KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 140:

1. Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.

2. Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur:

a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës;

b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

3. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur:

a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;

b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;

c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

 4. Kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    •  1. Dispozita synon të garantojë ushtrimin e funksionit të gjyqtari me përgjegjshmëri dhe etikë në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Ky qëllim buron nga ideja se të gjitha organet kushtetuese duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit dhe duhet t’u nënshtrohen standardeve më të larta profesionale dhe etike.

      2. Gjithashtu, dispozita synon të krijojë garancitë e nevojshme për autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit në të gjitha nivelet nëpërmjet përcaktimit në mënyrë të qartë në Kushtetutë të rasteve dhe procedurës së shkarkimit, organeve të ngarkuara me këtë përgjegjësi dhe kërkesave për respektimin e procesit të rregullt.

      3. Masa disiplinore “shkarkim nga detyra” ka si qëllim thelbësor të deklarojë përgjegjësinë disiplinore të magjistratit për shkak të shkeljes disiplinore që ai ka kryer dhe ta largojë atë përfundimisht nga funksioni. Gjithashtu, kjo masë ka si qëllim të riparojë dëmin e interesit publik që ka ardhur nga shkelja disiplinore, qoftë edhe në formën e cenimit të besimit publik te sistemi i drejtësisë. Së fundmi, kjo masë disiplinore ka edhe efekt parandalues të përgjithshëm ndaj magjistratëve të tjerë, duke dhënë mesazhin se shkelje të tilla disiplinore hetohen dhe sanksionohen me shkarkim nga detyra. “Shkarkimi nga detyra” është sanksioni më i rëndë disiplinor, për këtë arsye ligjvënësi e ka parashikuar këtë masë në Kushtetutë, duke dhënë edhe garancitë përkatëse. Vetëm kur KLGj-ja vërteton përgjegjësinë disiplinore të magjistratit për një shkelje shumë të rëndë, që e bën atë të papërshtatshëm ose të padenjë për të vazhduar ushtrimin e funksionit, mund të shkarkohet nga detyra. Papërshtatshmëria ose padenjësia e magjistratit për të vazhduar funksionin mund të ketë si shkak: (i) dënimin e magjistratit për kryerjen e një krimi; (ii) paaftësinë e rëndë dhe të dukshme të magjistratit; (iii) sjelljen e kryer me pakujdesi të rëndë, që shkel haptazi vlerat themelore të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.

      4. Për ruajtjen e autoritetit dhe të besimit të publikut te ky institucion, dispozita parashikon edhe rastet e pezullimit nga detyra të gjyqtarit, kur ndaj tij merret një masë sigurimi, kur merret me cilësinë e të pandehurit ose kur procedohet për shkelje disiplinore, sipas përcaktimeve dhe kufizimeve të veçanta.

    •  5. Dispozita rregullon procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve për shkelje disiplinore dhe për pezullimin e tyre nga detyra. Këto rregulla procedurale përfshijnë rastet kur vendoset shkarkimi, rastet kur vendoset pezullimi dhe organet vendimmarrëse.

      6. Së pari, në pikën 1 të dispozitës deklarohet parimi i përgjithshëm për përgjegjësinë disiplinore që përshkon, si rregull, të gjitha organet kushtetuese të sistemit të drejtësisë, ku përfshihet logjikisht edhe gjyqtari i çdo niveli, tashmë edhe ai i GjL-së. Përjashtim bëjnë gjyqtarët e GjK-së, për të cilët gjen zbatim neni 128 dhe anëtarët gjyqtarë të KLGj-së, të cilët mbajnë përgjegjësi disiplinore sipas nenit 147/c. Së dyti, dispozita i delegon ligjvënësit kompetencën për të rregulluar çështjen e përgjegjësisë disiplinore në mënyrë më të detajuar. Shkarkimi nga detyra listohet në nenin 105, pika 1, shkronja “dh”, të ligjit për statusin si masa më e rëndë disiplinore, ndërsa neni 111 përcakton përmbajtjen e kësaj mase.[1]

      7. Në pikën 2 përcaktohen dy raste kur vendoset shkarkimi: a) për shkelje të rënda profesionale ose etike dhe; b) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Për rastin e parë, fillimisht duhet të përcaktohet se cilat janë kërkesat profesionale dhe etika që i imponohen gjyqtarit në ushtrimin e detyrës dhe, më pas, të vlerësohen shkeljet e këtyre kërkesave, të cilat konsiderohen si shkelje të rënda. Ligji që është nxjerrë në zbatim të dispozitës ka përcaktuar se çfarë konsiderohen shkelje disiplinore, të cilat përbëjnë dhe shkak për marrjen e masës disiplinore ndaj gjyqtarit.[2] Masa disiplinore e shkarkimit jepet vetëm në këto raste: a) kur shkelja është shumë e rëndë; b) kur KLGj-ja çmon se natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes e bëjnë magjistratin të papërshtatshëm ose të padenjë për të ushtruar funksionin e tij, për shkak të dënimit për kryerjen e një krimi, për shkak të paaftësisë së rëndë dhe të dukshme, ose për shkak të një sjelljeje që kryhet të paktën me pakujdesi të rëndë, sipas nenit 101, shkronja “b”, të ligjit për statusin, dhe që shkel haptazi vlerat themelore të sistemit gjyqësor e të prokurorisë.[3] Në vlerësimin dhe interpretimin e këtyre rasteve të përcaktuara nga ligji duhet mbajtur parasysh balanca që synohet të garantohet nga dispozita kushtetuese ndërmjet përgjegjshmërisë ndaj kërkesave profesionale dhe etike, nga njëra anë, dhe ushtrimit të detyrës në mënyrë të pavarur jashtë ndikimeve të papërshtatshme, nga ana tjetër. Ligji për statusin ka përcaktuar kriteret për caktimin e masës disiplinore.[4] Për këtë qëllim duhet mbajtur parasysh edhe jurisprudenca kushtetuese.[5] Për rastin e dytë, referimi bëhet në ligjin penal, që përcakton se çfarë kuptojmë me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe me krim. Në këtë rast, shkarkimi vjen si pasojë e një vendimi gjyqësor që e deklaron fajtor gjyqtarin për kryerjen e një krimi dhe nuk presupozon vlerësim dhe diskrecion nëse duhet marrë masa e shkarkimit apo jo.

      8. Pretendimet për shkelje disiplinore të kryera nga gjyqtari hetohen nga ILD-ja.[6] Nëse ka dyshime të arsyeshme që gjyqtari ka kryer shkelje disiplinore, ILD-ja fillon procedimin disiplinor, duke ia paraqitur raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore KLGj-së.[7] Pas shqyrtimit të fakteve dhe provave, nëpërmjet një procesi të rregullt, KLGj-ja rrëzon kërkesën për procedim disiplinor ose e pranon atë dhe vendos një ose disa masa disiplinore, duke përfshirë edhe shkarkimin. KLGj-ja nuk është e detyruar t’i qëndrojë masës disiplinore të propozuar dhe jep vendim të arsyetuar me shkrim, të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës.[8]

      9. Në pikën 3 të dispozitës parashikohet e drejta e gjyqtarit për të kundërshtuar në GjK shkarkimin e tij nga KLGj-ja. Rishikimi nga GjK-ja përbën një garanci të rëndësishme për mbrojtjen e statusit dhe të të drejtave të magjistratëve.

      10. Në pikën 4 përcaktohen rastet e pezullimit nga detyra të gjyqtarit dhe organi që vendos pezullimin. Dy rastet e para lidhen me një procedim penal ndaj gjyqtarit, ndërsa rasti i tretë me një procedim disiplinor. Në rastet penale, të parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, pezullimi vjen si pasojë e masës së sigurimit personal të kufizimit të lirisë ose marrjes me cilësinë e të pandehurit. Masa e sigurimit personal duhet të jetë “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi”, pavarësisht nga vepra penale për kryerjen e së cilës akuzohet. Ndërsa për rastin kur merret me cilësinë e të pandehurit, vepra për të cilën ai akuzohet duhet të jetë krim i rëndë i kryer me dashje.[9] Për pezullimin për shkak të fillimit të procedimit disiplinor, të parashikuar nga shkronja “c” e pikës 4, duhet t’i referohemi rregullimit ligjor në ligjin për statusin të përmendur më sipër.[10]

      11. KLGj-ja vendos pezullimin e gjyqtarit kur plotësohet një nga kushtet e parashikuara në pikën 4. Dy rastet e para lidhen me një procedim penal ndaj gjyqtarit, ndërsa rasti i tretë me një procedim disiplinor. Në rastet penale, të parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, pezullimi vjen si pasojë e masës së sigurimit personal të kufizimit të lirisë ose marrjes me cilësinë e të pandehurit. Për rastin e tretë, kur fillon një procedim disiplinor, kërkesa paraqitet nga ILD-ja.

      12. Rregullat e parashikuara në këtë dispozitë kanë natyrë organike. Për të dyja çështjet normative, të shkarkimit dhe pezullimit, përcaktohen rastet dhe kushtet përkatëse për marrjen e këtyre masave, organi vendimmarrës dhe ai rishikues. Dispozita, krahas detyrimit për organet përkatëse për të vepruar kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga kjo dispozitë, i njeh të drejtën gjyqtarit për të kundërshtuar veprimet që ndërmerren jo në respekt të rregullimeve kushtetuese. Ligjvënësi kushtetues ka veçuar këto rregulla nga rregullimi normativ që kërkohet për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit, duke i ngurtësuar ato në Kushtetutë, për shkak të rëndësisë që kanë në drejtim të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës së këtij institucioni. Në pikat 1 dhe 4 të dispozitës ngarkohet ligjvënësi për të rregulluar me ligj në mënyrë më të hollësishme aspekte të veçanta të këtyre çështjeve, pa cenuar përcaktimet dhe kufizimet kushtetuese.

       

      [1] Shih ligjin nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (ligji për statusin), pjesa V, nenet 100-116.

      [2] Po aty, nenet 101 (Shkeljet disiplinore dhe çështje të veprimtarisë), 102 (Shkeljet disiplinore në lidhje me ushtrimin e funksionit), 103 (Shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit) dhe 104 (Shkeljet disiplinore për shkak të kryerjes së veprave penale).

      [3] Po aty, neni 111. Po t’i referohemi nenit 148/d, por edhe ligjit për statusin e magjistratit shihet se ligjvënësi jo vetëm në nivel kushtetues, por edhe në nivel ligjor ka preferuar të bëjë të njëjtin rregullim për rastet dhe procedurën e përgjegjësisë disiplinore, si për gjyqtarët, ashtu edhe për prokurorët. Arsyeja për këtë ka të bëjë me funksionin e ngjashëm për nga rëndësia që kanë në dhënien e drejtësisë.

      [4] Po aty, neni 115.

      [5] Shih vendimin nr.75/2002 të GjK-së:”…Gjykata Kushtetuese arsyeton se kuptimi i saktë dhe i drejtë i saj i përdorur në këtë dispozitë kushtetuese, por edhe në të tjera, duhet të analizohet dhe vlerësohet në tërësi nga disa faktorë që kanë të bëjnë me rëndësinë e shkeljes së ligjit, pasojat e ardhura apo që mund të vinin nga kjo shkelje, kohëvazhdimin e këtyre pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre, si dhe vetë qëndrimin subjektiv që mban personi konkret ndaj shkeljes së kryer dhe pasojës së ardhur. Gjithashtu, cilësimi “rëndë”, i përdorur si për rastin e diskreditimit të pozitës dhe figurës së gjyqtarit e të prokurorit, ashtu dhe të shkeljes së ligjit, i shërben njëkohësisht organit kompetent që fillon procedurat e shkarkimit për të dalluar këto veprime nga sjelljet e një kategorie më të lehtë, të cilat nuk mund të përdoren për të motivuar shkakun e shkarkimit...”.

      [6] Shih komentin për nenin 147/d; ligjin për statusin, nenet 117-147.

      [7] Ligji për statusin, neni 138/1.

      [8] Po aty, neni 146, pikat 2-3.

      [9] Për përkufizimin e termit “krim i rëndë i kryer me dashje”, bazohemi në masën e dënimit dhe elementin subjektiv sipas përcaktimit të Kodit Penal.

      [10] Ligji për statusin, neni 138.

    • a) Procedimi disiplinor dhe vendimmarrja e KLGj-së

      13. Siç u përmend më sipër, KLGj-ja vihet në lëvizje nga ILD-ja për procedimin disiplinor të gjyqtarit. Dispozita krijon një ndarje të qartë të funksionit të hetimit dhe procedimit disiplinor nga ai vendimmarrës. Sipas rregullimeve të mëparshme në ligjin për pushtetin gjyqësor, ministri i Drejtësisë kishte autoritetin për të filluar procedimin disiplinor, kryesisht ose me rekomandimin e Inspektoratit. Procedimi disiplinor mbështetej në të dhënat e nxjerra nga inspektimi.[1] Masa e shkarkimit nga detyra vendosej nga KLGj-ja.[2]

      14. KLGj-ja, pas marrjes së raportit dhe dosjes së hetimit, përcakton datën për seancë dëgjimore, e cila duhet të jetë brenda një muaji nga dita e marrjes së dosjes nga ILD-ja, dhe njofton palët për datën e seancës dëgjimore të paktën 15 ditë para saj.[3] KLGj-ja shqyrton të gjithë faktorët që kanë rëndësi për çështjen, merr prova shtesë, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve dhe, kur e konsideron të nevojshme, thërret ekspertë ose ia kërkon ILD-së ta kryejë këtë veprim.[4]

      15. Gjatë procedimit disiplinor, gjyqtari ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë të ketë akses në dosjen hetimore.[5] Gjithashtu, kur ai njoftohet se ndaj tij ka filluar procedimi disiplinor, duhet t’i bëhen të ditura të drejtat: për të paraqitur një parashtresë me shkrim në afatin e caktuar; për të marrë pjesë në seancën dëgjimore; për të thirrur dëshmitarë që mund të dëshmojnë fakte me interes për çështjen; për të paraqitur dokumente; për të marrë masa të tjera për paraqitjen e provave në mbështetje të mbrojtjes së tij; për t’u përfaqësuar, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurave Administrative; për t’u kompensuar për shpenzimet e arsyeshme ligjore të tij/saj në rastet kur nuk vendoset masë disiplinore.[6]

      16. Seanca dëgjimore para KLGj-së për procedimin disiplinor të gjyqtarit si rregull është publike.[7] Në këtë seancë, ILD-ja paraqet argumentet për kryerjen e shkeljes disiplinore dhe propozon masën disiplinore që duhet të merret. Gjyqtari, ndaj të cilit kërkohet marrja e masës disiplinore, ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë të paraqesë argumentet mbrojtëse.[8]

      17. Pas shqyrtimit të fakteve dhe provave, KLGj-ja mund të vendosë rrëzimin e kërkesës, kur faktet e pretenduara nuk kanë ndodhur apo ato nuk përbëjnë shkelje disiplinore, ose pranimin e kërkesës dhe përcaktimin e masës disiplinore. Vendimi duhet të arsyetohet me shkrim dhe të shpallet të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës.[9]

      18. Rregullimet ligjore të përmendura më sipër, në zbatim të dispozitës kushtetuese, reflektojnë në mënyrë të qartë kërkesat që imponojnë të drejtat për një proces të rregullt që duhen respektuar gjatë procedimit disiplinor të gjyqtarit.

       

      b) E drejta e ankimit kundër vendimit të shkarkimit dhe rishikimi nga GjK-ja

      19. Sipas pikës 3 të dispozitës, gjyqtari ndaj të cilit është marrë masa e shkarkimit ka të drejtë ta kundërshtojë këtë vendim në GjK.[10] Përfshirja e GjK-së si shkallë rishikuese për rastet e shkarkimit të magjistratëve (gjyqtarëve dhe prokurorëve) përbën një garanci të rëndësishme për mbrojtjen e statusit dhe të të drejtave të tyre. Ky është një standard më i lartë i vendosur nga ndryshimet kushtetuese, të lidhura me reformën në drejtësi, krahasuar me rregullimet e mëparshme për këtë çështje.

      20. Sipas rregullimit të mëparshëm kushtetues, gjyqtari kishte të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi para Kolegjeve të Bashkuara të GjL-së.[11] Pas vendimit të GjL-së, gjyqtari mund të ushtronte ankim në GjK, nëse mendonte se gjatë procesit të zhvilluar në KLGj ose në GjL nuk ishin respektuar elementet e procesit të rregullt ligjor.[12] Standardet e përcaktuara ndër vite nga GjK-ja në shqyrtimin e rasteve të shkarkimit të gjyqtarëve janë mishëruar sërish te dispozita e re e nenit 140.[13]

      21. Për ankimin në GjK, sipas dispozitës kushtetuese, zbatohen rregullat e parashikuara për shqyrtimin e ankimit kushtetues individual në ligjin organik të GjK-së.[14] Ankimi në GjK kundër vendimit të KLGJ-së që ka vendosur masën e shkarkimit, duhet të bëhet brenda 4-muajve nga konstatimi i cenimit.[15] GjK-ja shqyrton ankimin, duke respektuar të drejtat për një proces të rregullt, të reflektuara në procedurat përkatëse të ligjit organik. Ajo vlerëson si aspektet procedurale, ashtu dhe meritën, pasi në këtë rast asaj i kalon kompetenca e shqyrtimit të ankimit që kishte më parë GjL-ja në Kolegjet e Bashkuara. Pra, në këtë rast, GjK-ja vepron si gjykatë fakti.[16] Në përfundim të shqyrtimit, GjK-ja vendos lënien në fuqi të aktit ose shfuqizimin e tij kur arrin në konkluzionin se akti i shkarkimit nuk është në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara.

       

      [1] Neni 33, pika 2, e ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar.

      [2] Neni 140 i Kushtetutës përpara ndryshimeve me ligjin nr.76/2016.

      [3] Po aty, neni 138/2 i ligjit për statusin.

      [4] Po aty, neni 138/4 i ligjit për statusin.

      [5] Po aty, neni 141/1.

      [6] Po aty, neni 141/2.

      [7] Po aty, neni 142/1.

      [8] Po aty, neni 142/3.

      [9] Po aty, neni 146, pikat 2-3.

      [10] Sipas dispozitës kalimtare 179, pika 7, të Kushtetutës, gjatë mandatit të tyre 9-vjeçar, gjyqtarët e KPA-së, sipas nenit 179/b, kanë juridiksion disiplinor, ndër të tjera, edhe ndaj vendimeve të KLP-së për vendosjen e masave disiplinore ndaj prokurorëve.

      [11] Neni 147/6 i Kushtetutës, përpara ndryshimeve të ligjit nr.76/2016.

      [12] Ligji nr.8737, datë 12.02.2001, ndryshuar me ligjin nr. 9102, datë 10.07.2003, neni 34/2.

      [13] Shih vendimin nr.11/2004 të GjK-së: Në kuptim të nenit 147, pika 4 të Kushtetutës dhe ligjeve të lartpërmendura, KLD-ja është i vetmi organ që ka kompetencë të marrë masën disiplinore të shkarkimit nga detyra të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit, pavarësisht se kush ka bërë verifikimin e shkeljes dhe kush bën propozimin për masën disiplinore. Këtë kompetencë KLD-ja e zbaton duke vepruar si organ që dëgjon “palët” dhe administron provat e nevojshme rreth pretendimeve të parashtruara. KLD-ja është e lirë që të mos pranojë asnjë kërkesë apo propozim që vjen për masa disiplinore, kur nuk krijon bindjen se shkelja ekziston dhe nëse është e tillë që justifikon masën. KLD-ja vepron si një organizëm demokratik, sepse gjyqtari jo vetëm që njihet paraprakisht me gjithë materialet në ngarkim të tij, por merr pjesë në mbledhje të KLD-së, mund të përfaqësohet edhe nga avokati, ka të drejtë të bëjë çdo sqarim apo të kundërshtojë çdo akuzë, duke paraqitur edhe prova që i çmon të nevojshme.”.

      [14] Ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (ligji për GjK), ndryshuar me ligjin nr.99/2016, neni 71.

      [15] Po aty, neni 71/6, pika 1, shkronja “b”.

      [16] Për analogji me këtë objekt, mund të mbahen parasysh procedurat e shqyrtimit që ndiqen nga GjK-ja lidhur me ankimin e organit të zgjedhur të njësisë së qeverisjes vendore kundër vendimit të shkarkimit nga Këshilli i Ministrave, sipas nenit 115 të Kushtetutës.

    • 22. Në Shqipëri, përpara miratimit të ligjit për statusin, sanksionet disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve përcaktoheshin nga ligjet nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar dhe nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar. Kështu në nenin 33, pika 2, të ligjit nr. 9877/2008 listoheshin gjithsej 5 masa, tek të cilat bënte pjesë edhe shkarkimi nga detyra. Shkarkimi nga detyra ishte masa e vetme disiplinore që parashikohej për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të GjL-së, si dhe për PP-në, nëse verifikohej shkelja e Kushtetutës, kryerja e një krimi, paaftësia mendore a fizike ose akte e sjellje që diskreditonin figurën e gjyqtarit/prokurorit[1].

      23. GjK-ja ka interpretuar shprehjen “akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën…”, parashikuar nga nenet 128, 140 dhe 149, pika 2, të Kushtetutës, si një hipotezë që përmbledh në vetvete një sërë elementesh, të cilat mund dhe duhet të identifikohen rast pas rasti nga organi përkatës që merr vendimin për shkarkimin e gjyqtarit të GjK-së, të gjyqtarit të GjL-së dhe PP-së. Ato lidhen me akte dhe sjellje të parregullta e të padenja që këta funksionarë të lartë kryejnë gjatë ushtrimit të detyrës, për shkak të saj, por edhe jashtë detyrës. Këto veprime apo mosveprime që analizohen në bazë të rrethanave të kryerjes së tyre, momentit subjektiv, si dhe nga dëmet që ato i sjellin shoqërisë e shtetit, janë të asaj natyre që e bëjnë të pamundur kryerjen e mëtejshme të funksioneve kushtetuese nga këto subjekte. Shprehja “shkelje e rëndë e ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve” nga PP-ja, parashikuar nga neni 149, pika 2, i Kushtetutës, lidhet me një sërë elementesh që kanë të bëjnë me ato shkelje të dispozitave ligjore të kryera gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj. Këto shkelje marrin karakterin e rëndë të tyre lidhur ngushtë me rëndësinë e ligjit të shkelur, me pasojat e ardhura, apo që mund të vinin nga shkelja, me frekuencën e shkeljes, kohëzgjatjen e pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre, si dhe me qëndrimin subjektiv që mban autori i shkeljes kundrejt saj dhe pasojës së ardhur[2].

      24. Procedura e shkarkimit nga detyra e gjyqtarit apo e prokurorit i është nënshtruar disa herë kontrollit nga GjK-ja për cilësinë e procesit të rregullt ligjor. Në mënyrë të përmbledhur, nga kjo jurisprudencë është pranuar se vlerësimi i veprimeve të gjyqtarit, pasoja e ardhur dhe masa disiplinore që duhet marrë, janë në kompetencën e KLD-ja dhe të GjL-së. Kushtetuta ka parashikuar në disa norma detyrimin e gjyqtarëve për të respektuar me përpikëri Kushtetutën, ligjet dhe për të ruajtur paanësinë e figurën e pastër në funksion të dhënies së një drejtësie bindëse. Nëse konstatohen raste të inkriminimit të gjyqtarëve, akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën e figurën e gjyqtarit ose pamjaftueshmëri profesionale, neni 147/6 i Kushtetutës ka ngarkuar KLD-në të mbajë qëndrimet e duhura deri në shkarkimin nga detyra të gjyqtarit[3]. Nga ana tjetër, gjyqtari nuk mund të shkarkohet nga detyra për mënyrën e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit, për sa kohë që nga rrethanat objektive dhe subjektive nuk rezulton se veprimet e tij mund të kenë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta[4].

      25. Ligji për statusin ishte pjesë e paketës së ligjeve të reformës së thellë të drejtësisë të vitit 2016. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë është identifikuar problematika specifike që lidhej me procedurën parlamentare të shkarkimit të gjyqtarëve të GjL-së dhe të PP-së, me zgjidhjen që çështja e përgjegjësisë disiplinore të tyre të vendosej në kompetencën e Këshillit. Po ashtu, është identifikuar si problematikë mungesa e diferencimit të paaftësisë fizike dhe mendore të gjyqtarit, si rast që nuk duhet të njësohet me përgjegjësinë disiplinore të tij me pasojë shkarkimin nga detyra.

       

      [1] Shih nenet 140 dhe 149, pika 2, të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016.

      [2] Shih vendimin nr. 75/2002 të GjK-së.

      [3] Shih vendimin nr. 12/2004 të GjK-së.

      [4] Shih vendimin nr. 17/2004 të GjK-së.

    • Asnjë koment
  •  Rrjeti Europian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 qershor 2015.

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit.

    Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës, Rekomandimi nr. (2010)12 për shtetet anëtare për gjyqtarët: pavarësia, efiçenca dhe përgjegjësitë.

    Këshilli i Europës, mbledhja shumëpalëshe për statutin e gjyqtarëve në Europë, Karta Europiane për Statusin e Gjyqtarit.

    Komiteti i Ekspertëve me Gjyqtarë dhe Prokurorë, projektparimet mbi pavarësinë e gjyqësorit (Parimet e Sirakuzës), 1981.

    Grupi i Integritetit Gjyqësor, masat për zbatimin efektiv të parimeve të Bangalorit për sjelljen gjyqësore, 2010.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  •  Vendimi nr. 75, datë 19.04.2002 i Gjykatës Kushtetuese, kërkues një grup deputetësh të Kuvendit, për interpretimin përfundimtar të neneve 128, 140 dhe 149, pika 2, të Kushtetutës.

    Vendimi nr. 12, datë 17.06.2004 i Gjykatës Kushtetuese, kërkues I.D., për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për shkarkimin nga detyra e gjyqtarit, si dhe të vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

    Vendimi nr. 17, datë 12.11.2004 i Gjykatës Kushtetuese, kërkues M.M., për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për shkarkimin nga detyra e gjyqtarit, si dhe të vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatë së Lartë.

    Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017 i Gjykatës Kushtetuese, kërkues Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e ligjit për statusin.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 28.01.2018.

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/, relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.02.2018.

    Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 28.01.2018.

  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi