KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8491
Neni 72: Rastet për përjashtimin e gjyqtarit
Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështje konkrete kur:
ka interes në çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me atë në gjykim;
ai vetë ose bashkëshortja e tij është i afërt deri në shkallë të katërt apo krushqi deri në shkallë të dytë ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga mbrojtësit;
ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve, ose njërin prej përfaqësuesve;
ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim apo ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të procesit, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë;
është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një ent, shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër që ka interesa për çështjen në gjykim;
në çdo rast tjetër kur vërtetohen, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie. Kërkesa për heqjen dorë i paraqitet kryetarit të gjykatës përkatëse i cili vendos. Për deklarimin e heqjes dorë të kryetarit të gjykatës së shkallës së parë vendos kryetari i gjykatës së apelit dhe për kërkesën e këtij të fundit vendos kryetari i Gjykatës së Lartë.