1Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve është i fshehtë dhe individual.
2Jo më vonë se 2 ditë para datës së e mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit, Prokurori i Përgjithshëm miraton fletën tip të votimit, e cila përmban emrat e kandidatëve të regjistruar.
3Procesi i votimit është i hapur për mediat dhe të gjithë vëzhguesit e tjerë që shprehin interesim për të ndjekur procesin. Vëzhguesit autorizohen paraprakisht nga Prokurori i Përgjithshëm. Ministri i Drejtësisë ose një person i autorizuar prej tij dhe 2 anëtarë të komisioni të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, njëri nga të cilët i përket opozitës, mund të marrin pjesë si vëzhgues në Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë pa autorizim paraprak nga Prokurori i Përgjithshëm.
4Për administrimin e procesit të votimit krijohet komisioni i votimit, i përbërë nga 3 prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme të zgjedhur me short. Shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit të votimit organizohet nën përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm.
5Përpara fillimit të votimit, anëtarët e komisionit të votimit shumëfishojnë dhe nënshkruajnë paraprakisht një numër fletësh votimi të barabartë me numrin e prokurorëve që janë të pranishëm në mbledhje. Në rast të dëmtimit të një ose disa fletëve të votimit, komisioni nënshkruan një numër fletësh votimi të barabartë me fletët e dëmtuara dhe shkatërron në praninë e pjesëmarrësve fletët e dëmtuara.
6Në administrimin e procesit të votimit komisioni i votimit ndihmohet nga administrata e Prokurorit të Përgjithshëm.
7Me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve mund të miratojë rregulla më të hollësishme për procesin e votimit dhe zgjedhjen e anëtarëve të komisionit të votimit, në fillim të mbledhjes.