1Caktimi i ekspertit bëhet duke e zgjedhur atë ndërmjet personave që janë regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë njohuri të posaçme në degën përkatëse. Kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm ose duhet të bëhet ekspertim i ri, organi procedues merr masa, kur është e mundshme, që detyra e re t’i besohet një eksperti tjetër.
2Vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë pjesë vetë në ekspertim, kur është e mundur, dhe të parashtrojë pyetje për ekspertin.
3Kur kërkimet dhe vlerësimet paraqiten shumë komplekse ose kërkojnë njohuri të ndryshme në disa degë, organi procedues ua ngarkon kryerjen e ekspertimit disa ekspertëve. Në raste të veçanta, kur ekspertimi nuk mund të kryhet nga lista e ekspertëve të regjistruar pranë gjykatës, organi procedues, pasi merr paraprakisht mendimin e palëve, cakton ekspertë të tjerë, vendas ose të huaj, jashtë kësaj liste.
4Eksperti është i detyruar të kryejë detyrën e tij, me përjashtim të rasteve kur ekziston një nga shkaqet që e përjashtojnë atë nga qenia ekspert ose kur pretendon se nuk është kompetent ose nuk ka mundësi të kryejë ekspertimin dhe kërkesa e tij pranohet nga organi procedues.