KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 136-a:

1. Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit.

2. Kritere të tjera për përzgjedhjen dhe emë-rimin e gjyqtarëve parashikohen me ligj.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 136/a është vendosja e kritereve bazë, si dhe përcaktimi i organit përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve, pavarësisht juridiksionit, me përjashtim të atyre të GjL-së dhe GjK-së. Kjo dispozitë prezanton një nga risitë e reformës në drejtësi, që lidhet me shmangien e ndikimit të politikës mbi sistemin e drejtësisë, por edhe me rritjen e profesionalizmit. Vendosja e një kriteri profesional më të lartë se më parë për të qenë gjyqtar, që lidhet me përfundimin e Shkollës së Magjistraturës dhe jo vetëm me përfundimin e arsimit juridik, si dhe me kushtin e pasjes së një figure të pastër morale para marrjes së detyrës, është qëllimi kryesor i dispozitës. Të dyja këto elemente kanë qenë në bazë të të gjitha ndryshimeve që i janë bërë Kushtetutës dhe ligjeve organike të organeve të sistemit të drejtësisë, gjë që është reflektuar edhe në këtë dispozitë.

    • 2. Neni 136/a ka 2 pika, ku në pikën e parë jepen kriteret bazë profesionale që duhet të plotësojnë gjyqtarët para emërimit, si dhe kushtet e tjera që lidhen me figurën e tyre morale. Të parat kanë të bëjnë me qenien shtetas shqiptar dhe përfundimin e studimeve pranë Shkollës së Magjistraturës të dytat lidhen me kontrollin e pasurisë dhe të figurës para marrjes së detyrës.

      3. Në pikën 2 parashikohet autorizimi kushtetues i ligjvënësit për të parashikuar në mënyrë më të detajuar rregulla lidhur me kriteret profesionale për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve. Ligji i cili ka për objekt rregullimin e këtyre çështjeve është ligji nr.96/2016 “Për statusin...”, ndërsa kontrolli paraprak i pasurisë dhe i figurës për sa kohë do të jetë në fuqi Aneksi i Kushtetutës është ligji nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar...” të magjistratëve (ligji i vetting-ut). Pas këtij momenti, ligji i zbatueshëm është ligji nr.96/2016 “Për statusin e magjistratëve” dhe ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

    • 4. Neni 136/a ka për subjekt kandidatët për gjyqtarë të të gjitha niveleve dhe juridiksioneve, me përjashtim të gjyqtarëve të GjL-së dhe të GjK-së. Dispozita prezanton kriteret dhe kushtet bazë të emërimit në funksionin e gjyqtarit, të cilat duhet t’i ketë në vëmendje organi kryesor i parashikuar për administrimin e drejtësisë, KLGj-ja, që një ndër kompetencat kryesore ka edhe emërimin e gjyqtarëve.

      5. Neni 136/a u parashikua si nen më vete në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, por rregullime të pjesshme të tij kanë qenë të përfshira në nenin e mëparshëm 136, pikat 4 dhe 5. Ajo që ka ndryshuar lidhet me organin përgjegjës për emërimin, si dhe me kriteret shtesë.

      6. Konkretisht, emërimi i gjyqtarëve sipas nenit 136/a bëhet ekskluzivisht vetëm nga KLGj-ja, ndërsa sipas rregullimit të mëparshëm emërimi ishte kompetencë e Presidentit të Republikës, mbi propozimin e ardhur nga KLD-ja. Ky i fundit, pasi bënte vlerësimin në meritë të kandidatëve për gjyqtarë, i propozonte Presidentit emërimin e tyre. Presidenti kishte të drejtë të mos emëronte ndonjë gjyqtar të propozuar, pavarësisht qenies së tij si kreu i KLD-së. Për shkak të rikonfigurimit të rolit të Presidentit, në raport me sistemin e drejtësisë, që rezultoi me reduktimin e ndjeshëm të kompetencave të tij në këtë fushë, tashmë kompetencën e emërimit të gjyqtarëve e ka ekskluzivisht KLGj-ja. Në këtë rast, Presidenti nuk është përfshirë në proces, në dallim nga kompetenca e tij për emërimin e gjyqtarëve të GjL-së. Ky model i përshtatet tërësisht rolit dhe misionit që ka tashmë ky organ kushtetues pas ndryshimeve të vitit 2016. KLGj-ja është organi që siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë (shih komentin e nenit 147).[1]

      7. Një nga risitë e reformës në drejtësi është vendosja e kritereve të matshme profesionale për të gjitha organet e këtij sistemi. Nëse i kthehemi përmbajtjes së mëparshme të nenit 136, pikat 4 dhe 5, që i korrespondojnë rregullimit aktual të nenit 136/a, ajo që bie në sy është se i vetmi kriter profesional për të qenë gjyqtar është arsimi juridik. Kriteret e tjera u shtuan me kalimin e viteve në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor.[2] Vendosja në Kushtetutë e kriterit të përfundimit të Shkollës së Magjistraturës erdhi si një nevojë e natyrshme për t’i dhënë fund emërimeve të gjyqtarëve jashtë kësaj kategorie, duke qenë se tashmë Shkolla e Magjistraturës ka një përvojë të gjatë të funksionimit të saj dhe për rrjedhojë arrin të plotësojë nevojat për magjistratë në shkallë vendi. Ligji parashikon më tej kritere të detajuara lidhur me pikët minimale të përfundimit të studimeve, si dhe vlerësimin profesional gjatë stazhit në përfundim të kursit për formimin fillestar.[3]

      8. Një risi tjetër lidhur me emërimin e gjyqtarëve është edhe verifikimi paraprak i pasurisë dhe i figurës për të gjithë kandidatët për gjyqtarë. Ligji për statusin e magjistratëve ka parashikuar procedurat e verifikimit të pasurisë dhe të figurës, proces i cili zhvillohet jo vetëm para emërimit gjyqtar/prokuror, por edhe para pranimit në kursin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës.[4]

      9. Për të garantuar respektimin e kritereve profesionale, si dhe për të mos lënë mundësi të devijimit të tyre me anë të ligjeve organike, u pa e nevojshme, ashtu si edhe për organet e tjera kushtetuese, që kriteret dhe kushtet e domosdoshme të parashikoheshin në Kushtetutë, duke autorizuar ligjvënësin e zakonshëm të rregullojë detajet e tjera. Në bazë të nenit 136/a, pika 2 është miratuar ligji nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili parashikon kritere të tjera dhe procedura të detajuara për procesin paraprak të përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve.

       

      [1] Shih http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e § 25.

      [2] Shih nenin 11 të ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor” (të shfuqizuar).

      [3] Neni 35, pika 1, shkronjat ”a” dhe “b” të ligjit nr.96/2016.

      [4] Shih nenin 35, pika 1 dhe nenin 32, pikat 2-6 të ligjit nr.96/2016.

    • 10. Siç duket edhe nga emërtimi i tij, neni 136/a është i shtuar, ndërsa përmbajtja e tij ka qenë e përfshirë më parë në nenin “e vjetër” 136, pika 5. Për efekt të teknikës legjislative neni 136 iu kushtua tërësisht GjL-së, ndërsa 136/a rregulloi emërimin e gjyqtarëve të tjerë. Kriteret e shtuara, përfundimi i Shkollës së Magjistraturës dhe verifikimi paraprak i pasurisë dhe i figurës janë pjesërisht risi. Ndërsa i pari ka qenë i përfshirë si kriter në ligjin e mëparshëm për organizimin e pushtetit gjyqësor,[1] kriteri i dytë është tërësisht i ri dhe i parashikuar në kuadër të masave antikorrupsion në sistemin e drejtësisë.

      11. Bazuar në gjetjet e Analizës së Sistemit të Drejtësisë u evidentuan probleme lidhur me statusin, karrierën dhe sistemin e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, konkretisht: (i) qartësimi dhe kodifikimi (përmbledhja në një ligj të vetëm) i dispozitave që lidhen me statusin e gjyqtarit; (ii) kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë, procedurat e emërimit dhe të transferimit të tyre, procedurat e promovimit, procesi disiplinor, rastet e largimit nga detyra dhe të gjitha elementet e tjera të statusit); (iii) garantimi se procesi i emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve do të bazohet në kritere transparente, objektive dhe meritokratike, të tilla si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës. Këto probleme dhe mangësi u pasqyruan më tej në strategjinë e reformës në drejtësi, e cila konkludoi me hartimin e dispozitave përkatëse, përfshi edhe nenin 136/a të Kushtetutës. Për këtë arsye, dispozita përmban jo vetëm kritere profesionale për garantimin e integritetit profesional, por edhe kushte që lidhen me pastërtinë e figurës morale, me qëllim që të parandalohet futja në sistem e gjyqtarëve të papërshtatshëm me të. Ky mekanizëm garanton zbatimin në mënyrë të përhershme të kontrollit që do t’i nënshtrohen të gjithë personat që do të përfshihen në sistemin e drejtësisë.

       

      [1] Shih nenin 11/1, pika “c”, të ligjit nr.9877/2008, të shfuqizuar.

    • Asnjë koment
  • 12. Referuar standardeve europiane, "të gjitha vendimet në lidhje me karrierën profesionale të gjyqtarëve duhet të jenë bazuar në kritere objektive dhe përzgjedhja dhe karriera e gjyqtarëve duhet të bazohet në merita, duke pasur parasysh kualifikimet, integritetin, aftësinë dhe efikasitetin. Autoriteti merr vendimin në përzgjedhjen dhe karrierën e gjyqtarëve duhet të jenë të pavarur nga qeveria dhe Administrata.”.[1] Në demokracitë e reja që nuk kanë krijuar traditë në emërimin e pavarur të gjyqtarëve nevojitet që parashikimi i garancive të jetë i shprehur në dispozita kushtetuese, me qëllim ruajtjen nga abuzimi i pushtetit politik.[2] Gjithashtu, në lidhje me parashikimin e disa kritereve bazë KV-ja është shprehur pozitivisht duke e konsideruar arritje edhe faktin që tashmë ka kritere dhe procedurë transparente.[3]

     

    [1] Rekomandimi nr. R (94)12 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për pavarësinë dhe rolin e gjyqtarëve.

    [2] Shih materialin e Komisionit të Venecies për emërimin e gjyqtarëve CDL-JD(2007)001, http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-JD(2007)001-e § 3-5.

    [3] Shih http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e § 25-26.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi