1Jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, prokurorët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Prokurorisë paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
2Brenda të njëjtit afat të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, prokurorët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i paraqesin Prokurorit të Përgjithshëm dokumentacionin përkatës, sipas nenit 108 të këtij ligji. Prokurori i Përgjithshëm vë në dispozicion të prokurorëve të interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit formularët tip, të parashikuar nga shkronjat “b”, “c” dhe “e”, pika 3, të nenit 108, të këtij ligji.
3Brenda 7 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit, sipas nenit 108, të këtij ligji, Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore, sipas procedurave të parashikuara në nenin 109 të këtij ligji. Në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
4Brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit dhe dokumentacionit, sipas pikës 1, të këtij neni, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën rivlerësimin e prokurorëve që kandidojnë. Prokurori, i cili, me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk e kalon procedurën e rivlerësimit, përjashtohet nga procesi i kandidimit, edhe kur ndaj vendimit të komisionit është ushtruar ankim. Zgjedhja e kandidatëve vazhdon pa pjesëmarrjen e këtij kandidati.
5Jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm listën me emrat e kandidatëve prokurorë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit.
6Brenda 3 ditëve nga data e mbërritjes së listës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Prokurori i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve. Procedura e zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të Këshillit përfundon brenda 20 ditëve nga data e thirrjes.
7Anëtari i zgjedhur nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, një nga anëtarët që vjen nga prokuroritë e apelit, i zgjedhur me short, si dhe një nga anëtarët që vjen nga prokuroritë e shkallës së parë i zgjedhur me short, shërbejnë vetëm për një mandat 3-vjeçar.
8Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, strukturat përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë jomagjistratë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë fillojnë veprimet dhe procedurat e parashikuara nga ky ligj për përzgjedhjen e kandidatëve. Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përfundojnë brenda 4 muajve.
9Nëse Prokurori i Përgjithshëm nuk e thërret Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë brenda 3 ditëve pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit të kandidatëve, mbledhjen e thërret menjëherë një e dhjeta e anëtarëve.
10Mosthirrja e Mbledhjes së Përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ose tejkalimi i afatit për thirrjen e saj, si dhe mosfillimi i procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbëjnë shkelje disiplinore për subjektet e parashikuara në pikat 8 dhe 9 të këtij neni.
11Deri në krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, detyrat e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas neneve 121 deri në 129 dhe neneve 131 dhe 132, të këtij ligji, ushtrohen nga një prej kryetarëve të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë të zgjedhur me short.