PËR NDIHMËN JURIDIKE TË GARANTUAR NGA SHTETI | 111 / 2017
Neni 32: Rimbursimi në rastin e dhënies së informacioneve të rreme ose të pavërteta
Kërkuesi që ka përfituar ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtim nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, duke paraqitur të dhëna të pavërteta ose të pasakta, është i detyruar të rimbursojë shpenzimet për avokatin që ka dhënë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe/ose shpenzimet gjyqësore. Pavarësisht nga rimbursimi i këtyre shpenzimeve, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bën kallëzim penal, kur konstaton se ka elemente të veprës penale.
Në rast se kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtim nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, që përmban informacione të rreme ose të pavërteta, është dorëzuar nga një person tjetër i ndryshëm nga personi të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, dorëzuesi dhe përfituesi janë solidarisht përgjegjës për rimbursimin e shpenzimeve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.
Rimbursimi i shpenzimeve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, bëhet sipas kërkesës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Në rast të mosekzekutimit vullnetar, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas paraqet kërkesëpadi në gjykatë, duke kërkuar kthimin e shumës në përputhje me legjislacionin në fuqi.