1. Padia ngrihet:
a) për shfuqizimin tërësisht apo pjesërisht të aktit administrativ;
b) për ndryshimin, pjesërisht apo tërësisht, të aktit administrativ apo detyrimin e organit publik për të ndryshuar një akt administrativ;
c) për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ;
ç) për të detyruar organin publik të kryejë një veprim administrativ, që është refuzuar, apo për të cilin organi publik ka heshtur, ndonëse ka pasur kërkesë;
d) për konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ, që nuk prodhon pasoja juridike, nëse paditësi ka një interes të arsyeshëm për këtë;
dh) për saktësimin e të drejtave dhe të detyrimeve ndërmjet paditësit dhe organit publik;
e) për detyrimin e organit publik për të kryer apo për të ndaluar kryerjen e një veprimi tjetër administrativ, të nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave apo të interesave të paditësit;
ë) për përcaktimin e organit që ka në kompetencën e tij zgjidhjen e çështjes konkrete, duke urdhëruar kur është rasti dhe shfuqizimin e aktit të nxjerrë nga organi jokompetent;
f) për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, sipas ligjit të posaçëm;
g) për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, kur punëdhënësi është një organ i administratës publike.
2. Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.