KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni Ë: Masat disiplinore

1. Komisioni ose Kolegji i Apelimit në përfundim të shqyrtimit të çështjes, vendos masat disiplinore, pezullimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra për një vit, të shoqëruar me edukim të detyrueshëm, ose shkarkimin e tij nga detyra. Në çdo rast vendimi jepet i arsyetuar.

2. Vendimi që urdhëron pezullimin nga detyra, shoqëruar me detyrimin për trajnim identifikon mangësitë. Gjatë periudhës së pezullimit, të rivlerësuarit i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj. Subjekti i rivlerësuar urdhërohet të ndjekë një program edukimi njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, i hartuar për të plotësuar mangësitë. Në fund të programit ai testohet për aftësitë e tij. Ky testim mbikëqyret nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Subjekti i rivlerësimit që nuk e kalon testimin shkarkohet nga Komisioni.

3. Në çdo rast, shkarkimi i një gjyqtari ose prokurori nuk është shkak për rihapjen e çështjeve të gjykuara ose të hetuara prej tij, përveçse kur ekzistojnë shkaqet, mbi të cilat realizohet kërkesa për rishikim, sipas parashikimeve në ligjet procedurale.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Neni Ë i Aneksit të Kushtetutës duhet të komentohet i lidhur ngushtë me nenin E të tij. Praktikisht, ky nen është një plotësim i atij pararendës dhe dy pikat e para të tij mund të ishin parashikuar në vijim të pikave 3, 4 dhe 5 të nenit E. Mendojmë se është vetëm pika 3 e nenit Ë që i jep atij vlerën për të qëndruar si një dispozitë më vete, pasi kjo sjell një përmbajtje parimore në kuptimin e të gjithë sistemit të rivlerësimit. Ndoshta, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që e ka nxitur kushtetutëbërësin ta parashikojë këtë dispozitë të veçantë të Aneksit. Në këtë mënyrë neni është përshtatur më mirë me kërkesat e KV-së dhe është produkt i ndryshimeve që u bënë në Aneks si rezultat i opinioneve të saj[1]. Prandaj, qëllimi i këtij neni nuk mund të shihet i lidhur vetëm me plotësimet e nenit pararendës, por edhe me mbarëvajtjen e të gjithë sistemit të rivlerësimit.

      2. Neni Ë në kuptimin e ngushtë të fjalës garanton respektimin e kërkesave për të pasur një proces të rregullt ligjor në lidhje me masat disiplinore, si dhe një efektivitet të zbatimit të tyre.

      3. Në dallim nga neni E i Aneksit, i cili parashikon masat disiplinore që mund të merren në rastin e vlerësimit të aftësive profesionale, neni Ë synon zbatimin me efektivitet të tyre, si dhe respektimin e parimit të sigurisë juridike në lidhje me të drejtat e fituara nga proceset gjyqësore, vendimet e të cilave kanë marrë formë të prerë.

       

      [1] Shih: CDL-AD(2015)045-e, Interim Opinion, cituar, § 123

    • 4. Objekti i rregullimit të kësaj dispozite janë procedurat që ndiqen për zbatimin e masave disiplinore, si dhe për rregullimin e pasojave që vijnë prej tyre. Nga kjo pikëpamje, kjo dispozitë paraqitet kryesisht me përmbajtje procedurale e më pak si një dispozitë materiale. Nga pikëpamja materiale sanksionohen masat disiplinore, të cilat janë paralajmëruar edhe në pikat 3, 4 dhe 5 të nenit E. Ajo çfarë mund të shtojmë këtu është parashikimi i shkarkimit nga detyra të subjektit, si masë që jep organi i rivlerësimit në rastin e moskalimit të testimit që zhvillohet në përfundim të programit të edukimit pranë Shkollës së Magjistraturës.

      5. Nuk mungojnë në këtë nen edhe dispozitat parimore, siç është detyrimi i shprehur për organet e rivlerësimit që të japin vendime të arsyetuara. Ky detyrim është një parim i përgjithshëm me karakter procedural, cili përshkon të gjithë veprimtarinë e organeve të rivlerësimit. Por, në këtë rast, parashikimi i shprehur lidhet me natyrën e veçantë të kësaj dispozite. Meqenëse vendimi i organit të rivlerësimit ka detyrë të bëjë edhe një proces vlerësimi të njohurive profesionale dhe etike të subjektit, arsyetimi kërkon një skemë të veçantë që bazohet mbi vlerësimet e nëpunësve të specializuar për këtë qëllim. Kjo është theksuar shprehimisht në nenin Ë, sipas të cilit: “Vendimi që urdhëron pezullimin nga detyra, shoqëruar me detyrimin për trajnim, identifikon mangësitë” (pika 2). Kështu, mund të themi se vendimi i rendit mangësitë në mënyrë të hollësishme, duke parashtruar edhe fushat konkrete që subjekti do të ndjekë gjatë procesit të trajnimit. Mbi këtë bazë do të mbështetet edhe Shkolla e Magjistraturës për të hartuar programet përkatëse.

      6. Për sa u përket dispozitave të tjera procedurale, konstatojmë se ato kanë objekt rregullimi të drejtat dhe detyrat e subjekteve të rivlerësimit përgjatë marrjes së masave disiplinore. Duke i grupuar ato në bazë të nenit Ë/2, i rendisim si vijon:

       

      Detyrimet e subjekteve të rivlerësimit

      - Të ndjekë një program edukimi njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, i hartuar për të plotësuar mangësitë.

      - T’i nënshtrohet testimit të mbikëqyrur nga Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit në përfundim të programit njëvjeçar.

       

      Të drejtat e subjekteve të rivlerësimit

      - Gjatë periudhës së pezullimit, të rivlerësuarit i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj.

      - Subjekti ka të drejtë të ketë një vendim të arsyetuar që evidenton mangësitë.

       

      7. Në kuadrin e nenit Ë/3, vëmë re se rregullimi procedural rregullon:

      - Ndalimin e rishikimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për shkaqe që lidhen me zbatimin e nenit Ë të Aneksit të Kushtetutës.

    • a) Roli i Shkollës së Magjistraturës dhe i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (neni Ë/2)

      8. Sikurse konstatojmë në pikën 2 të këtij neni, kushtetutëbërësi ka ngarkuar Shkollën e Magjistraturës dhe ONM–në për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të edukimit njëvjeçar të subjektit të pezulluar dhe të testimit në përfundim të tij. Kështu, rezultati i testimit do të jetë konkret dhe mbi bazën e tij do të vendosë KPK-ja ose KPA-ja, sipas rastit. Për këtë arsye është e rëndësishme që kriteret e vlerësimit të jenë parashikuar përmes programit që ka hartuar Shkolla e Magjistraturës qysh në fillim.

      9. ONM-ja është një organ mbikëqyrës që siguron respektimin e procedurave dhe të objektivitetit në Shkollën e Magjistraturës. Kjo mund të realizohet përmes mbikëqyrjes së provimit, gjë për të cilën Shkolla ka krijuar një përvojë të gjatë edhe me misionet e tjera ndërkombëtare gjatë procesit të testimit të njohurive për pranimet në shkollë.

      10. Pyetja që mund të shtrohet në kuadrin e vendimmarrjes së KPK-së/KPA-së në përfundim të procesit lidhet me vlerësimin nga këta të fundit dhe vendosjen e masës disiplinore. A do të jetë vendimi i tyre një vendim formal, i bazuar thelbësisht në aktet e Shkollës së Magjistraturës të mbikëqyrur nga ONM-ja, apo këto organe do të ribëjnë një rivlerësim tërësor të njohurive profesionale për subjektin? Situata ligjore në të cilën zhvillohet sot ky rivlerësim është e ndryshme. Në këtë rast mendojmë se organi kompetent kryen një rivlerësim të përgjithshëm teorik e praktik të punës së gjyqtarit. Programi i edukimit dhe i vetë provimit përcaktohet në bazë e për zbatim të vendimeve të këtij organi. Në këto kushte, mendojmë se organi i rivlerësimit jep një vendim formalo-juridik në përfundim, duke integruar rezultatet e provimit me ato që ai ka shqyrtuar fillimisht.

       

      b) Rishikimi i vendimeve gjyqësore.

      11. Një nga çështjet që meriton të komentohet është edhe pika 3 e dispozitës. Konstatojmë se ajo ka karakter procedural, por është një normë ndaluese. Sipas saj, shkarkimi i një gjyqtari ose prokurori nuk mund të jetë shkak për procesin e rishikimit të vendimeve të dhëna prej tij. “Në çdo rast, shkarkimi i një gjyqtari ose prokurori nuk është shkak për rihapjen e çështjeve të gjykuara ose të hetuara prej tij, përveçse kur ekzistojnë shkaqet, mbi të cilat realizohet kërkesa për rishikim, sipas parashikimeve në ligjet procedurale” (neni Ë/3).

      12. Kjo dispozitë ndalon rihapjen e çështjeve të gjykuara ose të hetuara prej subjektit të rivlerësimit që shkarkohet nga detyra. Megjithatë, dispozita e lejon rastin kur ekzistojnë shkaqet, mbi të cilat realizohet kërkesa për rishikim, sipas parashikimeve në ligjet procedurale. Nëse e lexojmë me kujdes përmbajtjen, lejimi nuk është një përjashtim nga rregulli i sanksionuar në këtë nen të Aneksit. Ai u referohet ligjeve procedurale, që parashikojnë rastet për rishikim dhe shkaqet përkatëse. Pra, kjo dispozitë nuk lejon që në ligjet procedurale të mund të parashikohet si shkak për rihapjen e çështjeve shkarkimi i gjyqtarit ose prokurorit të çështjes. Rregulli përcaktohet nga kjo dispozitë, pika 3 e nenit Ë, e cila vendos një procedurë të veçantë dhe ky rregull nuk ka përjashtim, përveçse kur ekzistojnë shkaqet e tjera në ligjet procedurale. Këto parashikime për rishikimin e vendimit të formës së prerë të gjykatës ekzistojnë në të gjitha aktet procedurale. Por, në asnjë rast nuk parashikohet si shkak shkarkimi i gjyqtarit ose prokurorit. Me këtë paragraf kushtetutëbërësi ka pasur qëllim të respektojë sigurinë juridike gjatë gjithë procesit të rivlerësimit. Duke lejuar rihapjen e çështjes për shkaqet e tjera, krijon vetëm mundësinë që në rastet e shkarkimit të gjyqtarit ose prokurorit të çështjes rishikimi të kryhet vetëm nëse evidentohen shkaqet e parashikuara në aktet procedurale ekzistuese.

    • 13. Duke ndjekur kontekstin historik të nenit pararendës (nenit E), theksojmë se përmbajtja e këtij neni ka ndryshuar në kuadrin e procesit të diskutimeve parlamentare. Ajo ka qenë disi e ndryshme në versionin e parë të amendamenteve kushtetuese, të cilat iu nisën për mendim KV-së. Megjithatë, edhe atëherë, neni për masat disiplinore ishte i lidhur me vlerësimin e “performancës” (sikurse shprehej në atë kohë për vlerësimin e aftësive profesionale projekti) së gjyqtarëve e prokurorëve. Por, në saje të procesit të konsultimeve, konstatojmë disa ndryshime. Njëri prej tyre është thelbësor dhe përkon me përmbajtjen e pikës 3 të nenit Ë aktualisht, për të cilin dhamë disa shpjegime në paragrafin C, kur komentuam këtë pikë. Nga pikëpamja e shtratit historik të dispozitës, pika 3 e saj është pa dyshim një reflektim i rekomandimeve të KV-së (shih: Standardet ndërkombëtare). Edhe pse çështja e rishikimit u diskutua në grupet e punës më parë, nuk pati ndonjë parashikim ligjor të posaçëm për këtë në projekt. Ndryshimet e tjera kanë natyrën e përmirësimeve nga pikëpamja e teknikës legjislative. Edhe në bisedimet e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, masat disiplinore iu nënshtruan debatit, i cili më tepër u fokusua në çështje të qartësisë dhe të teknikës legjislative[1].

       

      [1] Shih procesverbalin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, datë.23.05.2016, f. 49, i vlefshëm në: http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.05.2016.pdf.

    • Asnjë koment
  • 14. Një nga veçoritë që gëzon kjo dispozitë në kuadër të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare, është qasja e përmbajtjes së saj me rekomandimet e KV-së gjatë procesit të konsultimeve. Sipas Opinionit të Komisionit, kriteri i vlerësimit të aftësisë është kriteri më problematik. Kjo, sepse nëse KPK-ja gjen se puna e një gjyqtari është qartësisht nën standardin e duhur, çfarë duhet bërë me të gjitha vendimet përfundimtare që ka dhënë ai/ajo?

    15. Më tej, vetë KV-ja jep zgjidhjen, duke theksuar: “Është e qartë që një vlerësim i tillë nuk duhet të çojë në rihapjen masive të çështjeve të vjetra (përveç rasteve më të jashtëzakonshme dhe të rralla. Vetë fakti që vendimi i dyshuar është marrë nga një gjyqtar i shkarkuar për mungesë “aftësie”, nuk duhet të jetë bazë automatike për rihapjen e çështjes:pretenduesi duhet të demonstrojë në mënyrë bindëse se ka pasur një gabim themelor dhe të rëndë që justifikon rihapjen dhe kundërvënien ndaj parimit të sigurisë ligjore[1]. Në këtë rast, neni Ë/3 i është qasur këtij standardi, duke referuar shkaqet për rishikimin e vendimit të formës së prerë në parashikimet e legjislacionit procedural.

    16. Sa më sipër është lidhur vetëm me vlerësimin e aftësisë profesionale. Por, çështja mund të lidhet edhe me dy drejtimet e tjera të vlerësimit, vlerësimi i pasurisë dhe vlerësimi i figurës. Nëse subjekti shkarkohet për shkaqe të lidhura me to, çfarë do të ndodhë me vendimet e dhëna prej tij më parë, nën ndikimin e korrupsionit ose të krimit të organizuar? Kjo çështje nuk është shtruar në këto raste dhe as nuk ka parashikime të posaçme për dy drejtimet e tjera. Por, sidoqoftë, nëse do të ndodhë që të ketë kërkesa të tilla nga vetë palët e procesit, ato në mënyrë të njëjtë do t’i nënshtrohen standardit të vendosur nga KV-ja për rastin e vlerësimit të aftësisë profesionale, i cili është një qëndrim e standard shumë i qartë ndalues.

     

    [1]Shih: Venice Commission, “Interim Opinion on the draft Constitutional Amendment on the Judiciary”, § 123 http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)045-e.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Aurela Anastasi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi