KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7895

Neni 230: Vepra me qëllime terroriste

Kryerja e veprave të mëposhtme, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë ose për të detyruar organe shtetërore, shqiptare ose të huaja, të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, ose për të shkatërruar apo destabilizuar, në mënyrë serioze, struktura thelbësore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të shtetit shqiptar, të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Veprat me qëllime terroriste përfshijnë:

a) veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë;

b) rrëmbimin e avionëve, të anijeve, të mjeteve të tjera të transportit apo të platformave fikse ose ushtrimin e paligjshëm të kontrollit mbi to, me dhunë ose nëpërmjet kanosjes për përdorimin e dhunës apo me anë të çdo forme tjetër kanosjeje;

c) kryerjen e akteve të dhunës kundër një personi në bordin e një avioni në fluturim, në bordin e një anijeje ose në bordin e një platforme fikse, kur këto akte mund të rrezikojnë sigurinë e avionit, të mjetit të lundrimit ose të platformës fikse;

ç) shkatërrimin e një avioni në funksionim, të një anijeje apo të një platforme fikse ose shkaktimin e dëmeve të tilla avionit, anijes a ngarkesës së saj ose platformës fikse, që e bëjnë të pamundur ose rrezikojnë a mund të rrezikojnë sigurinë e fluturimit, të lundrimit ose të platformës fikse;

d) vendosjen, me çdo mjet, në një avion në shërbim, në një anije ose në një platformë fikse, të një pajisjeje a substance që mund të shkatërrojë avionin, anijen a platformën fikse ose që mund t’i shkaktojë dëme avionit, anijes a ngarkesës së saj ose platformës fikse dhe që rrezikon a mund të rrezikojë sigurinë e fluturimit, lundrimit të anijes ose të platformës fikse;

dh) shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve të fluturimit apo të pajisjeve të lundrimit detar ose ndërhyrjen në funksionimin e tyre, kur nga një akt i tillë mund të rrezikohet siguria e avionit apo e anijes;

e) përhapjen e informacioneve që dihet se janë të pavërteta, duke rrezikuar sigurinë e një avioni në fluturim apo të anijes në lundrim;

ë) vrasjen ose rrëmbimin e një personi të mbrojtur ndërkombëtarisht, sipas nenit 9 të këtij Kodi, ose çdo sulm tjetër ndaj tij ose lirisë së tij;

f) sulmin e dhunshëm ndaj zyrës, banesës private ose mjetit të transportit të personit të mbrojtur ndërkombëtarisht, sipas nenit 9 të këtij Kodi, kur prej këtij sulmi rrezikohet personi ose liria e tij;

g) pengmarrjen ose rrëmbimin e personit dhe kanosjen për të vrarë, për të plagosur ose për të vazhduar mbajtjen e tij peng;

gj) marrjen në dorëzim, posedimin, përdorimin, transferimin, tjetërsimin, disponimin ose përhapjen e materialit bërthamor, me dashje dhe pa qenë i autorizuar ligjërisht, kur i shkaktohet ose mund t’i shkaktohet vdekja ose dëmtime të rënda çdo personi ose të dëmtohet rëndë prona;

h) vjedhjen, përvetësimin ose përfitimin nëpërmjet mashtrimit të materialeve bërthamore;

i) kërkimin e materialeve bërthamore, duke përdorur shtrëngimin, dhunën ose çdo formë tjetër kanosjeje;

j) prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin apo tregtimin e lëndëve plasëse, të armëve të zjarrit, biologjike, kimike apo bërthamore, si dhe kërkimin shkencor për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë;

k) kryerjen e akteve të dhunës, duke përdorur çdo pajisje, substancë ose armë, kundër një personi në një aeroport të aviacionit civil ndërkombëtar, kur këto akte shkaktojnë ose mund të shkaktojnë dëmtime të rënda ose vdekjen e personave;

l) shkatërrimin ose dëmtimin e rëndë të mjediseve apo të pajisjeve në një aeroport të aviacionit civil ndërkombëtar ose në një avion të vendosur në këtë aeroport që nuk është në fluturim ose ndërprerjen e shërbimeve të aeroportit, duke përdorur çdo pajisje ose armë, kur nga ky akt rrezikohet a mund të rrezikohet siguria e aeroportit;

ll) përhapjen, vendosjen, shkarkimin ose shpërthimin e lëndëve plasëse ose të pajisjeve të tjera vdekjeprurëse, në mjedise publike, në zyrat e një shteti ose qeverie, sistemin e transportit publik ose në infrastrukturën publike, si dhe shpërndarjen në mjedis të substancave të rrezikshme, shkaktimin e zjarreve, të përmbytjeve, shpërthimeve, me qëllim shkaktimin e vdekjes ose dëmtimeve të rënda trupore ose me qëllim shkaktimin e shkatërrimeve masive të vendeve, mjediseve ose sistemeve të lartpërmendura, kur ky shkatërrim sjell a mund të sjellë humbje të mëdha ekonomike;

m) shkatërrimin e rëndë dhe në përmasa të mëdha të pronës publike, të infrastrukturës publike, të sistemit të transportit, të sistemit të informacionit e të pronës private, duke rrezikuar jetën e personave;

n) shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike ose çdo burim tjetër të rëndësishëm;

apo çdo vepër tjetër që synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë të civilëve ose të çdo personi tjetër që nuk merr pjesë aktive në veprimet luftarake në një situatë konflikti të armatosur, e kryer për qëllimet e përcaktuara në paragrafin e parë të këtij neni.

Veprimet që shkaktojnë ndërprerjen e një shërbimi të rëndësishëm, një sistemi, një veprimtarie publike ose private, si rezultat i protestës, i mosbindjes civile, ose i grevës, nuk do të konsiderohen vepra me qëllime terroriste në kuptimin e këtij neni.

Përmbajtja

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment