Si përfaqësues të palëve me prokurë mund të jenë:
a) avokatët;
b) bashkëshortët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat;
c) juristët dhe punonjësit e tjerë të autorizuar të institucioneve shtetërore ose të personave juridikë;
ç) personat që lejohen nga gjykata për të qenë përfaqësues në një çështje;
d) personat e tjerë që parashikohen me ligj se mund të jenë përfaqësues të palëve.
Nuk mund të jenë përfaqësues të palëve:
a) personat që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç;
b) personat që u është hequr zotësia për të vepruar;
c) avokatët të cilëve u është pezulluar ushtrimi i profesionit për aq kohë sa zgjat kjo masë;
ç) gjyqtarët dhe prokurorët.
Prokura mund të jetë e përgjithshme ose e posaçme. Ajo bëhet me shkrim sipas dispozitave të Kodit Civil, si dhe me gojë përpara gjykatës që shqyrton mosmarrëveshjen.