Debitori mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit që të deklarohet se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël ose është shuar më pas. Afati për të paraqitur këtë kërkesëpadi është 30 ditë nga marrja dijeni për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm.
Kur titulli ekzekutiv është një vendim gjyqësor ose vendim arbitrazhi, debitori mund të kundërshtojë ekzekutimin e titullit vetëm për fakte të ngjara pas dhënies së këtyre vendimeve.
Në këto raste, gjykata mund të vendosë pezullimin e vendimit me ose pa garanci. Kur titulli ekzekutiv është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, gjykata mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit, vetëm me garanci dhe për një periudhë jo më shumë se 3 muaj, përveç rasteve kur gjykata, brenda këtij afati, vendos me vendim përfundimtar pranimin e padisë. Me kalimin e afatit 3-mujor, ose kur gjykata, brenda këtij afati, vendos refuzimin e padisë ose pushimin e gjykimit të saj, masa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit konsiderohet e rënë nga fuqia. Pezullimi i vendimit nuk vendoset nga gjykata kur debitori pretendon se detyrimi i caktuar në titullin ekzekutiv, i cili është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, ekziston në një masë më të vogël.
Gjykata shqyrton kërkesat për pezullimin, sipas këtij neni, brenda 5 ditëve. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin, brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të tij në këtë gjykatë.
Kundër vendimit përfundimtar të gjykatës mund të bëhet ankim, sipas rregullave të ankimit të përgjithshëm. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin, brenda 60 ditëve nga data e depozitimit të tij në këtë gjykatë.