PËR NDIHMËN JURIDIKE TË GARANTUAR NGA SHTETI   |   111 / 2017

Neni 3: Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Ndihmë juridike” është shërbimi juridik falas dhe shërbimet e tjera të parashikuara në këtë ligj, për personat që përmbushin kriteret e këtij ligji, të cilat garantohen dhe financohen nga shteti.

b) “Ndihmë juridike parësore” është:

i) dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;

ii) dhënia e këshillimit;

iii) dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve;

iv) dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore;

v) përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe

vi) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.

c) “Ndihmë juridike dytësore” është shërbimi juridik që ofrohet për përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal.

ç) “Këshillim” është dhënia e informacionit mbi mënyrat dhe mundësitë e zgjidhjes së një çështjeje konkrete juridike. 

d) “Qendër shërbimi e ndihmës juridike parësore” është një njësi e specializuar për dhënien e ndihmës juridike parësore, e organizuar si “njësi e drejtpërdrejtë e ofrimit të shërbimeve”, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

dh) “Punonjës me trajnim të posaçëm” është punonjësi, i diplomuar nga një program i ciklit të dytë të studimeve në drejtësi, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që i është nënshtruar një trajnimi të posaçëm, i cili ofron ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore.

e) “Trajnim i posaçëm” është programi i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, i miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, për punonjësit  që ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore. 

ë) “Klinikë ligjore” është njësi përbërëse e një institucioni të arsimit të lartë, e organizuar dhe që funksionon sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që ofron ndihmë juridike parësore pa qëllim fitimi, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë. 

f) “Të ardhura”, në kuptim të këtij ligji, janë të ardhurat mujore që sigurohen nga pagat, veprimtaria ekonomike, interesat e depozitave bankare, të ardhurat nga pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Në këto të ardhura nuk përfshihet ndihma ekonomike, pensioni social, pagesat e papunësisë, përfitimet e invalidëve, sipas statusit të invalidit të punës ose të luftës, pagesat që marrin pjesëtarët e familjes që kujdesen për personin me aftësi të kufizuara, rimbursimi i shpenzimeve për energji, rimbursimet për ilaçe e mjekime për të sëmurët kronikë dhe paketa higjieno-shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara.

g) “Familje”, në kuptim të këtij ligji, është një grup individësh, që lidhen në marrëdhënie bashkëshortore ose bashkëjetese, si dhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes dhe ato të kujdestarisë, që jetojnë në të njëjtën strehë dhe që kontribuojnë bashkërisht, financiarisht ose në mënyra të tjera për përballimin e kostos së jetesës.

gj) “Pasuri”, në kuptim të këtij ligji, është pasuria e çdo lloji, e luajtshme ose e paluajtshme, si dhe të drejtat reale pasurore. Pasuria e paluajtshme e përdorur nga pronari ose bashkëpronari si banesë e tij parësore për jetesën familjare dhe sendet e përjashtuara nga sekuestrimi, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile, nuk konsiderohen pasuri, sipas kuptimit të këtij ligji.

h) “Përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore” është një formë e ndihmës juridike falas për përjashtimin nga pagesa e tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, me vendim të gjykatës kompetente, nëse plotësohen kriteret e vendosura nga ky ligj.

i) “Tarifa gjyqësore” është tarifa, sipas kuptimit të dhënë nga legjislacioni në fuqi për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.

j) “Shpenzimet gjyqësore” janë shpenzimet e kryera në kuadër të procesit gjyqësor, të nevojshme për gjykimin, sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin procedural, përveç tarifës gjyqësore.

k) “Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit” është tarifa që i parapaguhet shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror, për vënien në ekzekutim të një titulli ekzekutiv, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Përmbajtja

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment