1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
3. Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
a) vjetërsisë në profesion;
b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
4. Organet e emërtesës marrin parasysh përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në momentin e emërimit të kandidatit për të garantuar balancën ndërmjet përvojave profesionale të anëtarëve dhe respektimin e barazisë gjinore.”.