1Kur vendbanimi ose qëndrimi i të pandehurit jashtë shtetit është i njohur, autoriteti procedues i dërgon atij letër rekomande me lajmërim marrje, me të cilën e njofton për veprën penale që akuzohet dhe i kërkon të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin shqiptar. Në qoftë se pas tri ditëve nga marrja e letrës rekomande nuk bëhet deklarimi ose zgjedhja e banesës ose kur kjo nuk lajmërohet, njoftimi bëhet nëpërmjet dorëzimit te mbrojtësi.
2Kur i pandehuri njoftohet sipas paragrafit 1, ai ftohet të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin shqiptar. Njoftimi i kryer në adresën e deklaruar quhet i realizuar.
3Kur del se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vepruar sipas paragrafit 1, autoriteti procedues, para se të nxjerrë vendimin e mosgjetjes, urdhëron të bëhen kërkime edhe jashtë territorit të shtetit sipas rregullave të caktuara në marrëveshjet ndërkombëtare.