KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 179:

1. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm.

2. Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

3. Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.

4. Anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm. Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati, emërohen sipas dispozitave të këtij ligji.

5. Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

6. Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Për emërimet e para për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 149, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

7. Gjatë mandatit të tyre nëntëvjeçar gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, sipas nenit 179/b, kanë juridiksion disiplinor ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kolegji i Apelimit shqyrton ankimet ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masave disiplinore, përkatësisht ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë.

8. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompe-tencat e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Transferimi i çështjeve do të bëhet në përputhje me ligjin. Gjyqtarët në detyrë pranë këtyre gjykatave do të transferohen në gjykata të tjera, në rast se ata ose familjarët e tyre të afërt nuk japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe telekomunikimeve vetjake. Prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit. Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari. Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit.

9. Inspektori i Lartë i Drejtësisë emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Mënyra e funksionimit të inspektorateve ekzistuese gjatë periudhës kalimtare rregullohet me ligj.

10. Gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës qëndrojnë në detyrë dhe janë subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas nenit 179/b dhe aneksit të këtij ligji.

11. Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji.

12. Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.

13. Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 179 është përcaktimi i rregullave të zbatueshme gjatë periudhës kalimtare midis pushimit të veprimit të dispozitave “të vjetra” dhe fillimit të efekteve të dispozitave “të reja”. Gjithashtu, ky nen ka për qëllim të përcaktojë saktësisht efektet e dispozitave kushtetuese të miratuara, duke u kujdesur që efekti prapaveprues i tyre të jetë sa më i kufizuar dhe i përcaktuar saktësisht, si dhe të mos lejojë cenimin e parimeve kushtetuese të garantuara në tekstin e Kushtetutës.

      2. Nisur nga fakti se ndryshimet kushtetuese prekën të gjithë sistemin e drejtësisë, madje edhe organe që lidheshin indirekt me të (p.sh. Presidentin), neni 179 duhej të rregullonte të gjitha efektet e mundshme të përkohshme deri në fillimin e veprimit të dispozitave të përhershme. Në këtë kontekst, qëllimi i nenit 179 është që, në respekt të parimit të kontinuitetit, të vijojë normalisht veprimtaria e organeve kushtetuese ekzistuese deri në krijimin e organeve të reja, si dhe të plotësohet ndonjë boshllëk i mundshëm ligjor (kushtetues) deri në fillimin e zbatimit normal të dispozitave të ndryshuara.

    • 3. Neni 179 përbëhet nga 13 pika, gjë e cila nuk është mjaft e zakontë për sa u takon dispozitave kushtetuese. Megjithatë ka arsye për këtë dhe këto do të trajtohen më poshtë. Konkretisht, pikat 1-3 i kushtohen rregullimit kalimtar të statusit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve të GjK-së, duke përcaktuar se gjyqtarët në detyrë përfundojnë mandatin sipas dispozitave që ishin në fuqi kur janë emëruar. Gjithashtu, aty përcaktohet edhe radha e zgjedhjes së tyre, pra duke parashikuar se organi i parë që zgjedh gjyqtarin që do të plotësojë vakancën e parë është Presidenti, i dyti Kuvendi dhe i treti GjL-ja. Kjo radhë e zgjedhjes së gjyqtarëve, që gjendet e parashikuar edhe në ligjin e GjK-së, në respekt të vazhdimësisë institucionale, i shërben gjithashtu edhe moscenimit të standardit kushtetues të ripërtëritjes normale dhe në kohë të një të tretës së anëtarëve të GjK-së, një herë në tre vjet.

      4. Në pikën 4 parashikohet vazhdimësia në detyrë e gjyqtarëve të GjL-së dhe zgjedhja e gjyqtarëve të rinj sipas dispozitave të reja kushtetuese.

      5. Pikat 5-6 parashikojnë periudhën kohore brenda së cilës ngrihet KLGj-ja dhe KLP-ja, si dhe mandatet fillestare të tyre, që janë jo të plota (për 5 prej tyre, tre gjyqtarë/prokurorë dhe 2 jogjyqtarë/prokurorë, mandatet janë 3-vjeçare, me qëllim përtëritjen periodike të tyre). Ndërkohë që pika 12 e këtij neni parashikon se Presidenti vazhdon të drejtojë KLD-në deri në krijimin e KLGj-së, gjatë 8 muajve të hyrjes në fuqi të dispozitave të reja kushtetuese.

      6. Pika 7 parashikon shtrirjen e juridiksionit të Kolegjit të Apelimit (KPA) edhe ndaj çështjeve të përgjegjësisë disiplinore ndaj gjyqtarëve të GjK-së, anëtarëve të KLGj-së, KLP-së, PP-së dhe ILD-së. Gjithashtu, ky Kolegj shqyrton edhe ankimet ndaj masave disiplinore të gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve deri në përfundim të mandatit të tij 9-vjeçar.

      7. Në pikën 8 parashikohet shndërrimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Gjykatën e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Antikorrupsionin, si dhe i prokurorisë pranë këtyre gjykatave në Prokurorinë e Posaçme. Të dyja këto organe do të ngrihen përkatësisht brenda 2 muajve nga ngritja e KLGj-së dhe KLP-së.

      8. Më tej, në pikën 9 parashikohet ngritja e ILD-së brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e dispozitave të reja kushtetuese. Ndërkohë që në pikën 13 parashikohet që nëse ILD-ja zgjidhet jo më vonë se data 1 shtator 2017, ajo do të votohet me 2/3-at e votave të anëtarëve të Kuvendit, ndërsa zgjedhjet e tjera do të jenë me 3/5-at.

      9. Pika 10 garanton vazhdimin e ushtrimit të detyrës nga gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, por vetëm pasi këta të kenë kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar sipas aneksit të Kushtetutës.

      10. Pika 11 parashikon ngritjen për herë të parë të KED-së brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Gjithashtu, mandati i anëtarëve të KED-së është i kufizuar deri në 31 dhjetor të vitit të hyrjes në fuqi të ndryshimeve, pra 31 dhjetor 2016.

      11. Pika e fundit, 13, parashikon zgjedhjen e PP-së deri në 1 shtator 2016 me shumicën prej 2/3-ve të votave të Kuvendit, ndërsa zgjedhjet e tjera do të bëhen me 3/5-at, sipas nenit 149 të Kushtetutës.

    • 12. Ka një standard të mirënjohur për çdo kushtetutë demokratike, që njihet si parimi i vazhdimësisë (kontinuitetit) ligjor dhe institucional, që është thelbi mbi të cilin ushtron pushtetin çdo organ kushtetues a ligjor në rastet kur Kushtetuta e re ndryshon funksionin dhe kompetencat e organit ekzistues. Parimi i vazhdimësisë së rendit juridik nuk lidhet vetëm me funksionimin normal të organeve kushtetuese, por me të gjithë rendin juridik shtetëror dhe shoqërinë. Pra, vazhdimësia si koncept kushtetues ka të bëjë me veprimin në kohë të kuadrit ligjor ekzistues, për aq kohë sa nuk është shfuqizuar nga një akt i ri ose nga një organ kushtetues kompetent (parlamenti ose GjK-ja), si dhe me vazhdimin e funksionimit të organeve kushtetuese dhe ligjore mbi bazën e rendit juridik në fuqi. Në një shtet demokratik institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të reflektojnë vazhdimësi të funksionimit të tyre, me qëllim përçimin e sigurisë te populli se, pavarësisht rotacioneve politike dhe institucionale, ekzistenca e institucioneve dhe funksionimi normal i tyre nuk rrezikohet.[1]

      13. Ky parim lidhet në veçanti me vazhdimin e zbatimit të ligjeve të miratuara, përderisa ato nuk janë shfuqizuar. Pra, një shtet funksionon me ligjet e miratuara para rishikimit të Kushtetutës, derisa të miratohen ligjet e reja. Ligjet e reja kërkojnë kohën e tyre për miratim. Shfuqizimi i menjëhershëm i të gjitha ligjeve të mëparshme, për shkak të rishikimit të Kushtetutës, nuk ndodh në asnjë shtet, sepse shkakton vakuum ligjor ose institucional dhe, për rrjedhojë, e çon veprimtarinë shtetërore në kolaps. Prandaj, çdo kushtetutë funksionon sipas një standardi të përgjithshëm që konsiston në vijimësinë e ligjeve të mëparshme.

      14. Një rregullim i tillë është parashikuar edhe në Kushtetutë, në nenin 178 të së cilës thuhet shprehimisht: “1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.”. Ky rregullim i vendosur në Kushtetutën e vitit 1998 nuk është shfuqizuar, por është në fuqi dhe vijon të zbatohet. Pra, Kushtetuta apo çdo amendim i ri që i bëhet asaj, pavarësisht nëse ndryshon pjesërisht apo tërësisht funksionin apo kompetencat e një organi, nuk shfuqizon në mënyrë të menjëhershme ligjet mbi të cilat këto organe kanë funksionuar dhe funksionojnë. Ligjet ekzistuese vijojnë të zbatohen, derisa ligjet e reja t’i shfuqizojnë ato. Ky parim u mbajt parasysh edhe gjatë ndryshimeve të fundit të miratuara në vitin 2016 nga Kuvendi. Megjithëse Kushtetuta ka parashikuar organe të reja, kompetenca të tjera apo edhe një rol e funksion të ndryshëm për disa institucione kushtetuese ekzistuese, siç janë Presidenti, GjK-ja, GjL-ja, KLD-ja, PP-ja etj., ligjet mbi të cilat ato ushtronin veprimtarinë e tyre nuk u shfuqizuan ose ndryshuan automatikisht me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Ato vazhduan të zbatohen deri në ndryshimin e tyre, i cili u bë brenda disa muajsh pas hyrjes në fuqi të dispozitave të reja kushtetuese. Jo vetëm kaq, por edhe pas ndryshimeve të ligjeve organike u la një kohë e arsyeshme tranzitore, me qëllim përgatitjen e institucioneve, por edhe të publikut me ndryshimet e reja.

      15. Neni 179 merr përsipër pikërisht këtë mision: të rregullojë veprimtarinë e organeve kushtetuese gjatë periudhës kalimtare nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese deri në ngritjen e organeve të reja ose përshtatjen e organeve ekzistuese me kuadrin e ri kushtetues dhe miratimin e kuadrit të ri ligjor. Duke qenë se një pjesë e rregullave i kanë dhënë ndërkohë efektet, do të paraqesim më poshtë edhe rastet si ato janë zbatuar në praktikë.

       

      a) Parimi i vazhdimësisë së institucioneve dhe rastet përjashtimore

      16. Në një shtet të së drejtës një nga garancitë e mirëfunksionimit të tij është vazhdimësia institucionale, pavarësisht ndryshimeve të kuadrit ligjor. Ky tashmë është një standard europian i gjithëpranuar.[2] Gjithashtu, edhe GjK-ja shqiptare ka ndjekur këtë standard në një numër vendimesh. Në një nga vendimet më të fundit lidhur me faktin se cilat janë kompetencat që duhet të ushtrojë KLD-ja deri në krijimin e KLGj-së, Gjykata ka vlerësuar se formulimi i pikës 5 të nenit 179 të Kushtetutës se ““anëtarët e KLD-së e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të KLGJ-së, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të KLGJ-së, sipas ligjit” shpreh dhe synon të sigurojë vlerën kushtetuese të vazhdimësisë dhe koherencës institucionale, për rrjedhojë, funksionimin normal të KLD-së në periudhën kalimtare. Për sa kohë vullneti i kushtëtutbërësit ka qenë që të mos ndërpritet funksioni i KLD-së, Gjykata vlerëson se KLD-ja, ashtu si edhe organet e tjera ekzistuese kushtetuese do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre deri në konstituimin e plotë të organeve të reja kushtetuese...”.[3]

      17. Në këtë kontekst, ligjvënësi kushtetues duhej të siguronte vazhdimësinë e atyre institucioneve, të cilat pavarësisht se u prekën nga ndryshimet lidhur me organizimin, zgjedhjen/emërimin, përgjegjësinë disiplinore, madje edhe kompetencat, do të ishte e udhës të mos ndërprisnin funksionimin dhe të ngriheshin rishtazi tërësisht. Zgjidhja më e mirë ishte të parashikoheshin dispozita kalimtare për përshtatjen e tyre me kuadrin e ri kushtetues dhe ligjor, duke kaluar natyrshëm në një situatë më pozitive të funksionimit të tyre.

      18. Gjatë hartimit të dispozitave kushtetuese, pas propozimeve që sillnin ndryshime thelbësore, u pa e nevojshme të vlerësohej nëse ishte e mundur që institucionet ekzistuese të vazhdonin veprimtarinë e tyre thjesht duke u miratuar disa dispozita tranzitore apo duhet të riformatoheshin rrënjësisht, duke ndërprerë mandatin e funksionarëve ekzistues, duke i hapur rrugë kështu konstituimit të institucioneve të reja. Natyrisht që në bërjen e këtij vlerësimi GENL-ja ka qenë e predispozuar për të ruajtur sa më shumë që të ishte e mundur mandatin e institucioneve ekzistuese. Ky vlerësim u bë për secilin nga institucionet e prekura nga ndryshimet kushtetuese.

      19. Konkretisht, ndryshimet kryesore të propozuara për GjK-në përfshinin aspekte që lidheshin me kriteret, procedurën dhe organet kompetente të emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate; përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, e cila për herë të parë parashikohej në detaje dhe përfshin edhe masa të tjera përveç shkarkimit nga detyra; zgjerimin e subjekteve që e vënë në lëvizje GJK-në; disa rregullime që preknin hapësirën dhe procedurat që lidhen me disa nga kompetencat e kësaj gjykate etj. Këto ndryshime, në nivelin kushtetues e më tej në atë ligjor, pritet të ndryshojnë ndjeshëm fizionominë e GjK-së në të ardhmen, duke e kthyer realisht në gjykatë të të drejtave të individit, si dhe duke e bërë vendimmarrjen së saj sa më efikase dhe cilësore. Për këto arsye, GENL-ja arriti në përfundimin se roli dhe burimi i legjitimitetit të GjK-së, me gjithë këto ndryshime, nuk ishin të tilla që të justifikonin ndërprerjen e mandatit të gjykatës ekzistuese dhe të çonin në konstituimin e një gjykate tërësisht të re. U gjykua se një dispozitë e hollësishme tranzitore, që rregullon përtëritjen e përbërjes së GjK-së sipas kushteve të reja, ishte e mjaftueshme për të bërë të mundur që GjK-ja t’i përgjigjet më me efikasitet detyrave të reja dhe mënyrës së re të funksionimit.

      20. I njëjti arsyetim u përdor edhe për GjL-në, megjithëse për këtë gjykatë ndryshimet ishin edhe më specifike.[4] Ndërsa për sa i takon KLGj-së dhe KLP-së, duke parë thellësinë dhe gjerësinë e ndryshimeve të propozuara për organin e deriatëhershëm të administrimit të gjyqësorit, KLD-në,[5] u propozuan disa dispozita transitore, të cilat do të sillnin si pasojë mbarimin e parakohshëm të mandateve të anëtarëve të KLD-së dhe rregullimin e situatës ligjore që do të krijohej pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

      21. Po kështu, u gjykua i nevojshëm parashikimi i dispozitave kushtetuese tranzitore për të rregulluar periudhën kalimtare deri në zgjedhjen e PP-së të ri, nëse prokurori në detyrë do të largohej para përfundimit të mandatit ose nëse prokurori i ri nuk do të mund të zgjidhej në kohë për shkaqe të moskrijimit në kohë të KLP-së.[6] Ky aspekt ka rëndësi të madhe, pasi prokuroria ka pasuar ndryshime të thella,[7] prandaj ishte thelbësore që dispozitat kushtetuese të miratuara të fillonin sa më shpejt veprimin për të mos zgjatur periudhën kalimtare. Megjithatë, në nenin 179 u parashikua mundësia që deri në krijimin e organeve të reja si KLP-ja dhe Prokuroria e Posaçme, një pjesë prej këtyre kompetencave, që më parë i kryente PP-ja, t’i kalonin KLP-së.

      22. Për shkak të kohës që do të nevojitej për konstituimin e disa institucioneve kushtetuese, duke u nisur nga fakti se disa funksione janë parashikuar për të qenë ex officio (p.sh. KED-ja) pjesë e disa organeve ad hoc, si dhe me qëllim shmangien e çdo bllokimi në funksionimin e organeve gjatë fazës tranzitore, u parashikuan afate të arsyeshme nga 3-8 muaj për të krijuar organet e reja, me qëllim krijimin e kushteve për të vijuar në normalitet ushtrimin e funksionit të tyre.

       

      b) Zgjedhja e disa organeve vetëm një herë me shumicë të ndryshme

      23. Nëse i shohim me vëmendje dispozitat kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e organeve kushtetuese nga Kuvendi, vihet re një ndryshim midis shumicës së votave të përdorur nga Kushtetuta e vitit 1998 dhe ajo e adaptuar me ndryshimet e vitit 2016. Tendenca dhe këmbëngulja nga ana e opozitës për të rritur pragun e nevojshëm të votimit, pra nga shumicë të thjeshtë në të cilësuar (3/5) ose nga një shumicë e cilësuar në një tjetër me prag më të lartë (2/3), ka shoqëruar të gjithë procesin e hartimit të dispozitave të reja kushtetuese. Argumenti kryesor i përdorur prej saj ishte mungesa e besimit te mazhoranca politike në përpjekjet e kësaj të fundit për të ndikuar politikisht procesin e zgjedhjes dhe konstituimit të organeve të reja kushtetuese ose riformatimin e atyre ekzistuese.[8] Pas zhvillimit të procesit të negociatave politike midis shumicës dhe pakicës parlamentare u arrit në përfundimin se shumica prej 3/5-ve, e shoqëruar edhe me garanci të tjera kushtetuese dhe ligjore, është e mjaftueshme për të shmangur “kapjen” e organeve kushtetuese nga shumica parlamentare, por, nga ana tjetër, edhe për të siguruar pjesëmarrjen e opozitës në vendimmarrje. Pavarësisht marrëveshjes politike, mungesa e besimit të opozitës ndaj mazhorancës gjeti vend në rregullimet e dispozitave kalimtare.

      24. Konkretisht, pika 13 e nenit 179 ka parashikuar se deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e ILD-së dhe e PP-së do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit. Ky parashikim vërteton drojën e opozitës që meqenëse PP-së që ishte ende në detyrë i përfundonte mandati në nëntor 2017, të mos kishte asnjë mundësi të zëvendësohej me votat e mazhorancës në pushtet, nëse do të largohej para kohe nga detyra (p.sh. si rrjedhojë e rivlerësimit kalimtar, pasi PP-ja ishte një nga të parët që do t’i nënshtrohej këtij procesi). Ndërsa për ILD-në, pavarësisht se krijohej për herë të parë, opozita kërkonte siguri që ngritja e këtij organi të mos ishte një vendimmarrje që të shmangte përfshirjen reale të opozitës, megjithëse shumica parlamentare do ta kishte disi të vështirë të siguronte edhe një shumicë më të ulët, p.sh. 3/5-at. [9]

      25. Është fakt i njohur se zakonisht shumica prej 2/3-ve nuk i shërben arritjes së konsensusit real, por kërkon kompromise të padëshiruara nga partitë politike, gjë që gjeneron zgjidhje të momentit dhe të paqëndrueshme. Duke qenë se është e vështirë arritja e kësaj shumice, “pazaret” politike janë të shmangshme. Si mekanizma zhbllokues në këto raste përdoret seleksionimi nga secili grup parlamentar ose parti politike në parlament të kandidatëve të preferuar ose të papranueshëm. Rasti më tipik i kësaj marrëveshje është ndryshimi i Kushtetutës në vitin 2008. Këtë ide nuk e përkrahu as KV-ja, që theksoi se zgjedhja e njërës apo tjetrës shumicë është çështje e vendimmarrjes politike, por shumicat e forta, si 2/3-at, përdoren kryesisht për të ndryshuar kushtetutat dhe më së paku për të zgjedhur organet kushtetuese.[10]

       

      c) Ngritja ose funksionimi i disa institucioneve të reja me mandat të kufizuar

      26. Neni 179 ka parashikuar disa raste kur mandati i organeve kushtetuese do të jetë më i kufizuar për një periudhë të caktuar kohore sesa mandati që parashikohet në tekstin e Kushtetutës për këtë qëllim. Kështu, referuar pikës 3 të këtij neni, mandati i disa prej gjyqtarëve të GjK-së që do të zgjidhen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, do të jetë 7 ose 8-vjeçar dhe jo 9, siç përcakton neni 125 i Kushtetutës. Ky kufizim është bërë me qëllim realizimin e përtëritjes së rregullt një herë në 3 vjet të 1/3-ës të gjyqtarëve të kësaj gjykate, pasi ndër vite është vënë re se për shkak të mospërtëritjes së rregullt, sipas këtij ritmi, pasoja ka qenë zëvendësimi i një pjese të madhe të gjyqtarëve në një kohë, gjë e cila ka sjellë efekte jo pozitive në qëndrueshmërinë e vendimmarrjes së kësaj Gjykate.[11] Në fakt, vlen të përmendet se në Opinion interim KV-ja theksoi se kjo zgjidhje, në fakt, kufizon mandatin 9-vjeçar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili për shkaqe të tjera mund të jetë edhe më i shkurtër, p.sh. nëse parlamenti, Presidenti, ose Gjykata e Lartë nuk arrijnë t’i plotësojnë në kohë këto vakanca, atëherë ai do të shkojë edhe më pak se 7 pse 8 vjet, gjë që bie ndesh me nenin 125 të Kushtetutës.[12]

      27. Gjithashtu, pika 5 e këtij neni parashikon se disa prej anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, përkatësisht 3 gjyqtarë, 2 jogjyqtarë, 3 prokurorë dhe 2 joprokurorë do ta kenë mandatin 3-vjeçar, me qëllim që përtëritja e tyre të mos bëhet njëherazi, duke eliminuar bllokimin e punës së institucionit, por edhe duke siguruar vazhdimësinë e tij. Mandatet e tjera do të jenë sipas neneve 147 e 149 të Kushtetutës, pra 5-vjeçar. Kjo është një zgjidhje që i përshtatet mirëfunksionimit të organeve kolegjiale kur ngrihen rishtazi.

       

      ç)Verifikimi i kandidatëve para ngritjes së organeve të reja

      28. Një tjetër çështje për të cilën kjo dispozitë parashikon një zgjidhje të ndryshme nga teksti i saj, është edhe kryerja e verifikimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit për kandidatët për anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së, që ngrihen rishtazi ndryshe nga rregullimi i parashikuar nga nenet 147 e 149. Konkretisht, ky proces do të bëhet (tashmë i përfunduar) nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit së bashku me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ndërkohë që nenet 147 dhe 149 parashikojnë se vlerësimi fillestar bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit e më pas vlerësimi tjetër nga një nënkomision parlamentar me përbërje të përzierë të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend. Përfshirja edhe e ONM-së në procesin e ngritjes për herë të parë të KLGJ-së dhe KLP-së e ka bazën te mungesa e besimit të opozitës se vlerësimi i kryer paraprakisht nga Sekretari i Përgjithshëm nuk do të ishte i paanshëm dhe transparent. Duke qenë se ONM-ja ishte prezente në vend për të kryer misionin e saj në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, u gjet si zgjidhje e arsyeshme që të asistonte edhe këtë proces. Duhet përmendur se anëtarët e tjerë gjyqtarë dhe prokurorë të KLGJ-së dhe KLP-së do të verifikohen nga organet e rivlerësimit kalimtar, pra KPK-ja dhe KPA-ja, në praninë e ONM-së.

       

      [1] Shih vendimin nr.44/2011 të Gjykatës Kushtetuese.

      [2] Shih Opinionin interim të KV-së, § 95. Shih, gjithashtu, edhe CDL-AD(2013)007, Opinion on the Draft Amendments to the Organic Law on Courts of General Jurisdiction of Georgia, § 67 et seq.; but see also the development of the Venice Commission position, especially as regards the replacement of the ex officio members in the reformed bodies in CDL-AD(2014)028, Opinion on the Draft Amendments to the Law on the High Judicial Council of Serbia, § 71 – 75. 

      [3] Shih vendimin nr.37/2017 të GJK-së mbi kushtetutshmërinë e disa neneve të ligjit për statusin e magjistratëve dhe ligjin për organet e qeverisjes së pushtetit gjyqësor.

      [4] Shih për më tepër komentin e nenit 135 të Kushtetutës.

      [5] Shih për më tepër komentin e nenit 147 dhe 147/a të Kushtetutës.

      [6] Neni 109, pika 2 e ligjit nr.97/2016  “Për prokurorinë”.

      [7] Shih komentin e nenit 148 e në vijim të Kushtetutës.

      [8] Shih materialin e opozitës dërguar Komisionit të Venecies, si dhe opinionin interim dhe atë final të këtij të fundit mbi çështjen e shumicave të përdorura nga organi ligjvënës.

      [9] Opozita nguli këmbë gjatë në vendosjen e shumicës me prag të lartë (2/3), e cila mund të sillte lehtësisht bllokimin e plotësimit në vazhdimësi të organeve kushtetuese. Sipas saj, kjo shumicë do të detyronte mazhorancën të arrinte konsensusin politik të nevojshëm për çdo emërim/zgjedhje të organeve kushtetuese.

      [10] Shih Opinionin interim të Komisionit të Venecies, § 13-14.

      [11] Shih komentin e nenit 125 të Kushtetutës.

      [12] Opinioni Final i Komisionit të Venecies, § 81.

    • 29. Fryma politike me të cilën u shoqërua procesi i hartimit të dispozitave dhe më pas i miratimit përfundimtar të tyre u karakterizua nga mosmarrëveshje me baza politike dhe nga mungesa e besimit se procesi i reformës kushtetuese ishte i baraslarguar nga interesa të ngushtë partiakë dhe se zgjidhjet e ofruara nuk i shërbenin funksionimit normal të institucioneve, por kapjes politike.[1] Në këtë situatë është e kuptueshme që kjo klimë të gjejë shprehje edhe te formulimi i dispozitave transitore, të cilat në disa raste janë të detajuara dhe shmangen nga formulimi i dispozitave që rregullojnë të njëjtat çështje në tekstin e Kushtetutës. Bazuar edhe në sugjerimet e KV-së për të gjetur formulime që kënaqin edhe kërkesat e opozitës, u ra dakord që neni 179 të bënte në disa raste zgjedhje kompromisi.[2]

       

      [1] Shih materialet e paraqitura në vijimësi të procesit të hartimit të dispozitave kushtetuese nga opozita si para komisionit ad hoc ,ashtu edhe para Komisionit të Venecies, gjatë përgatitjes së opinioneve interim dhe përfundimtar. Për këtë vijnë në ndihmë procesverbalet e komisionit ad hoc dhe opinionet e KV-së, ku paraqiten vazhdimisht shqetësimet e opozitës.

      [2] Shih opinionin final të Komisionit të Venecies, § 81-83.

    • Asnjë koment
  • 30. Nuk ka ndonjë standard për hapësirat e rregullimit të dispozitave tranzitore. Megjithatë, ajo që duhet mbajtur parasysh është shmangia e paqëndrueshmërisë, sigurimi i vazhdimësisë institucionale dhe përputhja e rregullave tranzitore sa më shumë të jetë e mundur me rregullat që do të veprojnë në të ardhmen, pra në tekstin e ligjit.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi