Kur është e nevojshme të kryhet një veprim procedural gjyqësor jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, për sqarimin e rrethanave, konstatimin e fakteve, dërgimin e një dokumenti apo për arsye të tjera që gjykata e quan të nevojshme për sqarimin e çështjes në gjykim, gjykata nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë i kërkon ndihmën juridike përkatëse organit kompetent të shtetit tjetër.
Kur veprimi procedural juridik mund të kryhet nga përfaqësia diplomatike ose konsullore e Republikës së Shqipërisë, kërkesa i drejtohet kësaj të fundit.
Kërkesa e sipërme duhet të përcaktojë çështjet për të cilat kërkohet ndihma juridike dhe të përmbajë të dhënat e nevojshme për plotësimin e ndihmës juridike.
Kur midis dy shteteve ka marrëveshje për dhënien e ndërsjellë të ndihmës juridike, zbatohen dispozitat e kësaj marrëveshjeje.