KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8491
Neni 158-ç: Veprimet e pajtimit
Gjyqtari, gjatë veprimeve përgatitore, bën të gjitha përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen me pajtim, kur e lejon natyra e çështjes. Për këtë qëllim, kur është rasti, urdhëron edhe paraqitjen e vetë palëve.
Në çdo fazë të gjykimit, gjykata vë në dijeni palët lidhur me mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me ndërmjetësim dhe nëse ato pranojnë e kalon çështjen për ndërmjetësim.
Kur arrihet pajtimi pa filluar seanca gjyqësore, mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga palët. Gjyqtari me vendim miraton pajtimin.
Në rast të paraqitjes së aktmarrëveshjes për pajtim ose për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim, gjykata vendos miratimin e saj, nëse kjo e fundit nuk është në kundërshtim me ligjin.
Kur pajtimi arrihet në seancë gjyqësore, kushtet e marrëveshjes pasqyrohen në procesverbalin gjyqësor. Gjykata jep vendim për miratimin e tij, por në çdo rast ai nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjin.
Kundër vendimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me pajtim ose me ndërmjetësim, ose mospranimin e pajtimit, mund të bëhet ankim i veçantë.