Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, i cili:
a) për rastet e parashikuara nga shkronja “a” dhe “b”, të nenit 510, të këtij Kodi, lëshohet nga gjykata që ka dhënë vendimin në dispozitivin e vendimit;
b) për vendimet e gjykatave të shteteve të huaja e të gjykatave të arbitrazhit të huaj, që u është dhënë fuqi në zbatimin të dispozitave të këtij Kodi, urdhri i ekzekutimit lëshohet nga gjykata që bën njohjen e vendimit, në dispozitivin e vendimit.
Nuk lëshohet urdhër ekzekutimi për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, vendimet për marrjen e detyrueshme të provës, vendimin në pjesën që urdhëron shpenzimet gjyqësore, si dhe vendimet civile të gjykatës, të dhëna për ekzekutim të përkohshëm, të cilat ekzekutohen drejtpërdrejt nga shërbimi përmbarimor, pas njoftimit të vendimit.
Shqyrtimi i kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit zhvillohet nga gjyqtari pa praninë e palëve.
Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit, bazuar mbi dokumentet e depozituara nga kërkuesi.
Urdhri i ekzekutimit përmban:
a) gjenealitetet e debitorit dhe kreditorit;
b) origjinën e detyrimit;
c) detyrimin konkret që buron nga titulli ekzekutiv deri në momentin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit;
d) kur titulli ekzekutiv, për të cilin lëshohet urdhri i ekzekutimit, është akt për dhënie kredie bankare ose detyrime monetare, Gjykata duhet të parashikojë kamatat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare.