PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8577
Neni 38: Njoftimi, paraqitja e dokumenteve dhe pjesëmarrja në seancë plenare
Njoftimi për orën dhe datën e zhvillimit të seancës plenare, publike ose mbi bazë të dokumenteve, bëhet nga Drejtoria Gjyqësore, si rregull, 30 ditë para datës së caktuar për zhvillimin e seancës plenare, me përjashtim të rasteve kur Gjykata Kushtetuese vendos ndryshe.
Njoftimi i kërkuesit, subjektit të interesuar ose përfaqësuesit të tyre ose, sipas rastit, i dëshmitarit, ekspertit apo personave të tjerë, pjesëmarrja e të cilëve është e nevojshme për zhvillimin efektiv të gjykimit kushtetues, bëhet me shkresë zyrtare, me fletëthirrje postare, me telegram, si dhe përmes e-mail-it nëse palët kanë rënë dakord për këtë mënyrë njoftimi në momentin e depozitimit të kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese.
Kur ndonjëri nga pjesëmarrësit në gjykimin kushtetues nuk ka një vendqëndrim të saktë ose ndodhet me qëndrim të përhershëm jashtë shtetit, njoftimi bëhet me letërporosi, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile dhe me shpallje në selinë e Gjykatës Kushtetuese, të paktën 30 ditë përpara datës së caktuar për zhvillimin e seancës plenare.
Mosnjoftimi i rregullt shkakton shtyrjen e seancës plenare, duke caktuar një datë tjetër për zhvillimin e saj, si dhe duke bërë njoftimet përkatëse.
Kur kërkuesi, subjekti i interesuar ose përfaqësuesit e tyre, megjithëse janë njoftuar, nuk paraqiten në seancë plenare ose nuk dërgojnë dokumente shtesë, seanca plenare zhvillohet në mungesë.
Kur seanca zhvillohet mbi bazë dokumentesh, mosparaqitja brenda afatit të përcaktuar dhe pa shkaqe të përligjura e parashtrimeve nga kërkuesi dhe e prapësimeve nga subjekti/et i/e interesuara passjell zhvillimin e gjykimit vetëm mbi bazën e kërkesës dhe/ose dokumenteve shoqëruese të saj të paraqitura në momentin e regjistrimit.