1Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka statusin e magjistratit, sipas dispozitave të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj.
2Anëtari i Këshillit gëzon pagën dhe përfitimet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
3Anëtari prokuror i Këshillit nuk i nënshtrohet vlerësimit etik dhe profesional të veprimtarisë gjatë kohës së shërbimit si anëtar. Performanca gjatë kohës së shërbimit si anëtar i Këshillit merret në konsideratë në rast të transferimit ose promovimit, sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
4Anëtari prokuror, në përfundim të mandatit, kthehet në vendin e mëparshëm të punës. Mandati i prokurorit të posaçëm pezullohet gjatë kohës që ushtron funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Anëtari prokuror i Këshillit nuk mund të transferohet, të ngrihet në detyrë ose të delegohet gjatë 3 viteve pas përfundimit të mandatit.
5Anëtari joprokuror, që përpara emërimit punonte me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose, në pamundësi, në një detyrë të barasvlershme me të.