1Për mbikëqyrjen e administrimit të pasurive të konfiskuara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe për dhënien e rekomandimeve për destinacionin e pasurive të konfiskuara ngrihet dhe funksionon Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar. Ky komitet mblidhet pranë Ministrisë së Financave.
2Komiteti përbëhet nga tetë anëtarë, të propozuar respektivisht nga Ministri i Financave, Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, ministri që mbulon çështjet e rendit publik, ministri që mbulon çështjet sociale, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Njësia e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë. Anëtari i propozuar nga Ministri i Financave është kryetar i komitetit.
3Në veprimtaritë e komitetit mund të ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve publike ose organizatave të tjera, vendase a të huaja, veprimtarë në fusha me interes për zbatimin e këtij ligji.
4Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara i raporton, të paktën një herë në tre muaj, komitetit për veprimtarinë e saj.
5Komiteti, bazuar në prioritetet e përcaktuara në nenin 37 të këtij ligji, jep rekomandime që i drejtohen Ministrisë së Financave për disponimin efektiv të të ardhurave brenda Buxhetit të Shtetit, përfshirë edhe rekomandimin për pagimin e shpenzimeve operative të agjencisë.
6Komiteti, të paktën një herë në gjashtë muaj, u kërkon informacion me shkrim institucioneve qendrore, që i kanë në administrim, si dhe të dhëna të hollësishme për gjendjen dhe mënyrën e përdorimit të pasurisë së paluajtshme njësive vendore, që i kanë në pronësi pasuritë e paluajtshme të konfiskuara.
7Komiteti mblidhet, së paku, një herë në 3 muaj. Komiteti miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të tij.