PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8577
Neni 7-b: Procedura e emërimit nga Presidenti i Republikës
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Presidentin e Republikës, i cili, brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit, shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit. Aplikimet e kandidatëve të shoqëruara me dokumentet që vërtetojnë përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a paraqiten pranë Presidentit të Republikës, i cili ia dërgon ato Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të listës së kandidatëve, thërret mbledhjen e Këshillit që shqyrton plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore nga kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Njoftimi për thirrjen e mbledhjes është publik dhe përmban datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet.
Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.