KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7895

Neni 110-a: Trafikimi i personave të rritur

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, si brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dënohen me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet ndaj një personi të rritur të gjinisë femërore dënohet me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, sjell pasoja të rënda për shëndetin, ose rrezikon jetën e tij, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Përmbajtja

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment