Punonjësi i gjykatës merr pjesë në seancë gjyqësore dhe merr masa për zbatimin e urdhrave, ndjek procedurën e njoftimit të akteve dhe kryen detyra të tjera që lidhen me procesin gjyqësor.
Punonjësi i gjykatës është përgjegjës për kryerjen e rregullt të njoftimeve. Ai merr masa për realizimin e kërkimeve të nevojshme në lidhje me adresën e personit që i drejtohet njoftimi, në regjistrat publikë, në organet e administratës shtetërore, në familje dhe tek të afërmit, në vendqëndrimin ose vendbanimin e fundit të personit që i drejtohet njoftimi, ose nëpërmjet burimeve të tjera të mundshme.
Kërkesat e punonjësit të gjykatës janë të detyrueshme për subjektet, të cilave u drejtohen. Këta të fundit duhet të kthejnë përgjigje brenda afateve të caktuara në kërkesë. Për këto veprime, punonjësi i gjykatës harton një raport, të cilin ia paraqet gjykatës.