Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1“Ditë” nënkupton ditë kalendarike që llogariten sipas rregullave të përcaktuara në nenin 56 të Kodit të Procedurave Administrative.
2“Dokument ligjor” është çdo dokument i përgatitur nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës profesionale, në veçanti vendim, raport/relacion, kërkesë për gjykim penal, mendim/opinion ligjor, si dhe akte të tjera që provojnë aftësitë profesionale të tij.
3“ILDKPKI” është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i cili organizohet dhe funksionon sipas ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”;
4“Institucionet e rivlerësimit” janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë;
5“Komisioni” është Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i parashikuar në nenin 179/b, paragrafi 5, të Kushtetutës.
6“Kontakt i papërshtatshëm” është një takim, komunikim elektronik ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi i qëllimshëm, që nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës nga subjekti i rivlerësimit, pavarësisht nëse vendosen marrëdhënie biznesi, në kuptim të pikës 9 të këtij neni, ose ndonjë marrëdhënie tjetër.
7“Kolegji i Apelimit” është Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, i parashikuar në nenin 179/b, paragrafi 5, të Kushtetutës.
8“Krim i organizuar, trafikimi dhe korrupsioni” përfshijnë veprat penale që sipas nenit 75/a të Kodit Procedurës Penale janë në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ose të çdo gjykate tjetër që mund të zëvendësojë atë në ushtrimin e këtyre kompetencave.
9“Marrëdhënie biznesi” është çdo marrëdhënie profesionale ose tregtare, e cila lidhet me veprimtaritë e ushtruara nga subjektet e këtij ligji dhe klientët e tyre, që, në çastin e vendosjes së saj, vlerësohet të jetë një marrëdhënie e vazhdueshme ose jo, sipas ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
10“Organ i vlerësimit të aftësive profesionale” është Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që funksionon sipas ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar, struktura përkatëse e Prokurorisë së Përgjithshme ose institucionet që bëjnë vlerësimin profesional sipas ligjit.
11“Pasuri” janë të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë ose jashtë saj, sipas parashikimit të nenit 4, të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2013, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar që janë në pronësi, posedim ose në përdorim të subjektit të rivlerësimit.
12“Periudha e rivlerësimit” është periudha e punës së subjektit të rivlerësimit, gjatë të cilës vlerësohen aftësitë etike dhe profesionale të tij, sipas këtij ligji.
13“Person i lidhur” është rrethi i personave që kanë marrëdhënie me subjektin e rivlerësimit, komisionerin, gjyqtarin dhe komisionerin publik, i përbërë nga bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët madhorë, si dhe çdo person tjetër të përmendur në certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile për subjektin e rivlerësimit, komisionerët, gjyqtarët dhe komisionerët publikë për periudhën e rivlerësimit.
14“Persona të tjerë të lidhur” janë personat fizikë ose juridikë, që duket se kanë ose kanë pasur lidhje interesi me subjektin e rivlerësimit, komisionerin, gjyqtarin ose komisionerin publik që rrjedh nga një interes pasuror ose çdo marrëdhënie tjetër biznesi.
15“Person i përfshirë në krimin e organizuar” është çdo person që është dënuar ose proceduar penalisht, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për një nga veprat e parashikuara në pikën 1, të nenit 3, të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, me përjashtim të rastit kur është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur:
aprocedimi penal i filluar ndaj tij pushohet nga organi procedues për shkak të vdekjes, ose sepse nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet;
bdeklarohet i pafajshëm nga gjykata pasi vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet.
16“Subjekt i rivlerësimit” janë të gjithë personat e parashikuar në nenin 179/b të Kushtetutës.
17Shprehja “nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike” do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit.
18Shprehja “nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike” do të thotë që nuk ka qenë anëtar i organeve drejtuese të parashikuara në statutin e partisë politike.
19“Të ardhura të ligjshme” janë të ardhurat e subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur të tij/saj, sipas përcaktimeve të burimit të të ardhurave, të parashikuara në ligjin “Mbi tatimin mbi të ardhurat”.
20“Trust” është një marrëveshje mirëbesimi, ku pronësia mbahet nga i mirëbesuari për llogari të përfituesit, sipas ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe nga legjislacioni ndërkombëtar.
21“Vëzhgues ndërkombëtarë” janë personat e emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe të njoftuar, në përputhje me nenin B të Aneksit të Kushtetutës.