KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8491
Neni 399-7: Gjykimi i kërkesës ose kërkesëpadisë
Gjykimi i kërkesëpadisë, sipas nenit 399/6, pika 3, bëhet sipas rregullave të zakonshme të gjykimit brenda një afati 3 mujor nga depozitimi i kërkesëpadisë.
Gjykimi i kërkesës, sipas nenit 399/6, pika 1, bëhet në dhomë këshillimi dhe gjykata që shqyrton çështjen merr vendim brenda 45 ditëve, nga paraqitja e kërkesës. Brenda 15 ditëve nga paraqitja e kësaj kërkese, organi që pretendohet se ka kryer shkeljen, i dërgon kopje të dosjes dhe mendimin me shkrim, gjykatës që shqyrton kërkesën.
Në rast se gjatë shqyrtimit të kërkesës organi që po kryen veprimet, ndërmerr hapat që po kërkohen nga pala, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, pushon shqyrtimi i kërkesës.
Në rast se kërkesa refuzohet, nuk mund të përsëritet më, për të njëjtat fakte.