1. Jo më vonë se 15 ditë nga shpallja e thirrjes për pranimin e shprehjeve të interesit, anëtarët e shoqërisë civile shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.
2. Shprehja e interesit mund të bëhet në adresën elektronike ose postare të shprehur në thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit.
3. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin, të paktën, dokumentet e mëposhtme:
a. jetëshkrimin e përditësuar;
b. një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
c. formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç. një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
d. një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të ndonjë shërbimi sekret;
dh. çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 54, pika 2, të këtij ligji.
4. Emrat e kandidatëve nga shoqëria civile dhe kopjet origjinale, ose të noterizuara, të dokumentacionit të paraqitur prej tyre, regjistrohen në regjistrin e protokollit të Avokatit të Popullit.
5. Zyra e protokollit të Avokatit të Popullit merr në dorëzim shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues të kandidatëve dhe u jep atyre një vërtetim shkresor për dorëzimin e shprehjes së interesit dhe të dokumentacionit shoqërues.
6. Avokati i Popullit, brenda 5 ditëve nga regjistrimi i kandidatëve dhe i dokumentacionit shoqërues, verifikon nëse dokumentacioni i paraqitur nga kandidatët është i plotë. Nëse dokumentacioni i kandidatit nuk është i plotë për të vlerësuar plotësimin e kushteve kushtetuese dhe ligjore, si dhe të kritereve profesionale e morale, sipas nenit 54, pikat 2 dhe 3, të këtij ligji, Avokati i Popullit i kërkon kandidatit që brenda 5 ditëve të bëjë plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumenteve shtesë. Njoftimi për plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumentacionit shtesë i dërgohet kandidatit në adresën elektronike të deklaruar, brenda një afati 5-ditor nga dita e njoftimit nga Avokati i Popullit.
7. Mosparaqitja e dokumentacionit plotësues, ose dokumentacionit shtesë në përfundim të afatit 5-ditor, nuk pezullon procesin e regjistrimit përfundimtar të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues të tyre. Në këtë rast, vlerësimi i kandidatit bëhet mbi dokumentacionin e dosjes së depozituar dhe administruar nga Avokati i Popullit.
8. Data në të cilën plotësohet dokumentacioni i kërkuar, ose afati i përcaktuar për plotësimin, konsiderohet dita e paraqitjes dhe regjistrimit të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues në Institucionin e Avokatit të Popullit. Paraqitja përfundimtare dokumentohet me një numër regjistrimi nga zyra e protokollit tek Avokati i Popullit.
9. Avokati i Popullit, jo më vonë se 10 ditë nga dita e regjistrimit të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues, sipas pikës 5, të këtij neni, merr në shqyrtim dhe verifikon përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore të çdo kandidature të parashikuara në Kushtetutë dhe në nenin 54, të këtij ligji, me anë të një procesi të hapur edhe publik.
10. Brenda 3 ditëve, nga dita e shpalljes së njoftimit për dorëzimin e shprehjeve të interesit për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga shoqëria civile, Avokati i Popullit publikon thirrjen për shprehje interesi për anëtar të komisionit të shoqërisë civile për verifikimin paraprak nga organizatat e shoqërisë civile, sipas përcaktimit të nenit 54, pika 1, të këtij ligji. Thirrja publikohet në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit, si dhe në një nga gazetat me tirazhin më të lartë. Njoftimi u dërgohet të gjitha organizatave të shoqërisë civile në adresat e elektronike të tyre zyrtare. Shprehja e interesit duhet të paraqitet nga organizatat e shoqërisë civile brenda 7 ditëve dhe duhet të përmbajë dokumentacionin përkatës që vërteton plotësimin e kritereve që parashikohen në nenin 54, pika 1, e këtij ligji, dhe ato të parashikuara në këtë pikë.
11. Avokati i Popullit verifikon brenda 10 ditëve plotësimin e kritereve nga organizatat që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e komisionit të verifikimit paraprak të shoqërisë civile. Në rast se më shumë se 5 organizata që kanë shprehur interesin plotësojnë kriteret e parashikuara në pikën 10 të këtij neni, mbledhja e parë e këtij komisioni përzgjedh me votim të fshehtë organizatat që do të jenë anëtare të këtij komisioni. Pesë organizatat që do të marrin më shumë vota, konsiderohen të përzgjedhura si anëtare të komisionit të shoqërisë civile. Në rast të barazimit të votave, votimi përsëritet midis organizatave me vota të njëjta.
12. Kryetari i komisionit të shoqërisë civile për verifikimin paraprak zgjidhet nga vetë komisioni. Organizata e shoqërisë civile përfaqësohet nga përfaqësuesi i saj ligjor. Anëtari zëvendësues i këtij komisioni është zëvendësi i tij me autorizim nga përfaqësuesi ligjor.
13. Mosushtrimi i kompetencave, sipas këtij ligji, nga Avokati i Popullit brenda afateve të përcaktuara, përbën shkelje disiplinore dhe në çdo rast është Kryetari i Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë, që ushtron kompetencat e parashikuara në këtë nen brenda 3 ditëve nga përfundimi i afatit të përcaktuar për Avokatin e Popullit në këtë ligj.
14. Në rastet e konfliktit të interesit, papajtueshmërisë ose heqjes dorë të anëtarit të komisionit, rregullimet ligjore të parashikuara në nenet 28 dhe 29, të këtij ligji, do të aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
15. Komisioni i shoqërisë civile kryen procedurë të përbashkët për verifikimin paraprak të dy kategorive të kandidatëve për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë në rast të krijimit të vendeve vakante për Këshillat në të njëjtën kohë.