PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 55: Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit

1. Jo më vonë se 4 muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarit nga shoqëria civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor në detyrë, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit nga kandidatët e shoqërisë civile që janë të interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit.

2. Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Kuvendit.

3. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit përmban afatin, brenda të cilit duhet të dorëzohet shprehja e interesit, adresën postare dhe elektronike ku duhet të dorëzohet shprehja e interesit dhe dokumentet që duhet të shoqërojnë atë.

Përmbajtja

      1. Objekti i këtij neni është rregullimi i hapit të parë në procedurën e përzgjedhjes së anëtarit nga shoqëria civile, nëpërmjet një ftese publike për shprehje interesi nga personat e kualifikuar. Dispozita nënkupton se, në parim, procesi i përzgjedhjes duhet të përfundojë në të gjitha fazat e tij brenda 4 muajve.
    • Asnjë koment
      1. Përmbajtja e nenit është përgjithësisht vetëshpjeguese. Sipas pikës 2, thirrja bëhet publike në faqen e internetit të Kuvendit. Megjithatë, është e këshillueshme që Kuvendi të mbajë një listë të përditësuar të OSHC-ve aktive në fushën e drejtësisë dhe t’ua komunikojë atyre hapjen e thirrjes gjithashtu në rrugë elektronike (p.sh. via email).

       

      1. Po ashtu, kujdes duhet bërë që lista e dokumentacionit të nevojshëm, e cila duhet të pasqyrohet në thirrje, të jetë sa më e plotë. Për shembull, disa kandidatë kanë shprehur shqetësimin se thirrja e parë nuk specifikonte elementin e mbështetjes që duhet të sigurojë çdo kandidat nga 3 OSHC të fushës, si dhe nuk vinte në dispozicion formularin përkatës (gjë që u korrigjua me thirrjen e dytë). Kuptohet, në llogari të fundit është përgjegjësia individuale e çdo kandidati që të përmbushë kërkesat e nenit 54, por dhënia e udhëzimeve sa më të qarta në tekstin e thirrjes do të shmangë problemet dhe vonesat në praktikë.

       

      1. Vlen për t’u theksuar se gjatë procesit të mbushjes së vakancës së parë në KLGJ nga rradhët e shoqërisë civile (2017), Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit procedoi me rihapjen e thirrjes për shprehje interesi, me kërkesë të Komisionit të Shoqërisë Civile. Komisioni e argumentoi kërkesën e vet me faktin që, pas verifikimit paraprak të kandidaturave të paraqitura në bazë të thirrjes së parë, numri i kandidatëve që plotësonin kriteret ligjore rezultoi të ishte më pak se tre. Duke qenë se neni 58, pika 1 e Ligjit kërkon që Komisioni t’i përcjellë Kuvendit të paktën tre emra për çdo vend vakant në KLGJ, Komisioni kërkoi rihapjen e thirrjes për të paktën një herë të dytë. Për më tepër në lidhje me këtë cështje, shih komentin përkatës të nenit 58, infra.
      1. Analiza e sistemit të Drejtësisë konstatoi ndër të tjera cilësinë e dobët të anëtarësisë së KLD-së si rezultat i mangësive të procedurave dhe kritereve për përzgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Në Dokumentin e Strategjisë së Reformës në Drejtësi, u përcaktua objektivi 3, Mirëqeverisja e gjyqësorit në funksion të pavarësisë, përgjegjshmërisë, efiçencës dhe transparencës së tij. Si rrjedhojë, u vendos që të parashikohej një formulë për emërimin e anëtarëve jogjyqtarë të KLD-së që zvogëlon diskrecionin e Kuvendit, duke përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve propozime nga avokatia, akademia, shoqëria civile, Shkolla e Magjistraturës etj., dhe shqyrtimin kandidaturave dhe renditjen e tyre nga një komitet këshillimor Ad Hoc.

       

      1. Relacioni shpjegues i projektligjit për organet e qeverisjes konstatoi se projektligji parashikon një sërë garancish që mundësojnë gjithpërfshirje të gjyqtarëve të tre niveleve dhe një proces nominimi dhe përzgjedhje sa më transparente ku: 
      1. Shprehja e interesit për të kandiduar për anëtarë të KLGJ-së është publike për të gjithë anëtarët gjyqtarë dhe jogjyqtarë;
      2. Verifikimi dhe shpallja e kandidaturave është transparente dhe gjetjet janë publike;
      3. Parashikohet e drejta e ankimit ndaj vendimeve për përjashtimin e kandidaturave, si dhe procedurën e votimit të anëtarëve në Gjykatën Administrative;
      4. Kriteret që duhet të përmbushin kandidatët janë të përcaktuara në ligj;
      5. Integriteti i figurës dhe profesionalizmi janë kritere të përcaktuara qartë.

       

      1. Si përfundim, referuar këtij rregullimi si dhe neneve të tjera që lidhen me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ, mund të thuhet se ligji garanton standardet e kërkuara për një transparencë dhe gjithpërfshirje.
    • Asnjë koment
    1. Lidhur me standartet ndërkombëtare, SHIH KOMENTET MBI NENIN 54, PARAGRAFËT 26-29.
    1. Materialet legjislative kryesore relevante për nenin 55 janë raporti që shoqëron projektligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë[1] dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të datave 14, 19 dhe 20 shtator 2016, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2] PËR MË SHUMË INFORMACION NË LIDHJE ME MATERIALET LEGJISLATIVE SHIH KOMENTET MBI NENIN 54, PARAGRAFËT 30 – 34.

     

    [1] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf e konsultuar për herë të fundit më datë 16.10.2017

    [2] Shih http://reforma ne drejtesi.al/procesverbale e konsultuar për herë të fundit më datë 16.10.2017. 

    1. Neni 147 i Kushtetutës.
    1. Nuk ka pasur deri në këtë moment dhe Ligji nuk parashikon nxjerrjen e akteve të tilla. Shih komentet e nenit 54 paragrafi 37-40.
    1. SHIH KOMENTET E NENIT 54 PARAGRAFI 37-40.
    1. SHIH KOMENTET E NENIT 54 PARAGRAFI 41 DHE 42.
    1. Ligji Nr. 8811, datë 17.5.2001 (ndryshuar me ligjin nr. 9448, datë 5.12.2005) “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Darian Pavli
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)