1. Gjyqtari, pasi sigurohet për kryerjen e të gjitha veprimeve përgatitore, menjëherë nxjerr urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore. Afati për zhvillimin e seancës gjyqësore nuk mund të jetë më i gjatë se 15 ditë.
2. Urdhri për caktimin e seancës gjyqësore përmban:
a) datën, orën dhe vendin e zhvillimit të seancës gjyqësore;
b) palët dhe, sipas rastit, dëshmitarët dhe ekspertët e kërkuar nga palët, që duhet të marrin pjesë në seancë gjyqësore;
c) ekspertët e caktuar nga gjyqtari;
ç) njoftimin dhe mënyrën e njoftimit të palëve dhe të personave, që duhet të marrin pjesë në seancë.
3. Njoftimi drejtuar palëve duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja e provave përpara seancës së parë gjyqësore shkakton mospranimin e tyre. Njoftimi drejtuar dëshmitarëve dhe ekspertit duhet të përmbajë paralajmërimin, për sanksione, sipas ligjit, për mosparaqitje në seancë, pa shkak të ligjshëm.