Dhënia ose grumbullimi i fondeve, me çdo mjet, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllimin që ato të përdoren ose duke ditur se ato do të përdoren, plotësisht ose pjesërisht:
a) për të kryer vepra me qëllime terroriste;
b) nga një organizatë terroriste;
c) nga një terrorist i vetëm;
dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Dispozitat e këtij neni zbatohen:
a) për të gjitha fondet, ku përfshihen pasuri të çdo lloji, të trupëzuara ose të patrupëzuara, të luajtshme ose të paluajtshme, pavarësisht nga mënyra e fitimit të tyre, dhe dokumente ligjore ose instrumente të çdo lloji, edhe në formë elektronike ose digjitale, që tregojnë të drejta ose interesa mbi pasuri të tilla, përfshirë kreditë bankare, çeqet e udhëtarëve, çeqet bankare, urdhërpagesat, aksionet, letrat me vlerë, bonot, çeqet e garantuara bankare, letrat e kreditit, si dhe çdo instrument tjetër financiar, të ngjashëm me to;
b) pavarësisht nëse personi që kryen një nga veprat e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, ndodhet në të njëjtin shtet a në një shtet të ndryshëm nga ai, në të cilin ndodhet organizata terroriste a terroristi i vetëm ose nga shteti në të cilin është kryer a do të kryhet vepra me qëllime terroriste;
c) në rastin e parashikuar nga paragrafi i parë i këtij neni, pavarësisht nëse fondet janë përdorur në fakt për të kryer veprën ose veprat, për të cilat ishin dhënë ose grumbulluar, apo nëse mund të vendoset një lidhje mes fondeve dhe një apo më shumë veprave konkrete me qëllime terroriste.
Dijenia dhe qëllimi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nxirren nga rrethana fakti objektive.