KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 64: Heqja dorë nga gjykimi i padisë civile

1Heqja dorë nga gjykimi i padisë civile mund të bëhet në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit me një deklaratë të bërë personalisht nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij në seancë ose me akt të shkruar e të depozituar në sekretarinë e gjykatës dhe të njoftuar palëve të tjera.

2Në qoftë se paditësi civil nuk paraqet konkluzionet në diskutimin përfundimtar ose kur ngre padi përpara gjykatës civile, quhet se ka hequr dorë nga gjykimi i padisë civile.

3Kur hiqet dorë nga gjykimi i padisë sipas paragrafëve 1 dhe 2, gjykata penale nuk mund të njohë shpenzimet dhe dëmet e shkaktuara të pandehurit dhe të paditurit nga ndërhyrja e paditësit civil. Padia për kërkimin e tyre mund të ngrihet para gjykatës civile.

4Heqja dorë nuk pengon ngritjen e padisë në gjykatën civile.

Përmbajtja

      1. Padia civile në procesin penal është mjeti procedural nëpërmjet të cilitligji u ka dhënë mundësinë personave të dëmtuar nga kryerja e një vepre penale për të kërkuar shpërblimin e dëmit apo kthimin e pasurisë. Si rregull gjykimi i padisë civile realizohet njëkohësisht me gjykimin e çështjes penale, megjithatë padia civile mbetet aksesore në procesin penal dhe për këtë arsye në nenin 64 të Kodit të Procedurës Penale është parashikuar heqja dorë nga gjykimi i padisë civile duke synuar në këtë mënyrë lehtësimin e procesit penal dhe shmangien e zvarritjes së tij. Ky qëllim rezulton akoma më i qartë në rastet e heqjes dorë në mënyrë të nënkuptuar nga padia civile dhe konkretisht në rastet kur ligji u atribuon pasoja të caktuara veprimit (p.sh. paraqitja e padisë në gjykatën civile) apo mosveprimit të paditësit civil (p.sh. mosparaqitja e konkluzioneve në diskutimin përfundimtar).
      1. Padia civile, për shkak të specifikës se lidhet me dëmin material nga vepra penale, si rregull, gjykohet nga gjykata penale së bashku me procedimin penal. Ky rregullim i veçantë nga rregulli i përgjithshëm i gjykimit të padive civile nga gjykata  civile është parashikuar duke  vlerësuar  oportunitetin  e  bashkimit  të  dy  gjykimeve,  të  cilat  kanë  të përbashkëta palët, provat e nevojshme etj., por një bashkim i tillë nuk mund të cenoje as procedimin penal dhe  as  atë  [1]Për sa kohë gjykimi bashkërisht i padisë civile me çështjen penale përbën vetëm një rregull të përgjithshëm i bazuar në oportunitetin e bashkimit të dy gjykimeve, ligji ka parashikuar edhe mundësinë që të hiqet dorë nga një rregull i tillë duke mos e gjykuar padinë civile së bashku me çështjen penale. Është pikërisht neni 64 i Kodit të Procedurës Penale i cili përcakton rastet e heqjes dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal dhe sipas përmbajtjes së dispozitës rezulton se këto raste mund të klasifikohen në dy grupe: 1) heqja dorë në mënyrë të shprehur nga gjykimi i padisë civile në procesin penal (neni 64, pika 1) dhe 2) heqja dorë në mënyrë të nënkuptuar nga gjykimi i padisë civile në procesin penal (neni 64, pika 2).

       

      [1] Vendimi Unifikues Nr.284, datë 06.10.2000, KBGJL.

      1. Në paragrafin e parë të nenit 64 të Kodit të Procedurës Civile parashikohet se heqja dorë nga gjykimi i padisë civile mund të bëhet në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit me një deklaratë të bërë personalisht nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij në seancë ose me akt të shkruar e të depozituar në sekretarinë e gjykatës dhe të njoftuar palëve të tjera. Sipas këtij parashikimi ligji i ka dhënë prioritet vullnetit të paditësit civil për të mos vazhduar me gjykimin e padisë civile në procesin penal, pavarësisht gjendjes apo shkallës në të cilën ndodhet procedimi, çka do të thotë se paditësi mund të heqë dorë nga gjykimi i padisë civile në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, pa pasur asnjë pengesë. Për sa i përket formës, heqja dorë nga gjykimi i padisë civile mund të bëhet me një deklaratë në seancë nga paditësi ose përfaqësuesi i tij, por në rastin kur kërkesa për heqje dorë parashtrohet nga përfaqësuesi i paditësit ky i fundit duhet të ketë tagër të shprehur për të kërkuar heqjen dorë nga gjykimi i padisë për sa kohë heqja dorë është një e drejtë që i përket vetëm paditësit. Në të njëjtën mënyrë, edhe në rastin kur kërkesa për heqjen dorë nga gjykimi i padisë civile bëhet në formë shkresore me depozitimin e aktit në sekretarinë gjyqësore, kërkesa mund të nënshkruhet personalisht nga vetë paditësi ose nga përfaqësuesi i tij nëse ka tagër të shprehur për të kryer një veprim të tillë.
      2. Referuar praktikës unfikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë rezulton se t? dy proceset, si procesi civil ashtu edhe ai penal,ruajnë karakteristikat e tyre të veçanta sipas dispozitave respektive që i rregullojnë, por për shkak të elementeve të përbashkëta bashkohen në një procedim të përbashkët.[1] Duke qenë se procesi civil ruan karakteristikat e tij të veçanta edhe në rastet kur ai zhvillohet në kuadër të një gjykimi penal atëherë për heqjen dorë nga gjykimi i padisë duhen patur parasysh edhe rregullimet e veçanta që parashikohen për institutin e heqjes dorë nga gjykimi në Kodin e Procedurës Civile, por gjithmonë për aq sa nuk bien në kundërshtim me parashikimin në Kodin e Procedurës Penale. Konkretisht në nenin 201 të Kodit të Procedurës Civile, i ndryshuar me ligjin Nr.38/2017,[2] parashikohet se paditësi mund të heqë nga gjykimi i padisë në çdo fazë të gjykimit në shkallë të parë,çka do të thotë se paditësi nuk mund të heqë dorë nga gjykimi në shkallët e tjera të gjykimit. Nga krahasimi i nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale me nenin 201 të Kodit të Procedurës Civile rezulton se ka një parashikim të ndryshëm lidhur me shkallët e gjykimit në të cilat mund të zbatohet instituti i heqjes dorë nga gjykimi, pasi Kodi i Procedurës Penale lejon heqjen dorë nga gjykimi i padisë në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit dhe jo vetëm në gjykimin në shkallë të parë. Referuar parimit lex specialis derogat legi gjenerali,për heqjen dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal do të zbatohet norma e veçantë që në këtë rast është neni 64 i Kodit të Procedurës Penale duke lejuar heqjen dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal edhe në fazat e tjera të gjykimit dhe jo vetëm në gjykimin në shkallë të parë.
      3. Pas ndryshimeve me ligjin Nr.38/2017, lidhur me heqjen dorë nga gjykimi i padisë neni 201 i Kodit të Procedurës Civile parashikon se në rast se i padituri ka paraqitur deklaratën e mbrojtjes për themelin e çështjesh eqja dorë ka efekt nëse i padituri e pranon atë. Ndryshe nga sa parashikon neni 201 i Kodit të Procedurës Civile, neni 64, pika 1, i Kodit të Procedurës Penale parashikon vetëm se kërkesa për heqje dorë nga gjykimi i padisë civile i njoftohet palëve të tjera, pa e lidhur efektin e saj me pranimin apo jo nga pala e paditur edhe në rast se kjo e fundit ka paraqitur deklaratën e mbrojtjes për themelin e çështjes. Edhe në këtë rast, bazuar në faktin që heqja dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal është parashikuar posaçërisht në Kodin e Procedurës Penale, lidhur me heqjen dorë do të zbatohen parashikimet e nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale dhe rrjedhimisht heqja dorë nga padia civile në procesin penal nuk kushtëzohet nga pranimi apo jo i palës së paditur.
      4. Në paragrafin e dytë neni 64 i Kodit të Procedurës Penale përcaktohen rastet e heqjes dorë në mënyrë të nënkuptuar (heshtur) nga padia civile në procesin penal. Një prej këtyre rasteve është kur paditësi civil nuk paraqet konkluzionet në diskutimin përfundimtar. Në ndryshim nga heqja dorë në mënyrë të shprehur sipas paragrafit të parë të nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale e cila mund të bëhet në çdo gjendje dhe shkallë procedimi, mosparaqitja e konkluzioneve në diskutimin përfundimtar do të konsiderohet heqje dorë vetëm gjatë gjykimit në shkallë të parë. Neni 64 i Kodit të Procedurës Penale ka të njëjtën përmbajtje me nenin 82, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale Italiane,[3] dhe duke qenë se në interpretimin e kësaj të fundit Gjykata e Kasacionit Itali[4] ka mbajtur një qëndrim të konsoliduar lidhur me faktin se i referohet vetëm gjykimit në shkallë të parë atëherë kjo praktikë është e vlefshme edhe në interpretimin e nenit 64/2 të Kodit tonë.
      5. Do të konsiderohet se paditësi civil ka hequr dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal sipas nenit 64, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, edhe në rastet kur paditësi civil, gjatë gjykimit në shkallë të parë, formulon me gojë pretendimet e tij në diskutimin përfundimtar duke u shprehur thjesht se është dakord me akuzën për dënimin e të pandehurit, pa iu referuar padisë civile. Një qëndrim i tillë është pranuar në praktikën gjyqësore italiane ku Gjykata e Kasacionit Itali është shprehur se thjesht bashkimi me akuzën në diskutimin përfundimtar, për sa kohë qëllimi që ndjek akuza (përgjegjësia penale e të pandehurit) është i ndryshëm nga i paditësit civil (përgjegjësia civile e të paditurit civil), nuk mund të konsiderohet si paraqitje diskutimi nga paditësi civil për sa kohë që nuk ka parashtruar kërkimin e tij lidhur me shpërblimin e dëmit.[5]
      6. Do të konsiderohet se paditësi civil ka hequr dorë nga gjykimi i padisë civile për shkak të mosparaqitjes së konkluzioneve në diskutimin përfundimtar nëse paditësi nuk përcakton në ndonjë mënyrë konkluzionet e tij në fazën e diskutimit përfundimtar, as duke iu referuar qëndrimit të tij në momentin e legjitimimit në proces dhe as duke i shprehur ato qoftë edhe më gojë por gjithmonë duke konkretizuar kërkimin e tij lidhur me përgjegjësinë civile të të paditurit apo pagimin e shpenzimeve.[6]
      7. Në kuptim të nenit 64, paragrafi i dytë, i Kodit të Procedurës Penale, nuk do të konsiderohet heqje dorë nga gjykimi i padisë civile nëse pala paditëse, edhe pse mund të mos jetë paraqitur personalisht në procesin penal, ka depozituar në sekretarinë gjyqësore apo në një seancë të mëparshme konkluzionet e saj me shkrim. Kjo për arsye se neni 64/2 i Kodit të Procedurës Penale nuk parashikon asnjë pasojë që lidhet me mosparaqitjen e palës paditëse personalisht në proces por vetëm me mosparaqitjen e konkluzioneve në fazën e diskutimit përfundimtar.[7] Nuk do të konsiderohet se paditësi civil ka hequr dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal edhe nëse ky i fundit nuk është paraqitur në gjykimin në apel, por ka paraqitur konkluzionet në gjykimin në shkallë të parë,[8] qëndrim i cili vlen edhe në rastet kur gjykata e apelit vendos dërgimin e çështjes për rigjykim.[9]
      8. Nuk do të konsiderohet se paditësi ka hequr dorë nga gjykimi i padisë civile në procesin penal nëse në konkluzionin e tij parashtron vetëm kërkesën për shpërblimin e dëmit pa e konkretizuar atë me një shumë caktuar.[10] Një qëndrim i tillë është në përputhje edhe me nenin 395/1 të Kodit të Procedurës Penale i cili parashikon mundësinë e gjykatës që të disponojë për të drejtën e shpërblimit në tërësi, pa saktësuar dëmin.
      9. Rasti i dytë i heqjes dorë në mënyrë të nënkuptuar nga padia civile është kur paditësi civil ngre padi përpara gjykatës civile. Ky parashikim përbën një përjashtim nga rregulli i parashikuar në nenin 58 të Kodit të Procedurës Civile pasi sipas kësaj dispozite kur në të njëjtën gjykatë ose gjykata të ndryshme shqyrtohen në të njëjtën kohë mosmarrëveshje midis të njëjtave palë dhe kanë të njëjtin shkak e të njëjtin objekt, vendoset pushimi i gjykimit të mosmarrëveshjeve të paraqitura pas asaj të regjistruar më parë. Sipas këtij rregulli, duke qenë se padia civile në procesin penal është paraqitur më parë kohë, do të duhej të pushohej gjykimi i padisë civile të paraqitur më pas në kohë pranë gjykatës civile, por duke pasur parasysh qëllimin e nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale dhe konkretisht lehtësimin e procesit penal dhe mos zvarritjen e tij është parashikuar se në një rast të tillë do të konsiderohet se paditësi ka hequr dorë nga padia civile në procesin penal dhe do të vendoset pushimi i gjykimit të kësaj të fundit. Megjithatë, do të jemi në kushtet e nenit 64/2 të Kodit të Procedurës Civile vetëm nëse paditësi paraqet të njëjtën padi, ndaj të njëjtës palë dhe me të njëjtin shkak pranë gjykatës civile (një ushtrim i dyfishtë i të drejtës për të kërkuar shpërblimin e dëmit apo kthimin e pasurisë).Nëse në gjykimin penal është përcaktuar vetëm lidhja shkakësore apo dëmi eventual sipas nenit 395 të Kodit të Procedurës Penale atëherë nuk jemi në kushtet e heqjes dorë nga gjykimi nëse në gjykatën civile kërkohet përcaktimi i masës së dëmit. Në këtë rast janë kushtet e ndërvarësisë së gjykimeve duke pasjellë pezullimin e gjykimit civil.[11]
      10. Sipas paragrafit të tretë të nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale, me pushimin e gjykimit për ndonjërin nga rastet e heqjes dorë nga gjykimi gjykata do të shprehet vetëm për shpenzimet e kryera nga pala paditëse deri në momentin e pushimit të gjykimit duke ia ngarkuar këto shpenzime palës paditëse të tilla si tarifa gjyqësore, shpenzimet për njoftime etj. Si rregull, në zbatim të nenit 106, paragrafi i tretë, i Kodit të Procedurës Civile, i padituri  ka  të  drejtë  të  kërkojë  pagimin  e  shpenzimeve gjyqësore që ka bërë, edhe në rast se është vendosur pushimi i gjykimit, por ky rregull nuk zbatohet në rast të pushimit të gjykimit të padisë civile në procesin penal. Sipas nenit 64/3 të Kodit të Procedurës Penale gjykata penale nuk mund të njohë shpenzimet dhe dëmet e shkaktuara të pandehurit dhe të paditurit nga ndërhyrja e paditësit civil dhe padia për kërkimin e tyre mund të ngrihet para gjykatës civile.
      11. Sipas paragrafit të katërt të nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale heqja dorë nga gjykimi i padisë civile në cilindo prej rasteve të parashikuara në këtë dispozitë nuk pengon ngritjen e padisë në gjykatën civile. Në këtë kuptim, në rast të heqjes dorë nga gjykimi i padisë civile nga procesi penal, pala paditëse nuk ka më të drejtë të ngrejë padinë civile pranë gjykatës penale por duhet ta ngrejë atë pranë gjykatës civile, edhe në rastet kur formalisht paditësi mund jetë ende brenda afatit të parashikuar në nenin 62 të Kodit të Procedurës Penale.

       

      [1] Vendimi Unifikues Nr.284, datë 06.10.2000, KBGJL.

      [2] Neni 201 i Kodit të Procedurës Civile, ndryshuar me ligjin Nr.38/2017, parashikon se: “1. Paditësi në çdo fazë të gjykimit në shkallë të parë, mund të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Heqja dorë ka efekt nëse i padituri e pranon atë. Megjithatë, pranimi i të paditurit nuk është i nevojshëm nëse ai, në kohën kur paditësi paraqet kërkesën për heqje dorë nga gjykimi, nuk ka dorëzuar ende deklaratën e mbrojtjes për themelin e çështjes. 2. Gjykata mund të vendosë pushimin e gjykimit edhe nëse mospranimi i të paditurit nuk ka shkak të ligjshëm”.

      [3] Në mendimin e pakicës, në Vendimin Unifikues Nr.1, datë 25.01.2007, është cituar se ligji shqiptar nuk është një ligj origjinal dhe për hartimin e tij ka shërbyer ligji italian.

      [4] Vendimet Nr.15308/09; Nr.39471, 04.06.2013, De Iuliis, Rv. 257199; Nr.25012, 23.05.2013, Leonzio, Rv. 257032; Nr.24063, 20.05.2008; Nr.4380, 24.12.1995; Nr.12959/2006, Gjykata e Kasacionit Itali. Vendimi Nr.930/1996,Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit Itali.

      [5] Vendimi Nr.9936, datë 24.11.2017, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [6] Vendimi Nr.34922, 29.04.2016, Borghi, Rv.267769; Nr.29675, 02.05.2016, Carbonelli, Rv.267385; Nr.4492, 09.12.2015, Lucca, Rv 265953;  Nr.12550, 12.03.2015, Fusser, Rv. 262299; Nr.6641, 14.11.2013, Adinolfi, Rv.262432; Nr.39595, 27.06.2007, Rosi, Rv.237773, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [7] Vendimi  44906, 07.11.2013, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [8] Vendimi Nr.24063, 20.05.2008, Quintile e altro, Rv.240616, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [9] Vendimi Nr.48397, 11.12.2008, Russo e altro, Rv.242132, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [10] Vendimi Nr.42684, datë 23.10.2015;Nr.35096, 04.05.2010, Lakhlifi, Rv.248398, Gjykata e Kasacionit Itali.

       

      [11]Vendimi Nr.36062, 19.06.2007, Pellegrinetti, rv. 237722, Gjykata e Kasacionit Itali. Në këtëçështje Gjykata e Kasacionit Itali ka vlerësuar se nuk mund të konsiderohej se paditësja kishte hequr dorë nga gjykimi I padisë civile nëprocesin penal si pasojë e paraqitjes së padisë civile në gjykatën civile duke qenë se padia ishte paraqitur ndaj klinikës mjekësore, ndërsa në gjykimin penal dëmi kërkohej ndaj punonjëses.

      1. Neni 64 i Kodit të Procedurës Penale nuk është ndryshuar asnjëherë që nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit Nr.7905, datë 21.03.1995, edhe pse vetë neni 201 i Kodit të Procedurës Civile i cili parashikon institutin e heqjes dorë nga gjykimi është ndryshuar me ligjin Nr.38/2017. Në krahasim me rregullimin e mëparshëm në Kodin e Procedurës Penale të vitit 1979 (ligji Nr.6069, datë 25.12.1979), sipas të cilit shqyrtimi i padisë civile bëhej veçmas vetëm në raste të rralla (neni 155), Kodi aktual parashikoi jo vetëm mundësinë e heqjes dorë nga gjykimi me vullnetin e shprehur të vetë palës paditëse, por sanksioni edhe pasojat në rast se pala paditëse nuk paraqet konkluzionet e saj apo paraqet padi pranë gjykatës civile duke i dhënë në këtë mënyrë prioritet gjykimit të çështjes penale.
    • Asnjë koment
    1. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, neni 6. Sipas praktikës së GJEDNJ Konventa do të jetë e zbatueshme edhe në rastet e padive civile në procesin penal (Perez kundër Francës,Dhoma e Madhe, 02.2004).

    A.    Raporte, opinion, rekomandime

    B.     Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

    1. Perez kundër Francës, Dhoma e Madhe, 12.02.2004.
    1. Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.
    1. Neni 6i KEDNJ-së;
    2. Kushtetuta;
    3. Kodi i Procedurës Penale;
    4. Kodi i Procedurës Civile;
    5. Kodi Civil.
  • Asnjë koment
  • A.    Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    B.     Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Vendimi Unifikues Nr.284, datë 06.10.2000, KBGJL;
    2. Vendimi Unifikues Nr.1, datë 25.01.2007, KBGJL;
    3. Vendimi Nr.930/1996, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit Itali;
    4. Vendimi Nr.15308/09, Gjykata e Kasacionit Itali;
    5. Vendimi Nr.39471, 04.06.2013, De Iuliis, Rv. 257199, Gjykata e Kasacionit Itali;
    6. Vendimi Nr.25012, 23.05.2013, Leonzio, Rv. 257032, Gjykata e Kasacionit Itali;
    7. Vendimi Nr.24063, 20.05.2008, Gjykata e Kasacionit Itali;
    8. Vendimi Nr.4380, 24.12.1995, Gjykata e Kasacionit Itali;
    9. Vendimi Nr.12959/2006, Gjykata e Kasacionit Itali;
    10. Vendimi Nr.9936, 24.11.2017, Gjykata e Kasacionit Itali;
    11. Vendimi Nr.34922, 29.04.2016, Borghi, Rv.267769, Gjykata e Kasacionit Itali;
    12. Vendimi Nr.29675, 02.05.2016, Carbonelli, Rv.267385, Gjykata e Kasacionit Itali;
    13. Vendimi Nr.4492, 09.12.2015, Lucca, Rv 265953, Gjykata e Kasacionit Itali;
    14. Vendimi Nr.12550, 12.03.2015, Fusser, Rv. 262299, Gjykata e Kasacionit Itali;
    15. Vendimi Nr.6641, 14.11.2013, Adinolfi, Rv.262432Gjykata e Kasacionit Itali;
    16. Vendimi Nr.39595, 27.06.2007, Rosi, Rv.237773, Gjykata e Kasacionit Itali;
    17. Vendimi 44906, 07.11.2013, Gjykata e Kasacionit Itali;
    18. Vendimi Nr.24063, 20.05.2008, Quintile e altro, Rv.240616, Gjykata e Kasacionit Itali;
    19. Vendimi Nr.48397, 11.12.2008, Russo e altro, Rv.242132, Gjykata e Kasacionit Itali;
    20. Vendimi Nr.42684, 23.10.2015; Nr.35096, 04.05.2010, Lakhlifi, Rv.248398, Gjykata e Kasacionit Itali.
    21. Vendimi Nr.36062, 19.06.2007, Pellegrinetti, rv. 237722, Gjykata e Kasacionit Itali.
    1. Paolo Tonini, “Manuale di procedura penale”, Quindicesima edizione, Giuffre Editore;
    2. Commenatario breve al Codice di Procedura Penale, nona edizione, 2015, Wolters Kluwer, CEDAM.
  • Asnjë koment
Nurjeta Tafa
Nurjeta Tafa