KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 127:

1.Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:

a) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;

b) nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj;

c) mbush moshën 70 vjeç;

ç) jep dorëheqjen;

d) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.

2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës emëron, me pëlqimin e Kuvendit, një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i kësaj norme kushtetuese është listimi në mënyrë shteruese i të gjitha rasteve të mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në kohë, por edhe para afatit. Mandati i gjyqtarit kushtetues as nuk mund të zgjatet dhe as nuk mund të ndërpritet para afatit, përjashtimisht rasteve specifike që dispozita konkrete ka parashikuar.

      2. Parashikimi në një dispozitë më vete i rasteve të mbarimit të mandatit, që përgjithësisht nënkuptojnë çështje të konstatimit dhe të vërtetimit të faktit konkret, synon, në të njëjtën kohë, të bëjë edhe dallimin nga rastet e shkarkimit të gjyqtarit, për të cilat kërkohet një vlerësim mbi faktin.

      3. Dispozita konkrete ka si qëllim që krahas parashikimit të rasteve konkrete të mbarimit të mandatit, të shmangë edhe paqartësitë që shpesh janë krijuar nëpërmjet konfondimit me rastet e shkarkimit.

      4. Parashikimi kushtetues i pikës 3 për vazhdimin e mandatit nga anëtarët që zëvendësojnë gjyqtarët, të cilët lënë mandatin pa e përfunduar, dikur i vlerësuar si problematik, për shkak të dyshimeve që krijonte për pavarësinë dhe paanshmërinë e anëtarëve me mandat të kufizuar, në drejtim të ndikimit të vendimmarrjes së tyre nga interesa politikë apo interesa të organeve me të cilat ka lidhje avancimi i tyre në karrierë, tashmë konsiderohet i kapërcyer. Nëpërmjet rregullit të vazhdimësisë në detyrë, kushtetutëbërësi ka pasur si qëllim të sigurojë mirëfunksionimin e GjK-së, kryerjen e ripërtëritjes së përbërjes së gjyqtarëve, çdo tre vjet në një të tretën e saj, si dhe legjitimitetin për një vendimmarrje të qëndrueshme kushtetuese.

    • 5. Një mandat kushtetues i parashikuar specifikisht, me një afat të caktuar, shmang rrezikun e influencës dhe të presioneve politike ndaj gjyqtarit, për arsye se i garanton atij kohëzgjatje dhe paprekshmëri të mandatit. Koha e qëndrimit në detyrë e gjyqtarit kushtetues është kufizuar në 9 vjet. Pra, mandati i gjyqtarit kushtetues ka një përfundim normal, ashtu siç nuk mund të përjashtohen rastet kur konstatohen dhe vërtetohen faktet që lidhen me mbarimin e këtij mandati edhe përpara plotësimit të afatit të plotë 9-vjeçar.

      6. Në vështrimin e parë, përveç saktësimit të disa rasteve të mbarimit të mandatit, si edhe dallimit që duhej bërë me rastet e shkarkimit, që parashikohen në nenin 128, struktura e dispozitës duket sikur nuk ka ndonjë ndryshim të ndjeshëm nga formulimi i mëparshëm. Në të vërtetë, dispozita ka ndryshuar në thelbin e saj.

      7. Krahasuar me formulimin e mëparshëm, në dispozitën konkrete nevojitej një parashikim më i hollësishëm dhe shterues i rasteve të mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, që lidhen me përfundimin e afatit 9-vjeçar të qëndrimit në detyrë, me shkarkimin, me vërtetimin e kushteve të pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit apo me vërtetimin e faktit të pamundësisë për të ushtruar detyrën. Prandaj, neni 127 ka parashikuar shprehimisht të gjitha rastet e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues.

    • 8. Formulimi që është bërë në nenin 127 për rastet e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues ka shmangur mbivendosjen dhe, për pasojë, edhe paqartësinë që krijohej nga rastet e shkarkimit të gjyqtarit kushtetues.

      a) Dallimi ndërmjet mbarimit të mandatit dhe shkarkimit të gjyqtarit

      a.a) Në fakt, mbarimi i mandatit nuk është domosdoshmërisht edhe shkarkim i gjyqtarit, ndërkohë që shkarkimi i gjyqtarit sjell domosdoshmërisht përfundimin e mandatit të tij.

      a.b) Rregullimi i mëparshëm në Kushtetutë nuk qartësonte këto koncepte, kur parashikonte rastet për secilin prej këtyre dy instituteve. Rastet e mbarimit të mandatit dhe ato të shkarkimit janë të dallueshëm nga njëri-tjetri, pasi edhe shkaqet që çojnë te përfundimi i ushtrimit të funksionit të gjyqtarit për secilin rast janë të ndryshme. Ndërkohë që me rregullimin aktual rezulton se krahas rasteve të shkarkimit, që parashikohen në nenin 128, është parashikuar në nenin 127, shkronja “ç”, shkarkimi, si një nga rastet e mbarimit të mandatit.

      a.c) Nga krahasimi i dispozitave të mëparshme kushtetuese konstatohej paqartësi, sepse për të njëjtin fakt (kryerjen e një krimi) referimi bëhej si në rastet e mbarimit të mandatit (neni 127), ashtu edhe në rastet e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit (neni 128). Kështu, në nenin 127/1 parashikohej mbarimi i mandatit kur gjyqtari kushtetues dënohej me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi (shkronja “a”) dhe kur deklarohej i paaftë për të vepruar (shkronja “d”), ndërsa neni 128 parashikonte shkarkimin e gjyqtarit kushtetues, mes të tjerash, për kryerjen e një krimi dhe për paaftësi mendore dhe fizike.

      a.ç) Mbarimi i mandatit është thjesht deklarativ dhe lidhet kryesisht me situata a ngjarje që nuk varen nga vullneti i gjyqtarit, por që për arsye të vërtetimit të tyre, ai gjendet në pamundësi për të ushtruar detyrën, si p.sh. paaftësia fizike ose mendore, marrja e një detyre të re nga ana e zyrtarit, dorëheqja e tij nga detyra etj. Për më tepër që në rastin e përfundimit normal të mandatit, si mbushja e moshës apo plotësimi i afatit 9-vjeçar, gjyqtarit i mbaron mandati për shkaqe që nuk bien ndesh me rregullat apo ligjin, por thjesht për shkak të ngjarjeve që passjellin pamundësinë e tij për të ushtruar më tej detyrën.

      a.d) Shkarkimi lidhet me sjelljen e zyrtarit, që mund të jetë jo në pajtim me rregullat e ushtrimit të detyrës ose jo etike, që mund të dëmtojë besimin, si p.sh. shkelja e ligjit, mosushtrimi si duhet i detyrës, kryerja e një vepre penale gjatë ushtrimit të detyrës etj. Shkarkimi i gjyqtarit realizohet nëpërmjet një nisme që ndërmerret në kushtet kur ekziston përgjegjësia e tij. Pra, vetë gjyqtari me veprimet apo mosveprimet e tij ka shkaktuar një situatë paligjshmërie gjatë ushtrimit të detyrës, të papajtueshme me dinjitetin e funksionit, siç mund të jetë kryerja e një vepre penale ose akteve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Kjo nënkupton që veprimi i paligjshëm i atribuohet gjyqtarit, i cili në mënyrë të vullnetshme ka vepruar në një mënyrë të caktuar.

      a.dh) Kryerja e një krimi, si një nga rastet për të cilin zbatoheshin dy institute të ndryshme (mbarimi i mandatit dhe shkarkimi nga detyra), tashmë rezulton të ketë marrë zgjidhje me nenin 127.

      a.e) Gjithashtu edhe parashikimi si shkak për mbarimin e mandatit të rastit kur gjyqtari nuk paraqitej pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj, përbënte një mangësi të nenit 127. GjK-së nuk mund të konsiderohet efiçente kur një anëtar i saj mungon pa arsye për gjashtë muaj. Pa dyshim që ky rast, nëse verifikohet në praktikë, ndikon negativisht në funksionimin dhe efiçencën e Gjykatës Kushtetuese si institucion kolegjial, por ai shërben si një rast për shkarkimin e tij dhe jo për deklarimin e mbarimit të mandatit para afatit.

      9. Pazgjedhshmëria e papajtueshmëria në ushtrimin e funksionit janë raste që nuk parashikoheshin në dispozitat e mëparshme të Kushtetutës, ndërkohë që aktualisht gjenden të listuara në shkronjat “d” dhe “dh” të nenit 127, si raste të mbarimit të mandatit. Parashikimi në këtë dispozitë i këtyre dy instituteve si raste të mbarimit të mandatit shmang çdo konflikt, që eventualisht mund të paraqitet në të ardhmen, si p.sh. në rastin kur vërtetohet se zgjedhja e gjyqtarit kushtetues është bërë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. Shkeljet e rënda procedurale në zgjedhjen e gjyqtarit kushtetues janë veprime ose mosveprime që mund të lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e institucioneve emërtesë dhe jo domosdoshmërisht me veprimet e gjyqtarit, të cilat do të sillnin shkarkimin e tij nga detyra. Prandaj nevojitej parashikimi i këtyre rasteve në nenin 127, si shkaqe për mbarimin e mandatit të gjyqtarit kushtetues.

      10. Pamundësia për të ushtruar detyrën e gjyqtarit është një tjetër shkak për mbarimin e mandatit, të cilin e gjejmë të parashikuar në shkronjën “dh” të nenit 127. Ndryshe nga formulimi i mëparshëm, që parashikonte deklarimin me vendim gjyqësor të paaftësisë për të vepruar, si një nga rastet e mbarimit të mandatit (neni 127/d), por edhe vërtetimin e “paaftësisë mendore a fizike”, si një nga rastet e shkarkimit të gjyqtarit kushtetues (neni 128), rregullimi aktual duket si një zgjidhje korrekte. Si deklarimi i paaftësisë për të vepruar, ashtu edhe vërtetimi i paaftësisë mendore a fizike janë shkaqe të cilat nuk lidhen me veprimet apo mosveprimet e gjyqtarit, për shkak të të cilave krijohet një situatë paligjshmërie gjatë ushtrimit të detyrës. Ato janë situata që ndikojnë në pamundësinë e ushtrimit të detyrës prej gjyqtarit. Dhe si të tilla nuk përfshihen si raste të shkarkimit nga detyra, por të mbarimit të mandatit para afatit.

      11. Mandati i gjyqtarit kushtetues mbaron edhe në rastin kur ai vendos të japë dorëheqjen (shkronja “c”). Dorëheqja ishte e parashikuar si një rast i përfundimit të mandatit (neni 127/ç), por sipas formulimit të mëparshëm (neni 125, pika 5), pavarësisht nga dhënia e dorëheqjes, gjyqtari vazhdonte në detyrë “deri në emërimin e pasardhësit të tij”. Nisur nga fakti se dorëheqja është një akt vullnetar, është e pakuptimtë që gjyqtari të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pasi ka shprehur vullnetin për të mos qenë më gjyqtar kushtetues. Për më tepër, një zgjidhje e tillë duket se cenon edhe legjitimitetin e vendimmarrjes së tij. Mbi këtë bazë është bërë edhe një saktësim në nenin 125, pika 7, sipas të cilit gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij, vetëm në rastin e mbushjes së moshës 70 vjeç dhe në rastin e përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Një zgjidhje e tillë përjashton qëndrimin në detyrë të gjyqtarit që ka dhënë dorëheqjen apo është shkarkuar.

      12. Shkaqet mbi të cilat konfirmohet, në nenin 127, mbarimi i mandatit të gjyqtarit kushtetues kanë të bëjnë, si me mbarimin e mandatit në mënyrë normale, ashtu edhe me përfundimin e tij para afatit. Mbushja e moshës 70 vjeç, por edhe përfundimi i mandatit 9-vjeçar konsiderohen si ndërprerje normale e mandatit, për të cilin janë në dijeni si gjyqtari, ashtu edhe organet e emërtesës, të cilat detyrohen të ndërmarrin në kohë të gjithë hapat proceduralë për zëvendësimin e gjyqtarit të larguar. Të gjitha rastet e tjera, si dorëheqja, shkarkimi sipas parashikimeve të nenit 128, vërtetimi i kushteve të pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit, si dhe vërtetimi i faktit të pamundësisë për të ushtruar detyrën, janë raste që nuk u japin mundësi organeve të emërtesës për të marrë paraprakisht nismat për zëvendësimin e gjyqtarit të larguar. Për më tepër që vërtetimi i këtyre rasteve krijon vakuum të menjëhershëm institucional, sepse gjyqtari me mandat të përfunduar nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.

      13. Qëndrimi në detyrë pa asnjë kufizim kohor për gjyqtarin, të cilit i ka përfunduar mandati 9-vjeçar, apo ka mbushur moshën 70 vjeç, nuk gjen terren me ndryshimet që ka pësuar Kushtetuta. Është e kuptueshme se ndryshimi i formulës konsensuale të zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues, por edhe parashikimi i mekanizmit zhbllokues, nuk lejojnë përsëritjen e situatave të qëndrimit në detyrë tej mandatit të gjyqtarëve me mandat të përfunduar. Nga ana tjetër, është ligji n 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë””, që ka parashikuar procedura të detajuara për kohën e fillimit dhe të përfundimit të emërimit të gjyqtarit të ri.[1]

       

      [1]Sipas nenit 9, pika 3 të ligjit nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë””, “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, jo më vonë se 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, sipas pikës 1, shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, si dhe menjëherë në rastet e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, njofton organin e emërtesës për vendin vakant. Procedura për emërimin e gjyqtarit të ri përfundon jo më vonë se 60 ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka deklaruar përfundimin e mandatit.”.

    • 14. Shkaqet për të cilat përfundon mandati i gjyqtarit kushtetues nuk kanë pasur të njëjtin rregullim kushtetues në vite. Me ligjin n 7561, datë 29.4.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” parashikohej mbarimi i funksionit të gjyqtarit kushtetues kur “nuk e ushtron pa shkaqe të përligjura detyrën për më shumë se 6 muaj, jep dorëheqje, caktohet në detyra që nuk pajtohen me funksionin e tij, si dhe kur kalon afati, për të cilin është zgjedhur”.

      15. Sipas ligjit n 7561, datë 29.4.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, mandati i gjyqtarit kushtetues përfundonte para afatit vetëm në tri raste, të cilat kishin të bënin me mosushtrimin e detyrës pa shkaqe të përligjura për më shumë se 6 muaj, me dhënien e dorëheqjes, si dhe me vërtetimin e rasteve të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit. Sipas kësaj dispozite kushtetuese, mandati i gjyqtarit kushtetues përfundonte edhe kur kalonte afati për të cilin ai ishte zgjedhur. Sidoqoftë, dispozita kushtetuese lejonte edhe tej afatit ushtrimin e detyrës nga gjyqtari i larguar, vetëm kur një çështje e filluar nuk ishte përfunduar.

      16. Kushtetuta e vitit 1998 bëri disa ndryshime, duke parashikuar si raste të përfundimit të mandatit, dënimin e gjyqtarit me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, mosparaqitjen në detyrë për më shumë se 6 muaj, mbushjen e moshës 70 vjeç, dhënien e dorëheqjes, si dhe deklarimin të paaftë për të vepruar, sipas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Vërtetimi i këtyre rasteve kërkon një vlerësim nga vetë GjK-ja, që pas kërkesës së bërë nga kryetari i saj, deklaron mbarimin para afatit të mandatit të gjyqtarit. Vendimi që merr gjykata në raste të tilla ka natyrën e konstatimit të një fakti që mund të ketë ndodhur dhe që është lehtësisht i vërtetueshëm.

      17. Koha e qëndrimit në detyrë e gjyqtarit kushtetues, në ndryshim nga gjyqtarët e modelit amerikan, është e kufizuar në kohë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë emërohen për 9 vjet. Para miratimit të Kushtetutës së vitit 1998, koha e qëndrimit në detyrë e gjyqtarëve kushtetues ishte 12 vjet. Shumica e kushtetutave përcakton një afat 9-vjeçar për qëndrimin në detyrë, ndërkohë që njihen edhe mandate më të shkurtra ose më të gjata në kohë. “Në disa gjykata kushtetuese njihen afate 6-vjeçare për qëndrimin në detyrë të gjyqtarit kushtetues, si në Portugali, Burundi etj. Në Gjermani ky afat është 12 vjet, ndërsa në Kirgiztan është 15 vjet. Të vetmet gjykata kushtetuese që e lejonin përjetë qëndrimin në detyrë të gjyqtarit kanë qenë Gjykata Kushtetuese e Serbisë, në ish-Republikën Federative të Jugosllavisë, si dhe një gjykatë kushtetuese në një nga republikat ruse.”[1]

      18. Për sa i përket moshës maksimale tej së cilës nuk mund të qëndrojë në detyrë një gjyqtar kushtetues, përgjithësisht ka një kufi të pranueshëm. Në nenin 125 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë parashikohet se gjyqtarët kushtetues qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, por nuk mund të qëndrojnë në këtë detyrë tej moshës 70 vjeç.[2] Ndërsa në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, nuk kishte kufizim në moshë për ushtrimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues. Për rrjedhojë, në Gjykatën Kushtetuese e ushtronin këtë funksion edhe mbi këtë moshë. Pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998, ju desh Gjykatës Kushtetuese që me vendimin nr.8, datë 03.03.2000 të konkludonte se rregullat e reja nuk lejonin qëndrimin në detyrën e gjyqtarit kushtetues mbi moshën 70 vjeç. Sipas Gjykatës Kushtetuese “për rastet e ndërprerjes së mandatit para kohe (duke përfshirë dhe ndërprerjen e mandatit me mbushjen e moshës 70 vjeç), ashtu si dhe për elemente të tjera thelbësore të tij, edhe këta anëtarë do t’u nënshtrohen dispozitave të Kushtetutës”[3].

       

      [1]Sokol Sadushi, “Drejtësia kushtetuese në zhvillim”, Botimet Toena, Tiranë, 2012, f. 130.

      [2]Të njëjtin rregullim kushtetues ka edhe për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, të Belgjikës, të Armenisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Kirgiztanit etj., ndërsa gjyqtarët kushtetues të Turqisë e përfundojnë mandatin në moshën 65 vjeç.

      [3]Shih vendimin nr.8, datë 03.03.2000 të Gjykatës Kushtetuese të RSh-së.

    • Asnjë koment
  • 19. Si standarde mund të përmenden dokumentet e KV-së dhe sidomos ato rekomandime që janë bërë konkretisht në lidhje me mandatin e gjyqtarit kushtetues.

    i. Opinione të KV-së:

    a) “Opinion përfundimtar për projektamendamentet kushtetuese të rishikuara për gjyqësorin (datë 15 janar 2016) të Shqipërisë” nr. 824/2015, datë 14 mars 2016 (CDL-AD(2016)009).

    b) Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary in Albania.

    ii) Raporti i kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, 8 shtator 2011, http://www.osce.org/sq/albania/82274?download=true.

    iii) “Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, qershor 2015. www.reformanedrejtesi.al

    iv) Strategjia e reformës në sistemin e drejtësisë.

  • Materialet legjislative kryesore janë: (i) raporti që shoqëron projektligjin n 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”[1], “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, “Strategjia e reformës në sistemin e drejtësisë”, si dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2]

     

    [1] Shih www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf.

    [2] Shih www.reformanedrejtesi.al/procesverbale.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Vendimi nr.8, datë 03.03.2000 i Gjykatës Kushtetuese të RSh-së.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi