Gjykata e arbitrazhit quhet e formuar rregullisht kur arbitri ose arbitrat janë emëruar në përputhje me dispozitat e këtij kreu dhe ata kanë pranuar me shkrim misionin që u është besuar.
Personi që i propozohet detyra e arbitrit duhet, menjëherë pas emërimit të tij, t’u parashtrojë palëve të gjitha rrethanat të cilat mund të ngjallin dyshime për paanësinë dhe pavarësinë e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ai mund të mos pranohet si arbitër kur dyshimet e sipërpërmendura janë të drejta e të bazuara, si dhe kur nuk i plotëson kushtet për të cilat kanë rënë dakord palët.
Pala që ka emëruar një arbitër, mund ta përjashtojë atë vetëm për shkaqe që bëhen të njohura pas emërimit të tij.