1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese thërret dhe drejton seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Kryetari është në pamundësi për të marrë pjesë në gjykim, ai cakton gjyqtarin më të vjetër në detyrë për të kryesuar seancën.
2. Kryesuesi i seancës plenare ushtron këto detyra:
a) merr masa për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të çështjes;
b) orienton diskutimet mes palëve dhe shmang çdo debat të panevojshëm për çështjen;
c) ndërpret palët pjesëmarrëse kur diskutimi i tyre nuk ka lidhje me çështjen ose nuk përfshihet në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese;
ç) u heq të drejtën e fjalës palëve nëse diskutimi i tyre është arbitrar, fyes dhe në kundërshtim me rregullat e etikës dhe moralit.
3. Kryesuesi i seancës mund të urdhërojë largimin e personave nga salla kur pjesëmarrësit në gjykim nuk zbatojnë urdhërimet e kryesuesit të seancës, si dhe kur nuk tregojnë respekt për trupin gjykues dhe Kushtetutën.
4. Seanca, si rregull, zhvillohet pa ndërprerje. Në raste të veçanta, kryesuesi i seancës, pas marrjes së mendimit të anëtarëve të trupit gjykues, mund të ndërpresë seancën kur është e nevojshme.