KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 132:

1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

2 Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.

3. Mendimi i pakicës publikohet bashkë me vendimin përfundimtar.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. GjK-ja e ushtron pushtetin e saj nëpërmjet vendimeve, të cilat kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe marrin fuqi juridike ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Ky është qëllimi kryesor i normës. KV-ja thekson në opinionin e saj se “një atribut tipik i gjykatave kushtetuese, sipas modelit europian, është efekti erga omnes i vendimeve të tyre”[1]. Nga ana tjetër, konsiderimi si përfundimtar i vendimit të GjK-së, në këtë dispozitë, synon jo vetëm detyrueshmërinë në zbatim, por evidenton gjithashtu edhe pamundësinë e subjekteve të gjykimit kushtetues për rishikimin dhe kundërshtimin e tij.

      2. Dispozita konkrete përcakton vendimin, si të vetmin akt të gjykimit kushtetues, ndryshe nga emërtimet e vendimmarrjes kushtetuese që njihen në jurisprudencën ndërkombëtare (decision, ruling, conclusion, order) që paraqesin veçori në formë, përmbajtje, qëllimin e veçantë, efektet juridike që sjellin, si dhe hyrjen në fuqi. Me këtë emërtim synohet të mos bëhet dallim as me vendimet që nxirren nga gjykatat e zakonshme.

      3. Riformulimi i pikës 1 të dispozitës, e cila lidhej me natyrën vetëm shfuqizuese të vendimeve të GjK-së, synon të theksojë dhe të qartësojë dallimet që kanë vendimet që shqyrtojnë kushtetutshmërinë e normës nga vendimet që merr Gjykata në procedurat impheachment për disa funksionarë të lartë, apo vendimet me natyrë konstatuese, si në rastet e pazgjedhshmërisë, të pamundësisë apo të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit.

      4. Norma e ndryshuar synon të shmangë mospërputhjen, por edhe një lloj keqkuptimi që duket se e krijonte formulimi i mëparshëm i ligjit, krahasuar me pikën 2 të nenit 132, për sa i përket momentit të fillimit të efekteve juridike të vendimit të GjK-së. Parashikimi në Kushtetutë, krahas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, si moment i fillimit të efekteve juridike, edhe i një date tjetër të urdhëruar nga GjK-ja, është një ndër synimet që ka norma e ndryshuar dhe që i krijon hapësirë ligjvënësit për të parashikuar me hollësi në ligj efektet e vendimit të Gjykatës.

      5. Një lloj juridiksioni më i zgjeruar që i njihet GjK-së, sipas nenit 131, shkronja “f”, e bënte më “të përshtatshme që fjalët “ligj apo akt tjetër normativ” të zëvendësohen me referencën ndaj “çdo akti të shqyrtuar nga GjK-ja”[2]. Pikërisht, një gjë të tillë e realizon pika 2 e nenit 132. I këtij qëndrimi është edhe KV-ja që sugjeron, ndërmjet të tjerave, se “me qëllim rritjen e efektshmërisë së shqyrtimit kushtetues, GjK-ja mund të ketë edhe pushtetin për të urdhëruar pezullimin e aplikimit të aktit normativ të shfuqizuar në lidhje me paditësin e çështjes, edhe nëse vendos ta shtyjë anulimin e aktit”. [3]

       

      [1] CDL-AD(2010)039 rev, studim mbi aksesin e individëve në drejtësinë kushtetuese, §167.

      [2] Opinion i ndërmjetëm për projektndryshimet kushtetuese për gjyqësorin e Shqipërisë; opinion nr. 824/2015, 21 dhjetor 2015, CDL-AD (2015) 045. § 32.

      [3] Po aty. § 32.  

    •  6. Pika 1 e dispozitës, megjithëse ka një ndryshim në formulim nga dispozita e ndryshuar, nuk e shmang efektin e përgjithshëm (erga omnes) të vendimeve, që me të drejtë vlerësohet si “një atribut tipik i gjykatave kushtetuese, sipas modelit europian” [1] Pavarësisht nga teknika që ka përdorur ligjvënësi kushtetues, efekti detyrues i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe karakteri përfundimtar i tyre mbeten të pandryshuara.

      7. Objekt kryesor i rregullimit që bëhet në pikën 2 është momenti i fillimit të efekteve juridike të vendimit të GjK-së. Kushtetuta njeh botimin në Fletoren Zyrtare si formën klasike të hyrjes në fuqi të vendimeve, ashtu siç pranon edhe fillimin e efekteve juridike në një datë tjetër, të caktuar nga GjK-ja.

      8. Parashikimi në fjalinë e dytë të pikës 2, edhe i një date tjetër për fillimin e efekteve juridike, krahas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, i jep mundësi ligjvënësit që të rregullojë efektet prapavepruese që mund të ketë një vendim i GjK-së, në veçanti ndaj një dënimi penal gjatë kohës që është në ekzekutim, nëse është i lidhur me ligjin ose aktin normativ të shfuqizuar, apo ndaj çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat, ndërkohë që vendimet e tyre nuk kanë marrë formë të prerë.

      9. Publikimi i mendimit të pakicës së bashku me vendimin përfundimtar, që është objekt i rregullimit të pikës 3 të dispozitës, është një rregull i pranuar ndërkombëtarisht, që dëshmon për përgjegjësinë që duhet të ketë gjyqtari kushtetues dhe që synon të shmangë dykuptimësinë “nëse publikimi i opinionit të pakicës është i detyrueshëm apo varet nga zgjedhja që bëjnë anëtarët e pakicës”. [2]

       

      [1] CDL-AD(2010)039rev, studim mbi aksesin e individëve në drejtësinë kushtetuese, §167

      [2] Po aty, § 32.   

    •  10. Pikësëpari, nevojitet të theksohet se vendimi është akti juridik nëpërmjet të cilit Gjykata Kushtetuese shpall përfundimin e një gjykimi kushtetues. Ky akt juridik ka të njëjtin formulim, si dhe elemente të përbashkëta me aktet që nxjerrin gjykatat e sistemit të zakonshëm, ashtu siç nuk mund të mos dallohen edhe disa veçori mes tyre. Zgjidhja e çështjeve konkrete është tipari kryesor i vendimeve që marrin gjykatat e zakonshme, ndërkohë që interpretimi i normës ligjore nga GjK-ja është një interpretim në abstrakt, me synim shpalljen e pajtueshmërisë së saj me normën kushtetuese. “Objekt i vendimeve gjyqësore është paligjshmëria e veprimit ose aktit juridik, ndërkohë që analiza e kushtetutshmërisë së aktit me natyrë normative që nxjerrin organet e larta shtetërore, pa përjashtuar dhe aktet me natyrë individuale, përbëjnë objektin kryesor të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”[1]

      11. Efekti përfundimtar i vendimeve të GjK-së lidhet me fjalën e fundit që ajo jep për zgjidhjen e çështjes konkrete, por edhe me mosndryshimin e tyre nga asnjë organ tjetër. Formulimi i pikës 1 të nenit 132 shmang ndërhyrjen e çdo organi mbi natyrën përfundimtare të vendimeve të GjK-së. Karakteri përfundimtar i vendimeve të saj nuk lejon moszbatimin e tyre nga organe të tjera, pavarësisht ndonjë rasti të veçantë që mund të jetë vërejtur. Vënia në dyshim e zbatimit të vendimeve të GjK-së është një defekt i rëndë në funksionimin e shtetit të së drejtës. Sa herë që është vënë në diskutim, veçanërisht nga parlamenti apo ekzekutivi, zbatimi i një vendimi të GjK-së, kjo ka qenë veçse një çështje e natyrës politike. Pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998, rasti i parë, në të cilin është vënë në dyshim natyra përfundimtare e vendimit të GjK-së, lidhet me vendimin nr. 76, datë 25.04.2002. Vendimi i Gjykatës detyronte Kuvendin për të rishqyrtuar të gjithë procedurën e shkarkimit të ish - Prokurorit të Përgjithshëm. Ky vendim mbeti i pazbatuar.

      12. Fuqia juridike e vendimit të GjK-së realizohet nëpërmjet botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare. Ky aspekt i rëndësishëm procedural kërkohet për një kategori të caktuar aktesh juridike që nxjerrin organet më të larta të shtetit, në varësi të rëndësisë së aktit dhe të karakterit të marrëdhënieve juridike që ai rregullon. Botimi në Fletoren Zyrtare është përcaktues, sepse nga ky moment lindin për subjektet të drejta dhe detyrime ligjore. Mosbotimi i aktit, kur kjo kërkohet nga ligji, shkakton moshyrjen në fuqi të tij dhe, për rrjedhojë, nuk shkakton asnjë efekt ligjor. Në jurisprudencën e GjK-së është i njohur qëndrimi, sipas të cilit ajo nuk ka pranuar të shqyrtojë kushtetutshmërinë e një norme juridike, për shkak të mosbotimit të saj në Fletoren Zyrtare. Në vendimin nr. 47, datë 07.07.1999, GjK-ja ka theksuar se “ndonëse rasti në shqyrtim përbën një praktikë të Këshillit të Ministrave që vjen ndesh me kërkesat e Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë për një akt që në bazë të Kushtetutës nuk ka marrë fuqi juridike e për pasojë kërkesa, meqenëse i mungon objekti, duhet të rrëzohet”[2]. Për këtë arsye, botimi në Fletoren Zyrtare i vendimeve të GjK-së dhe i akteve normative të institucioneve qendrore nuk ka thjeshtë karakter teknik, por merr efektet e një detyrimi kushtetues dhe me pasoja juridike.

      13. Kompetencat që ushtron GjK-ja, sipas nenit 131, e identifikojnë atë si një lloj “ligjvënësi negativ”. Vendimet që ajo merr, pasi konkludon për papajtueshmërinë me Kushtetutën të normës juridike të kundërshtuar, përfundojnë me shfuqizim. Formulimi i mëparshëm i fjalisë së dytë të pikës 1 të nenit 131, sipas të cilit “Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton”, krijonte një problematikë në vendimmarrjen e saj, për arsye se ajo nuk ka vetëm pushtet shfuqizues.

      14. Sidoqoftë, juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese nuk kufizohet vetëm në rastet e parashikuara në nenin 131. Ka jo pak dispozita të tjera në Kushtetutë, kur pas verifikimit që ajo kryen duhet të shprehet për kushtetutshmërinë e procedurave hetimore të kryera nga organe të ndryshme shtetërore, si p.sh., kur Gjykata konstaton papajtueshmërinë në ushtrimin e detyrës së deputetit (neni 70/4); kur vërteton një nga kushtet e pazgjedhshmërisë së deputetit (neni 69); kur verifikon procedurat e zgjedhshmërisë ose të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës (nenet 87, 94 dhe 131/e); kur vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë së Presidentit të Republikës për të ushtruar detyrën për më shumë se 60 ditë (neni 91/2); kur deklaron shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra, si rrjedhojë e vërtetimit të fajësisë së tij (neni 90/3); kur shkarkon nga detyra anëtarin e KLGj-së (neni 147/c), Prokurorin e Përgjithshëm (PP), anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (neni 149/c), Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (neni 147/e) etj. Gjithashtu, duke iu referuar nenit 127 të Kushtetutës, edhe deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues është një lloj tjetër gjykimi, i cili bëhet me vendim të GjK-së. Ka jo pak vendime kur GjK-ja në rastet e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ka marrë veçse një vendim konstatimi. Në të gjitha rastet e sipërpërmendura, GjK-ja nuk shfuqizon ndonjë normë juridike. Pikërisht, për këtë arsye, ligjvënësi kushtetues ka ndryshuar pikën 1 të nenit 132, duke e shmangur atë pushtet të kufizuar të GjK-së për shfuqizimin e normës.

      15. Përcaktimi nga GjK-ja i një date të mëvonshme për shfuqizimin e një ligji ose akti tjetër normativ, është një tjetër moment që përcakton fillimin e efekteve juridike të vendimit të saj. Nëpërmjet këtij rregullimi, Kushtetuta i ka dhënë një efekt të vonuar fuqisë juridike të vendimit të GjK-së. Në nenin 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është parashikuar se GjK-ja mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër nga data e botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare. Sipas kësaj dispozite kushtetuese, krahas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në varësi të rrethanave konkrete që lidhen me pasojat që mund të vijnë nga zbrazëtia ligjore e krijuar për shkak të shpalljes së antikushtetutshmërisë së normës juridike, vetë GjK-ja mund ta vlerësojë të domosdoshme shtyrjen e fillimit të efekteve juridike të vendimit të saj. “Pasi shprehet për papajtueshmërinë me Kushtetutën të normës juridike objekt shqyrtimi dhe për pasojat e rënda që mund t’i shkaktohen funksionimit normal të shtetit të së drejtës nga fuqia e menjëhershme e vendimit të saj, por edhe për shkak se ligjvënësi mund të mos veprojë në kohë për të plotësuar vakuumin ligjor të krijuar, Gjykata Kushtetuese mund të përcaktojë një datë të mëvonshme për fillimin e efekteve juridike të vendimit të saj” [3]. Në këto rrethana, norma juridike do të vazhdojë të konsiderohet si e pajtueshme me Kushtetutën, deri në datën që vetë GjK-ja ka përcaktuar për shfuqizimin e saj. “Një rregullim i tillë duket se e cenon epërsinë e Kushtetutës, pasi lejon vlefshmërinë për një kohë të caktuar të normës juridike të shpallur si antikushtetuese”[4].

       

      [1] Sokol Sadushi, “Drejtësia kushtetuese në zhvillim”, Botimet Toena, Tiranë 2012, f. 376.

      [2] Shih më gjerë vendimet  nr. 47, datë 07.07.1999 dhe nr. 53, datë 28.09.1999 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

      [3] Sokol Sadushi,”Drejtësia Kushtetuese në zhvillim”, Botimet Toena, Tiranë 2012, f. 401.

      [4] Po aty, f. 402

    •  16. Vendimet e GjK-së kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Pavarësisht nga mënyrat e ndryshme të formulimit që janë ndjekur në vite, efekti përfundimtar i vendimeve evidentohet në çdo normë kushtetuese. “Vendimet e gjykatës janë përfundimtare dhe të formës së prerë”. Ky është rregullimi që bëhej në nenin 26 të ligjit nr. 7561, datë 29.04.1992 ““Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese””. Pra, me vendimet që nxjerr GjK-ja ka fjalën e fundit kur zgjidh çështjen konkrete. Kjo mënyrë formulimi e shmang ndërhyrjen e organeve të tjera, qoftë edhe të Kuvendit, për natyrën përfundimtare të vendimeve të GjK-së.

      17. Ndryshimi që pësoi ky rregullim me Kushtetutën e vitit 1998 ishte në drejtim të dhënies së një fuqie të përgjithshme (erga omnes) vendimeve të GjK-së. Formulimi i nenit 132 të Kushtetutës se “vendimet e GjK-së kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”, nënkupton se çdo vendim i saj e ka efektin erga omnes, sepse është i detyrueshëm për të gjithë. Sidoqoftë, efektet erga omnes lidhen kryesisht me natyrën e gjykimit kushtetues. Një efekt të tillë e kanë, në veçanti, vendimet që merr Gjykata gjatë shqyrtimit të kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë së normës juridike.

      18. Pavarësisht nga mosparashikimi i termit “të përgjithshme”, në formulimin që pësoi neni 132, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, sipas të cilit “vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”, fuqia erga omnes e tyre nuk humbet. Në veçanti jo vetëm përmbajtja e dispozitivit të vendimit, por edhe arsyetimi i tij (rationes decidenti) formojnë pjesë të efekteve erga omnes. Pra, detyrimi për zbatimin e vendimeve nuk mund të kufizohet. Ai mbetet “një detyrim, që u vihet të gjithëve në lidhje me një çështje konkrete (p.sh. vendimi për mbrojtjen e një të drejte individuale detyron të gjithë ta respektojnë) dhe një detyrim që u vihet të gjithëve jo për një çështje konkrete, por për një çështje të përgjithshme (p.sh. vendimi që anulon një ligj ose dispozitë të tij)”[1]. Detyrimi për zbatim ritheksohet edhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, sipas të cilës “vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjitha organet kushtetuese, autoritetet publike dhe gjykatat. Ato përbëjnë jurisprudencë kushtetuese dhe për rrjedhojë kanë efektet e forcës së ligjit. I detyrueshëm nuk është vetëm dispozitivi i vendimeve të GjK-së, por dhe pjesa arsyetuese e vendimit”[2].

      19. Botimi në Fletoren Zyrtare, si dhe caktimi i një date nga vetë GjK-ja për fillimin e efekteve të vendimeve të saj, është një rregullim kushtetues që, me gjithë ndryshimet në formulim, në thelbin e tij ka mbetur i njëllojtë. Ndryshimi ndërmjet normave kushtetuese në vite qëndron në lidhje me momentin që përcakton fillimin e efekteve juridike; pra nëse do të jetë data e botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, apo nga e nesërmja e këtij botimi. Sipas nenit 26 të ligjit nr. 7561, datë 29.04.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, ligji, akti që ka fuqinë e ligjit, akti nënligjor dhe dispozitat e veçanta të tyre që shpallen si antikushtetuese “e humbasin fuqinë të nesërmen e shpalljes së vendimit në "Gazetën zyrtare". Sipas nenit 132, pika 2 të Kushtetutës së vitit 1998 “vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”. Të njëjtin formulim e gjejmë edhe në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016: “vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare”. Përdorimi i termit “publikim” në vend të termit “botim”, në pamje të parë nuk krijon ndonjë dallim thelbësor. Megjithatë, kjo është një çështje që mbetet të qartësohet në vijimësi nga jurisprudenca kushtetuese, sepse publikim mund të konsiderohet edhe vendosja në faqen zyrtare të Qendrës së Publikimeve Zyrtare, në dallim nga “botimi”, që nënkupton nxjerrjen fizikisht nga shtypi të Fletores Zyrtare.

      20. Fillimi i efekteve juridike të vendimit të GjK-ja realizohet edhe nëpërmjet vendosjes së një afati nga vetë Gjykata Kushtetuese. Në nenin 26 të ligjit nr. 7561, datë 29.04.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, parashikohej se “në rastet e tjera vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi në afatin e parashikuar prej tij”. Kushtetuta e vitit 1998 bëri një saktësim nëpërmjet riformulimit se “Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër”.  Sipas këtij rregullimi, nuk ndryshonte botimi në Fletoren Zyrtare si datë e hyrjes në fuqi të vendimit, por norma juridike e shfuqizuar do të mbetej në fuqi deri në datën që e vendoste GjK-ja. Pikërisht këtë kuptim iu dha me riformulimin e nenit 132 pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, sipas të cilit “Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër”.

      21. Nevojën për një saktësimin të nenit 132 e paraqet edhe KV-ja në Opinionin e ndërmjetëm të datës 21 dhjetor 2015, ku thekson: “Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që ligji apo akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër. Për sa zgjerohen pushtetet e GjK-së (shih 131 (f)) mund të jetë më e përshtatshme që fjalët “ligj apo akt tjetër normativ” të zëvendësohen me referencën ndaj “çdo akti të shqyrtuar nga GjK-ja.”[3].

       

      [1] Kristaq Traja,  “Drejtësia kushtetuese”, shtëpia botuese “Luarasi”, Tiranë 2000, f. 103.

      [2] Shih “Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, qershor 2015, www.reformanedrejtesi.al, f.41.

      [3] Opinion i ndërmjetëm për projektndryshimet kushtetuese për gjyqësorin e Shqipërisë; opinion nr. 824/2015, 21 dhjetor 2015, CDL-AD (2015) 045. § 32.  

    • Asnjë koment
  • Si standarde ndërkombëtare mund të përmenden :

    i. Opinione të Komisionit të Venecies:

    a) “Opinion përfundimtar për projektamendamentet kushtetuese të rishikuara për gjyqësorin (datë 15 janar 2016) e Shqipërisë” nr. 824/2015, datë 14 mars 2016 (CDL-AD(2016)009).

    b) Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary in Albania, 56 .

    c) Opinion i Komisionit të Venecies, CDL -AD (2008) 033 “Për ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, miratuar nga Kuvendi më 21 Prill 2008.

    ii) “Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, qershor 2015, www.reformanedrejtesi.al

    iii) Strategjia e reformës në sistemin e drejtësisë

  • Materialet legjislative kryesore janë: (i) raporti që shoqëron projektligjin n 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar[1], “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, “Strategjia e reformës në sistemin e drejtësisë”, si dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2]

     

    [1] Shih www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf

    [2] Shih www.reformanedrejtesi.al/procesverbale.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 47, datë 07.07.1999 i Gjykatës Kushtetuese të RSh-së.

    Vendimi nr. 53, 28.09.1999 i Gjykatës Kushtetuese të RSh-së.

  • Materiale relevante janë Dokumenti Analitik dhe Dokumenti Strategjik i Reformës në Sistemin e Drejtësisë, të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.[1] Shpjegimet më të plota në lidhje me zgjidhjet konkrete të materializuara në ligj gjenden në materialet legjislative të sipërcituara.

    Sokol Sadushi, “Drejtësia kushtetuese në zhvillim”, Botimet Toena, Tiranë 2012.

    Kristaq Traja, “Drejtësia kushtetuese”, shtëpia botuese “Luarasi”, Tiranë 2000.

     

    [1] Shih www.reformanedrejtesi.al/dokumenti-analitik dhe www.reformanedrejtesi.al/dokumenti-strategjik-dhe-plani-i-veprimit.

  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi