KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8491
Neni 479: Pezullimi i ekzekutimit të vendimit
Gjykata e Lartë, pasi është paraqitur rekursi, me kërkesë të palës, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit kur:
a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme; dhe/ose
b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin vendimit.
Kërkesa për pezullim parashtrohet në rekurs ose më vete. Gjykata e Lartë merr masat e nevojshme që kërkesa t’i njoftohet palës tjetër dhe kërkesa të gjykohet sa më shpejt. Pala ka të drejtë të parashtrojë me shkrim brenda tre ditëve, nga e nesërmja e marrjes dijeni mbi kërkesën për pezullim, argumentet e saj dhe kërkimet.
Shqyrtimi i kërkesës bëhet në dhomë këshillimi.
Në kushtet kur rrethanat e çështjes e diktojnë dhe ekziston rreziku se e drejta e rekursuesit do të bëhet e pamundur për t’u realizuar, me vendim të arsyetuar, mund të procedohet me shqyrtimin e kërkesës pa u njoftuar më parë palët.
Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi kërkesën për pezullim duhet t’u njoftohet palëve.
Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi kërkesën për pezullim mund të revokohet ose ndryshohet me kërkesë të palës. Për shqyrtimin e kërkesës për ndryshimin ose revokimin e masës së pezullimit njoftohen palët. Brenda 3 ditëve pala tjetër ka të drejtë të paraqesë me shkrim parashtrimet. Kërkesat shqyrtohen në dhomë këshillimi.
Në çdo rast Gjykata e Lartë arsyeton vendimin e saj.