1. Brenda 15 ditëve nga shpallja e thirrjes për pranimin e shprehjeve të interesit, pedagogët e interesuar shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar, sipas rastit, dekanit të fakultetit ose Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës. Një kopje e kërkesës, së bashku me dokumentacionin shoqërues, i dërgohet, sipas rastit, rektorit të IAL-it dhe Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
2. Shprehja e interesit mund të bëhet në adresën elektronike ose postare të përmendur në thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit me letër të porositur ose në adresën elektronike zyrtare, sipas rastit, të dekanit të fakultetit, ose të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës.
3. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:
a. jetëshkrimin e përditësuar;
b. një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
c. formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç. një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
d. një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimit sekret.
dh. çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore, të parashikuara në nenin 36 të këtij ligji.