KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 195: Dokumentet false

1Gjykata, kur çmon se një dokument i marrë është fals, pas përfundimit të procedimit njofton prokurorin duke i dërguar edhe dokumentin.

Përmbajtja

    • Qëllimi i nenit 195 të Kodit të Procedurës Penale është i dyfishtë, pasi nga njëra anë synon në realizimin e një procesi të drejtë të çmuarjes dhe vlerësimit të provave nga ana e gjykatës gjatë fazës së marrjes së vendimit përfundimtar, si pjesë e së drejtës së pandehurit për një proces të rregullt ligjor dhe nga ana tjetër synon njoftimin e prokurorit, si i vetmi subjekt procedural i pajisur nga Kushtetuta me tagrin e ushtrimit të ndjekjes penale dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të autorit të veprës penale (këtu konstatohet pozicioni procedural i gjykatës si subjekt që njofton veprat penale, në kuptim të nenit 281 të K.Pr.Penale, marrja dijeni për të cilat vjen ex officio, për shkak të funksionit të saj kushtetues) .

       

    • Neni 195 i Kodit të Procedurës Penale ka përcaktuar situatën procedurale, në të cilën gjykata, pas çmuarjes së provave të marra në shqyrtim gjatë procesit gjyqësor, sipas kritereve të përcaktuara në nenet 151 dhe 152 të K.Pr.Penale (procesi i cili realizohet përpara marrjes së vendimit përfundimtar), konkludon se dokumenti i paraqitur nga palët si provë në gjykim, është i falsifikuar, në përfundim të procesit gjyqësor vendos njoftimin e prokurorit, duke i dërguar edhe dokumentin e çmuar si të falsifikuar.

       

      Nga interpretimi literal i dispozitës arrihet në përfundimin se, dokumenti i çmuar si i falsifikuar nga gjykata në përfundim të procedimit, i referohet dokumentit (qoftë edhe dokumentit kompjuterik), si njëri prej llojeve të provave të përdorura nga palët gjatë procesit gjyqësor.

       

      Megjithatë, nga interpretimi sistematik i nenit 195 me nenet 192 dhe 193 të K.Pr.Penale, arrihet në konkluzionin logjik se, edhe dokumentat e tjerë, të cilët nuk përbëjnë provë në kuptimin procedural, por lidhen me personalitetin e të pandehurit ose viktimës dhe të cilat mund të përdoren gjatë një procesi gjyqësor penal, nuk mund të mbeten jashtë sferës së veprimit të nenit 195 të K.Pr.Penale, në kuptimin që, edhe këto dokumente nënshtrohen procesit të çmuarjes nga gjykata (çmuarje jo në kuptimin klasik në lidhje me objektin e të provuarit), e cila nëse në përfundim të procesit vlerëson për falsitetin e tyre, njofton prokurorin duke i vënë në dispozicion edhe dokumentin përkatës.

       

      Kjo për faktin se, objekti material i veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal mund të jetë çdo dokument, pavarësisht faktit nëse mund të ketë cilësinë procedurale të provës (njoftim mbi faktet dhe rrethanat që kanë lidhje me veprën penale), apo mund të shërbejë për të provuar rrethana në lidhje me personalitetin e të pandehurit ose viktimës.

    • Raporti me parashikimet e neneve 32/c, 275 dhe 280 të K.Pr.Civile.

      Duke patur në konsideratë dallimin themelor midis procesit gjyqësor penal nga procesi gjyqësor civil, ky i pari shtrihet ndaj personit të akuzuar (i pandehur), duke e lidhur faktin penal objekt akuze (veprimin e kundraligjshëm) me personin konkret, ndërsa i dyti shtrihet ndaj fakteve juridike, të cilat kanë krijuar, ndryshuar apo shuar një marrëdhënie juridike në konflikt midis palëve ndërgjyqëse, është e kuptueshme se, falsiteti i konstatuar (i çmuar) në procesin penal (pavarësisht se ndodhemi përpara nenit 195 ose nenit 391 të K.Pr.Penale) ndryshon nga falsiteti apo pavërtetësia e dokumentit të konstatuar në gjykimin civil.

      Konkretisht, në nenin 280 të K.Pr.Civile, ligjvënësi ka bërë diferencën midis konceptit të pavërtetësisë së dokumentit, i cili mund të kërkohet me padi themeli, sipas nenit 32/c të K.Pr.Civile, ose mund të provohet në mënyrë incidentale gjatë gjykimit civil, nga koncepti i falsitetit të dokumentit në kuptimin penal, në të cilin pasqyrohen fakte apo rrethana të rreme, përmes ndërhyrjes materiale në dokument, apo të cilat nuk përputhen me realitetin.

      Njëkohësisht, në dallim nga rregullimi i bërë në nenin 280 të K.Pr.Civile, ku vërtetësia ose falsiteti i një dokumenti mund të konstatohen ose gjatë gjykimit, ose gjatë marrjes së vendimit përfundimtar, duke u vendosur përkatësisht përjashtimi i dokumentit nga rrethi i provave, ose dërgimi i tij pranë Prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale, në nenin 195 të K.Pr.Penale, ligjvënësi nuk e ka bërë këtë dallim, duke sjellë konkluzionin se, falsiteti i një dokumenti (në kuptimin e provës ose të një dokumenti në lidhje me personalitetin e të pandehurit apo viktimës) dhe dërgimi i tij pranë Prokurorit, realizohen vetëm me vendimin përfundimtar të gjykatës (përkatësisht gjykatës së shkallës së parë ose gjykatës së apelit, të cilat janë gjykata fakti).

       Momenti procedural i çmuarjes së falsitetit të dokumentit nga gjykata.

      Në lidhje me momentin procedural të çmuarjes së falsitetit nga gjykata dhe njoftimit të prokurorit, nga formulimi leksikor i dispozitës (dhe në veçanti të shprehjes “në përfundim të procedimit”), arrihet në përfundimin se, parimisht, ajo realizohet vetëm në përfundim të gjykimit në themel të akuzës së ngritur ndaj të pandehurit, duke përjashtuar seancën e caktimit të masës së sigurimit ( ku gjykata bën vetëm një vlerësim brenda kufijve të dyshimit të arsyeshëm se personi i arrestuar apo i ndaluar mund t’a ketë kryer veprën penale), apo seancën paraprake (gjykata bën vetëm një vlerësim të mjaftueshmërisë së provave për dërgimin e çështjes në gjyq), në të cilat gjykata nuk çmon prova në drejtim të provueshmërisë së akuzës “tej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

       

      • Detyrimi procedural i gjykatës për njoftimin e prokurorit.

      Është e kuptueshme se, pasi gjykata ka çmuar për falsitetin e një dokumenti, ajo është e detyruar për të realizuar njoftimin e prokurorit, detyrim i cili buron nga nenet 280 dhe 281 të K.Pr.Penale, duke garantuar kështu respektimin e tagrit kushtetues të Prokurorit, si i vetmi subjekt që ushtron ndjekjen penale në Republikën e Shqipërisë.

       Çmuarja e falsitetit të dokumentit nga gjykata, si dhe detyrimi i saj që, përpara marrjes së vendimit përfundimtar, t’ia prezantojë palëve dhe t’i ftojë të paraqesin kundërshtimet përkatëse, si pjesë e së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor. Ndikimi i dokumentit të çmuar si i falsifikuar nga gjykata, në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit në procesin penal.

      Në parim, falsiteti i një dokumenti mund të ngrihet gjatë gjykimit penal, ose me kërkesë të palëve, ose edhe kryesisht nga gjykata, por duke qenë se, ky dokument që eventualisht mund të çmohet nga gjykata si i falsifikuar, përfaqëson njërin prej provave të paraqitura nga palët në procesin penal, vlerësimi i të cilit në harmoni me provat e tjera, mund të sjellë pasoja në drejtim të fajësisë ose të pafajësisë së pandehurit, atëherë është e kuptueshme që, gjykata duhet të jetë e kujdesshme t’ia nënshtrojë dyshimin mbi falsitetin e tij, debatit gjyqësor midis palëve, sipas parimit të kontradiktoritetit, me qëllim garantimin e së drejtës së pandehurit për t’u njohur me provat, për t’u mbrojtur efektivisht, si dhe për garantimin e parimit kushtetues se askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e provave të mbledhura në kundërshtim me ligjin (neni 32/2 i Kushtetutës).[1]

       Raporti midis nenit 195 me nenin 391 të K.Pr.Penale.

      Në substancë, neni 195 i K.Pr.Penale, lidhet me çmuarjen e falsitetit të dokumentit të përdorur si provë në procesin penal, proces i cili mund të realizohet ose me kërkesë të palëve, ose në mënyrë incidentale nga gjykata (ex officio), në dallim nga neni 391 i K.Pr.Penale, i cili rregullon situatën procedurale, në të cilën gjykata, në vendimin përfundimtar disponon për falsitetin e një dokumenti që ka qenë objekt i veprës penale në ngarkim të pandehurit, në kuptimin që ai ka shërbyer ose si mjet, ose si përfitim nga vepra penale (dokument, në kuptimin e provës materiale).

       

      [1] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.7, datë27.04.2005

      Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.1, datë 12.01.2007

      Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.14, datë 17.04.2007

       

    • Neni 195 i K.Pr.Penale, miratuar me Ligjin Nr.7905, datë 21.3.1995, nuk rezulton të ketë pësuar asnjëherë ndryshime legjislative, për pasojë teksti i dispozitës është i njëjtë që nga momenti i miratimit të Kodit të Procedurës Penale.

    • Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (dhe Protokollet shtesë), nënshkruar në Romë 1950, hyrë në fuqi 1953;(neni 6/1).

       

  • Neni 537 i K.Pr.Penale Italiane është analog me nenin 391 tëK.Pr.Penale Shqiptar, me disa shtesa të vogla të cilat gjithsesi nuk e ndryshojnë thelbin e tij, përveçse bëjnë një rregullim më të plotë të çështjes.[1] Ndërsa neni 241 i K.Pr.Italiane është identik me nenin 195 të K.Pr.Penale.[2] Seksioni VI i Gjykatës së Kasacionit Itali, në Vendimin e datës 08.05.1997, ndër të tjera ka arritur në përfundimin se:“Nga shqyrtimi i lidhur i dispozitave të parashikuara nga nenet 241 dhe 425 të KPP, buron prania në rendin procesual tëparimit qëmi dikton gjyqtarit deklarimin e falsitetit të akteve ose dokumenteve, kur kjo provohet nga aktet, edhe në vijim të një vendimi pushimi të marrë në seancën paraprake. Kjo sepse nuk mund të hipotezohet që një vendim i mundshëm pushimi për shuarje të veprës penale, i zhvesh nga sanksioni ato akte apo dokumente, falsiteti i të cilave rezulton nga vërtetimi i faktit kriminal objekt i këtij vendimi.”

     

    A.    Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

     

    B.     Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    (i).Çështja Vindisch kundër Austrisë, 27.09.1990.

    (ii). Çështja Schenk kundër Zvicrës, 12.07.1988.

     

     

    [1] Mirela Cano, Shkolla e Magjistratrës 2007, “Dokumenti si provë në procesin penale”, faqe Nr.59, Neni 537 i K.Pr.P. italiane - “Falsiteti i një akti ose dokumenti të vërtetuar me vendimin e dënimit, deklarohet në dispozitiv. Në të njëjtin dispozitiv urdhërohet sipas rastit, fshirja e plotë ose e pjesshme, rivënia në fuqi, përsëritja ose ndryshimi i aktit apo dokumentit, duke caktuar edhe mënyrën se si duhet bërë. Fshirja, rivënia në fuqi, përsëritja ose ndryshimi nuk urdhërohet kur cenohen interesat e të tretëve, që nuk kanë marrë pjesë në proces. Deklarimi i falsitetit është i kundërshtueshëm edhe në mënyrë të pavarur me mjetet e ankimit. Dispozitat e mësipërme zbatohen edhe në rast të një vendimi pushimi.” (analog me nenin 391 të kodit tonë)

    [2] Neni 241 i K.Pr.P. italiane - “Jashtë rasteve të parashikuara nga neni 537, gjyqtari në rast se mendon se dokumenti i marrë gjatë procesit është fals në përfundim të tij informon prokurorin duke i dërguar dhe kopjen e dokumentit.” (analog me nenin 195 të Kodit tonë)

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 32/2, 42, 135).

    Kodi i Procedurës Civile (nenet 275 dhe 280).

    Kodi i Procedurës Penale (lidhja me nenin 391).

     

  • A.    Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.7, datë27.04.2005

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.1, datë 12.01.2007

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.14, datë 17.04.2007

     

  • Asnjë koment
  •  “Il Codice di Procedura Penale spiegato con esempi pratici, dottrina, giurisprudenza, schemi, tabelle e appendice normative”, Quarto Edizione a cura di L.Tramontano, Casa Editrice La Tribuna 2006, fq. 470

    1. Latanzi E. Lupo “Codice di Procedura penale rassegna di giurisprudenza e di dottrina”, Atti e Prove, Libri II, III, Giuffre Editore 1997, fq. 703.

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, “Procedura Penale”, Tiranë 2012;

    Mirela Cano, Shkolla e Magjistraturës, 2007, “Dokumenti mjet prove në procesin penal”, faqe Nr.59,

    Vendimi Nr.4086, datë 08.05.1997 i Gjykatës së Kasacionit Itali (Seksioni VI).

  • Asnjë koment
Laurent Fucia
Laurent Fucia