1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a. në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit;
b. nuk ka një masë disiplinore në fuqi;
c. nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;
ç. magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi;
d. magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
dh. magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional;
e. magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë. magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.
2. Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti.
3. Jo më vonë se data 15 nëntor e çdo viti kalendarik, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë verifikojnë nëse kandidatët për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, dhe i paraqesin Presidentit të Republikës dhe Kuvendit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet.
4. Lista me kandidatët që i plotësojnë kushtet dhe lista me kandidatët që nuk plotësojnë kushtet bëhen publike në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
5. Kandidatët e përjashtuar njoftohen me shkrim, individualisht dhe në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit. Ata mund të ankohen brenda 5 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën Administrative të Apelit.
6. Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit. Vendimi i saj është përfundimtar dhe i formës së prerë.
7. Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Përveç anëtarëve të parashikuar në pikën 1, të nenit 220, të këtij ligji, Presidenti i Republikës zgjedh edhe një anëtar zëvendësues nga secili institucion në të njëjtin short.
8. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të përzgjedhë anëtarët e Këshillit deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit, në prani të Avokatit të Popullit, i përzgjedh ata brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.
9. Presidenti i Republikës, miraton rregulla të mëtejshme për zhvillimin e procedurës së shortit, të cilat, në çdo rast, duhet t’u përmbahen parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit të procesit.
10. Rezultatet e shortit dhe përmbledhja e procesverbalit të procesit të shortit bëhen menjëherë publike në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës.
11. Avokati i Popullit bën menjëherë publik në faqen zyrtare të institucionit raportin e monitorimit të procesit të shortit.