1Brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e shprehjeve të interesit, dekanati i fakultetit të drejtësisë mblidhet në një mbledhje të posaçme për të verifikuar plotësimin e kushteve ligjore nga kandidatët.
2Verifikimi i plotësimit të kushteve ligjore dhe i mbështetjes është çështja e vetme në rendin e ditës së mbledhjes së dekanatit.
3Mbledhja e dekanatit është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve. Mosmarrja pjesë pa shkak të arsyeshëm në mbledhjen e dekanatit për verifikimin e kritereve ligjore dhe të mbështetjes për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbën shkelje disiplinore për anëtarët e dekanatit.
4Mbledhja e dekanatit merr vendime me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.
5Anëtarët e dekanatit, të cilët kandidojnë, nuk marrin pjesë në mbledhje dhe nuk votojnë. Në rastin e kandidimit të dekanit, detyrat e tij kryhen nga një prej zëvendësdekanëve.
6Në përfundim të mbledhjes dekanati shpall zyrtarisht kandidaturat përmes afishimit në këndin e njoftimeve të universitetit ose të fakultetit të drejtësisë ose në një vend tjetër të dukshëm dhe i përcjell rektorit të IAL-it listën e kandidatëve të shoqëruar me një raport që shpjegon plotësimin ose mosplotësimin e kushteve nga secili kandidat.
7Kandidatët e përjashtuar njoftohen menjëherë me shkrim, individualisht dhe në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e skualifikimit.
8Rregullat e parashikuara në pikat 1 deri në 7, të këtij neni, zbatohen edhe për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore nga kandidatët e Shkollës së Magjistraturës. Në këtë rast, përgjegjësitë e parashikuara nga ky nen për dekanatin e fakultetit, ushtrohen nga mbledhja e Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës. Përgjegjësitë e parashikuara në pikën 6 të këtij neni për dekanin e fakultetit ushtrohen nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës. Lista me kandidatët i përcillet nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.