PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8577
Neni 50: Afati i paraqitjes së kërkesës
Kërkesat në Gjykatën Kushtetuese për pajtueshmërinë e ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, sipas pikës 1 dhe pikës 3, shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të nenit 49, të këtij ligji, mund të paraqiten brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e aktit.
Kërkesat për kushtetutshmërinë e ligjit për rishikimin e Kushtetutës, në aspektin procedural, mund të paraqiten brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Gjykatat mund ta paraqesin kërkesën në çdo kohë, kur gjatë shqyrtimit të një çështjeje gjyqësore konkrete, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës, çmojnë antikushtetutshmërinë e ligjit ose të aktit normativ.
Individët mund të paraqesin kërkesë për papajtueshmërinë e ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara brenda 4 muajve nga konstatimi i cenimit.