1Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të paktën 1 herë në vit, organizojnë mbledhje të përbashkëta për shkëmbimin e përvojave, për unifikimin e interpretimit dhe zbatimit të ligjeve, lidhur me ushtrimin e funksioneve dhe organizimit të tyre, si dhe të çështjeve të përgjithshme të lidhura me funksionimin e sistemit të drejtësisë.
2Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të dërgojë përfaqësues në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për çështje me interes të përbashkët dhe anasjelltas.
3Këshilli i Lartë Gjyqësor bashkëpunon me Këshillin e Lartë të Prokurorisë për unifikimin e interpretimit dhe zbatimit të ligjit, të praktikës së punës dhe shkëmbimin e përvojës, lidhur me çështjet e statusit të magjistratëve.
4Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Posaçme për gjykimin e veprave penale të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurori i Përgjithshëm ftohen të marrin pjesë në këto mbledhje të përbashkëta.