit dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe të KLD-së për gjyqtarët e tjerë).

      24. Format e tjera të paprekshmërisë (mbrojtja nga arrestimi, ndalimi, kontrolli personal dhe i banesës) mbetën, ndonëse ndalimet ndaj arrestimit dhe paraburgimit mund të jenë anashkaluar përkohësisht nga zbatimi i ligjit për rastet e flagrancë delicto (kur zyrtari i imunitetit është kapur gjatë ose menjëherë pas kryerjes e një krimi).

       

      [1] Të tjera ndryshime më të vogla përfshinin zgjerimin e aplikimit të klauzolës në flagrancë (flagrante delicto) (mundësisë për të arrestuar/ndaluar një zyrtar me imunitet nëse kapej gjatë ose menjëherë pas kryerjes së një krimi) duke iu referuar çdo lloji krimi përveç krimeve të rënda, si dhe detyrimit të Kuvendit për të vendosur mbi kërkesën e prokurorisë për autorizimin për të proceduar me votim të hapur.

    • Asnjë koment
  • 25. Ka dy standarde që dalin nga rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshilli i Europës,[1] që shprehet se interpretimi i ligjit, vlerësimi i fakteve ose peshimi i provave që bëhet nga gjyqtari në çështje të caktuara nuk duhet të bëhet shkak për përgjegjësi penale, përveç rasteve të keqbesimit. Gjyqtari kur nuk ushtron funksionin gjyqësor mund të përgjigjet civilisht, penalisht dhe administrativisht si çdo shtetas tjetër.

    26. Gjithashtu, në rezolutën e tij mbi 20 parimet bazë për të luftuar korrupsionin, Komiteti i Ministrave nguli këmbë në arritjen e objektivit që të kufizojë imunitetin nga hetimi, ndjekja penale ose gjykimi i rasteve të korrupsionit në atë shkallë që është e nevojshme në një shoqëri demokratike (parimi 6).

    27. Më tej, në opinionin e tij, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Europianë i Këshillit të Europës (CCJE) përkrahu rregullin që gjyqtarët të cilët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre kryejnë veprime të cilat mund të konsiderohet si vepra penale (p.sh. pranojnë ryshfet), nuk mund të pretendojnë imunitet nga procesi penal.[2]

    28. Parimet e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi Pavarësinë e Gjyqësorit parashikojnë se pavarësisht procedurave disiplinore ose së drejtës për t’u ankuar me qëllim kompensimin nga shteti për shkak të pasojave negative sipas legjislacionit vendas, gjyqtarët duhet të gëzojnë imunitet nga paditë civile për kompensim financiar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.[3]

     

     

    [1] CM/Rec (2010)12, § 68, 71.

    [2] Shih Opinionin Nr.3 te CCJE, §52.

    [3] Shih Parimet Bazë të Pavarësisë së Gjyqësorit të Kombeve të Bashkuara, miratuar në Kongresin e 7-të të Kombeve të Bashkuara “Mbi parandalimin e krimit dhe të trajtimit të autorëve të tij”, 26 gusht-6 shtator 1985 dhe të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën nr.40/32, 29 nëntor 1985. 

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Gent Ibrahimi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi